1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edi Rama rizgjidhet kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë

27 Shtator 2009

Komisioni Zgjedhor i PS-së ne Tiranë pohoi sot (27.9.) për DW-Shqip se 90% e votave të numëruara deri në mesditë anëtarësia socialiste i ka hedhur në favor të rizgjedhjes së Edi Ramës.

https://p.dw.com/p/Jpyi
Kryetari i PS-së, Edi RamaFotografi: DW

66 % nga 82.000 socialistët e Shqipërisë iu drejtuan të shtunën (26.9.) 400 qendrave të votimit për të zgjedhur kryetarin e tyre të ri sipas parimit "një anëtar, një votë".

Konkurrent i vetëm i Edi Ramës ishte Maqo Lakrori, një nga eksponentët veteranë të PS-së. Votat më të shumta Ramës ia kanë dhënë socialistët e Tiranës.

Duke vlerësuar procesin e votimit lideri socialist Rama, e cilësoi atë si një "një proces të natyrshëm, të bukur e real që tregon se PS është forca më demokratike në Shqipëri."

Rizgjedhja e Edi Ramës erdhi pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit nga Partia Socialiste dhe koalicioni i majtë opozitar, i kryesuar prej saj. Duke mos pranuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve, pretenduar për deformime të rënda të procesit zgjedhor, të cilat ndikuan tek humbja, Edi Rama nuk dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS-së, sic është parashikuar në statutin e kësaj partie.

Kongresi i PS-së, i cili u zhvillua në Tiranë para një muaji, mori vendimin e bojkotimit të Parlamentit të ri shqiptar dhe zgjedhjes së kryetarit të ri përmes votimit nga anëtarësia socialiste.

Fraksioni brenda PS-së, që është kundër bojkotit dhe pro pjesëmarrjes në Parlament - i kryesuar nga Ben Blushi, anëtar i kryesisë së PS - nuk mori pjesë në votimin për zgjedhjen e kryetaritë ri të partisë. Ky grup e konsideron Edi Ramën si përgjegjësin kryesor për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit por opsioni i tij për domosdoshmërinë e dorëheqjes së Ramës nuk fitoi në Kongresin e fundit të PS-së. Grupi i Ben Blushit mbron idenë e të bërit opozitë në Parlament dhe jo jashtë tij.

Rizgjedhja e Edi Ramës në krye të PS-së është një tregues i zotërimit të politikës së deritanishme radikale të bojkotit të parlamentit në radhët e anëtarësisë socialiste. Faktorët politikës vendas dhe BE-ja i kanë bërë vazhdimisht apel PS-së te braktisë bojkotin dhe të marrë pjesë në Parlament për të miratuar në konsensus me maxhorancën reformat e kërkuara nga BE-ja në lidhje me procesin e integrimit europian.

Reforma të tillla si ajo në drejtësi nuk mund të miratohen pa 84 vota, numër që deputetët e djathtë dhe aleatët e tyre, liberalët e Ilir Metës, nuk arrijnë dot t´i kenë.

Autore: Ani Ruci

Redaktoi: Sonila Harasani