1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eficient, solid, i përmbajtur, i besueshëm - Frank-Walter Steinmeier kandidati për kancelar i PSDGJ në 2009-ën

Marsel Fyrstenau8 Shtator 2008

Vendimi doli në shesh. Partia Socialdemokrate gjermane e ka kandidatin për kancelar. Ministri i jashtëm Steinmeier do të konkurrojë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm kundër kancelares Merkel.

https://p.dw.com/p/FDNP
Fotografi: AP

Kur në nëntor 2005 Frank-Walter Steinmeier u bë ministër i jashtëm në kabinetin e Angela Merkel-it ishin të paktë ata gjermanë që ia njihnin emrin. Ndërkohë socialdemokrati i lindur në vitin 1956 në Detmold në Vestfalinë lindore bën pjesë në mënyrë të qëndrueshme ndër politikanët më të pëlqyer. Zgjedhësit besojnë se ai është i aftë ta bëjë atë, që ka thënë për të vite më parë shoku dhe përkrahësi i tij, ish-kancelari Gerhard Schröder, se mund ta kryente menjëherë me sukses detyrën e kryetarit të qeverisë. Tani ai është kandidat për kancelar në vend të kryetarit të Partisë Socialdemokrate Kurt Beck. Një rol, për të cilin nuk ka luftuar me cdo kusht, së paku jo publikisht.:

"Jam vërtet i mendimin, që Kurt Beck do të ishte kandidati i duhur. Dhe kushdo të jetë i sigurt, që unë do ta mbështes me të gjitha forcat në rrugën drejt zyrës kancelarore."

Tani shefi i partisë Beck do të duhet të mbështesë me të gjitha forcat zëvendësin e tij Steinmeier. Një njeri, i cili hyri në vitin 1975 në Partinë Socialdemokrate dhe për të cilin mund të thuhej se vjen nga një familje tipike socialdemokrate: e ëma punëtore fabrike, i ati marangoz. Djali Frank-Walter do të bëhet fillimisht arkitekt, por pastaj studion drejtësi dhe shkenca politike dhe punon disa vjet si shkencëtar në Universitetin e Gießen-it.

Në fillim të viteve nëntëdhjetë hyn në politikë. Ngjitja vjen shpejt. Këshilltar në kryeministrinë e Saksonisë së Poshtme, drejtor i zyrës personale të ish-kryeministrit Gerhard Schröder, i cili e ngre Steinmeier-in në vitin 1996 në detyrën e sekretarit të shtetit. Dy vjet më vonë zhvendosen të dy nga Hanoveri në Berlin, Schröder si kancelar i qeverisë së parë kuqegjelbër, Steinmeier si sekretar shteti dhe i ngarkuar për shërbimet e fshehta. Në vitin 1999 kërcimi tjetër në karrierë: shef i zyrës kancelarore.

Eficient, solid, i përmbajtur, i besueshëm - Steinmeier gëzon konsideratat më të larta. Schröder thotë në një intervistë për bashkëpunëtorin e vet më të rëndësishëm, se përvec së shoqes u beson në mënyrë të pakufizuar vetëm dy njerëzve: drejtores së zyrës së vet dhe "Frank-ut". Pas humbjes së Schröder-it në zgjedhjet e 2005-ës ky bëhet ministër i jashtëm i koalicionit kuqezi nën drejtimin e kristiandemokrates Angela Merkel.

Tek Steinmeier-i njerëzit kanë ndjenjën se ai i merr seriozisht bashkë me shqetësimet e tyre. Ai hyn tek tipi i rrallë i politikanit, i cili është i cliruar nga vaniteti dhe nga etja për dukje. Kështu paraqitet burri i martuar, baba i tri vajzave, edhe në parketin ndërkombëtar.