1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Egjipti drejt kaosit dhe anarkisë

Volker Wagener30 Mars 2016

Rendi i brendshëm në Egjipt po shpërbëhet dhe vendi ka marrë rrugën e anarkisë, thotë Michael Lüders në intervistë me DW. Pushtetmbajtësit ushtarakë në Egjipt gëzojnë mbështetjen e heshtur të Perëndimit.

https://p.dw.com/p/1ILVY
Ägypten Soldat in Panzerfahrzeug
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Khaled

DW: Aktualisht, trupa terroriste të afërta me Shtetin Islamik janë aktive para së gjithash në Sinai. A kërcënon rreziku që terrori islamik të jetë i pranishëm së shpejti në qytetet e mëdha egjiptiane?

Michael Lüders: Për momentin nuk duket kështu. Pushtetmbajtësit ushtarakë gëzojnë mbështetjen e heshtur të Perëndimit, sepse Presidenti al-Sisi konsiderohet si aleat besnik. Ai ka orientim pro-perëndimor. Kjo ka si pasojë, që politika e tij represive - dhe në fund të fundit vetëshkatërruese - të mos përballet me kritika të zëshme edhe në Berlin. Pra siç duket, presioni nga jashtë është i vogël. Prandaj është e vështirë që të ushtrosh ndikim në zhvillimet politike. Në thelb, Egjipti ndodhet në rënie të lirë drejt kaosit dhe anarkisë.

Edhe nëse rasti i fundit i rrëmbimit të avionit me sa duket nuk ka sfond terrorist, gjendja e sigurisë në Egjipt është e brishtë. Cilat janë arsyet kryesore për erozionin e rendit të brendshëm?

Shpërbërja e shtetit në Egjipt po avancon gjithnjë e më shumë. Forcat e sigurisë nuk e kanë më gjendjen plotësisht nën kontroll. Kemi pasur ndalimin e Vëllazërisë Myslimane si një organizatë terroriste. Njëkohësisht kemi miliona vetë, që jetojnë nën nivelin e varfërisë. Kjo sjell një situatë të konsiderueshme shpërthyese, sociale dhe politike. Njëkohësisht, qeveria nuk është në gjendje që të ndjekë një politikë ekonomike që krijon vende pune. Pra i gjithë vendi është në një situatë delikate ekonomike dhe politike. Në këtë sfond, natyrisht që fantazia nuk njeh kufij. Islamistë të dhunshëm mund të depërtojnë duke u nisur nga Sinai ose edhe nga Libia në drejtim të Egjiptit.

Michael Lüders
Michael LüdersFotografi: picture-alliance/dpa/A. Burgi

Regjimi në Egjipt i shkel me këmbë të drejtat e njeriut. A mund të justifikohet ende mbështetja perëndimore për Kairon?

Po të bësh Realpolitikë duhet të thuash natyrisht se të duhet të merresh vesh me çdo regjim. Ne nuk mund të përgatisim qeveritarë, që t'u përgjigjen më shumë përfytyrimeve tona. Por në lidhje me Egjiptin duhet të themi, po të kemi parasysh vizitën e al-Sisit në Gjermani, në fund të vitit të kaluar, se atij vërtet iu shtrua qilimi i kuq. U nënshkruan marrëveshje ekonomike me një vlerë prej miliarda eurosh. Në fund të fundit, në Berlin, Bruksel dhe diku tjetër, përballë Egjiptit ndiqet politika tradicionale e klientelizmit. Kjo do të thotë, që për sa kohë një regjim është properëndimor dhe e ka në njëfarë mase nën kontroll gjendjen e sigurisë, ai ka dorë të lirë të bëjë çfarë do brenda vendit. Ai mund të përdorë çfarëdo lloji represioni, pa ndeshur në rezistencë ose kritikë të konsiderueshme. Të paktën 40.000 vetë mendohet se ndodhen në burg në Egjipt për "shkak të shkeljeve që kanë të bëjnë me shprehjen e mendimeve". Njerëzit i rrëmbejnë në mes të rrugës dhe ata zhduken. Vëmendje të madhe tërhoqi para pak kohësh rrëmbimi dhe vrasja e një studenti italian. Ky rast doli në medie, thjesht sepse ai ishte italian. Me egjiptianët, gjëra të tilla ndodhin përditë.

Kjo të kujton pak shpërbërjen e shtetit sirian. A kërcënon një përsëritje e këtij skenari?

Jo, këtë nuk mund ta krahasosh, sepse gjendja e brendshme politike në Siri është e ndryshme. Egjipti është homogjen, nëntëdhjetë përqind janë myslimanë sunitë dhe dhjetë përqind koptë të krishterë. Pra kemi një shtet pak a shumë homogjen, por që nuk njeh drejtësi sociale. Nga rreth 100 milionë vetët, gati gjysma jeton nën ose në buzë të kufirit të varfërisë. Këtu kemi natyrisht një rezervuar gjigand njerëzish të pakënaqur. Dhe duhet vetëm pak që të ndizet një revoltë. Represioni dhe stanjacioni ekonomik janë një recetë e sigurtë për një shpërthim, i cili duhet të ndodhë herët apo vonë.

Michael Lüders është publicist dhe ekspert i fesë islame. Ai punon edhe si këshilltar për çështje politike dhe ekonomike.