1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Egjipti i merr frymën shoqërisë së tij civile

Elisabeth Lehmann22 Dhjetor 2014

Presidenti Abdel Fattah Al Sisi ka dekretuar muajt e fundit disa ligje për ta dobësuar shoqërinë civile të Egjiptit. Nga kjo vuajnë NGO-të vendase. Po të prekura janë edhe fondacionet gjermane.

https://p.dw.com/p/1E8NU
Bildergalerie Ägypten Dritter Jahrestag des Aufstandes 25. Januar 2014
Fotografi: picture-alliance/dpa

Një telefonatë mjaftoi për t'i ndaluar aktivitetet e Fondacionit Friedrich Naumann. "Ministria e Jashtme e Egjiptit na njoftoi që gjendja jonë aktuale juridike nuk është e mjaftueshme dhe ne duhet të regjistrohemi sërish," thotë Rene Klaff, drejtues i Zyrës së Kairos të Fondacionit të afërt me FDP-në. Në praktikë kjo do të thotë që çdo aktivitet brenda Egjiptit është i ndaluar, derisa të bëhet regjistrimi mbi bazën e ligjit të ri të NGO-ve.

Ndaj Fondacionit Naumann veprohet në këtë mënyrë ngjashëm si po veprohet me të gjithë shoqatat e shoqërisë civile. Ministria e Çështjeve Sociale kishte vendosur një afat: deri në 10 nëntor të gjitha organizatat joqeveritare duhet të regjistroheshin nga e para- ndryshe i kërcënonte mbyllja.

Moria e ligjeve synon të mbyllë hapësirën publike

Detyrimi për regjistrim është pjesë e një fushate kundër shoqërisë civile egjiptiane. Muajt e fundit, Presidenti Fattah Al Sisi ka dekretuar shumë ligje për ta mbyllur hapësirën publike. Midis të tjerash u ashpërsua e drejta penale. Në bazë të kësaj, në të ardhmen për organizatat mund të jetë veprim i dënueshëm që të pranojnë para nga bota e jashtme, kur me këtë hap mund të shkelen interesat e shtetit egjiptian. "Çështja tani është si e interpreton shteti "shkeljen e interesave egjiptiane" dhe nëse ne jemi të gatshëm që t'i kalojmë 15 vitet e ardhshme pas kangjellave të burgut", thotë Gasser Abdel Razek nga Inisiativa Egjiptiane për Të Drejtat e Personalitetit, shkurt EIPR. Kjo organizatë e të drejtave të njeriut ka kritikuar herë pas here ashpër në të kaluarën veprimet e policisë dhe të ushtrisë, si p.sh. zbrazjen e kampit të vëllezërve myslimanë në Sheshin Rabaa në gusht të vitit të kaluar. Në këtë aksion brenda disa orësh u vranë më shumë se 1000 vetë.

Gasser Abdel-Razek
Gasser Abdel-Razek, Inisiativa Egjiptiane për Të Drejtat e Personalitetit,Fotografi: Privat

EIPR punon që prej vitit 2002 në Kairo, por tani ditët e saj duken të numëruara. Pjesës më të madhe e 76 bashkëpunëtorëve, në pjesën më të madhe juristë, do t'i duhet të kërkojë prej janarit një punë të re. Pengesat që ngre shteti për momentin janë shumë të larta, bëhet e ditur. Thjesht është shumë i rrezikshëm pranimi i parave nga bota e jashtme. Dhe pa to EIPR nuk mund t'i paguajë njerëzit e saj. Prandaj organizata tani është e detyruar që njeherë të regjistrohet nën ligjin e ri dhe pastaj të shohë nëse dhe si do të vazhdojë më tej punën në të ardhmen.

Në Ministrinë përgjegjëse të Çështjeve Sociale nuk e kuptojnë gjithë shqetësimin e organizatave. Ministrja Ghada Wali u kërkoi përfaqësuesve të shoqërisë civile në një intervistë që i dha agjencisë së lajmeve Reuters që të tregohen të duruar. Kritika e ashpër ndaj ligjit të ri të NGO-ve për të është "e papjekur" dhe një "paradënim". Ajo që synohet, sipas ministres, është vetëm krijimi i një vështrimi të përgjithshëm për organizatat që veprojnë në vend.

l