1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekspert futbolli apo diplomat?

6 Qershor 2008

Kampionati Europian ndodhet në prag dhe dalëngadalë tifozët në Gjermani po përfshihen nga euforia e futbollit. Por si është puna me politikanët?

https://p.dw.com/p/EEyA
Kancelarja Merkel në Stadiumin Olimpik të Berlinit, 2006
Kancelarja Merkel në Stadiumin Olimpik të Berlinit, 2006Fotografi: AP

Shpesh për ta thuhet se me njohuritë e tyre për futbollin dhe entuziasmin e shtirë përpiqen të sigurojnë pikë tek zgjedhësit. Sa të marrosur pas futbollit janë p.sh. deputetët në parlamentin gjerman?

Në parlamentin gjerman nuk mund të hysh thjesht në sallën plenare dhe të testosh atmosferën si në një stadion futbolli. Por në plenium po zhvillohet aktualisht një debat mbi nxitjen e sportit në Gjermani. Prej sallës pritet të dalin ata deputetë që marrin shumë vesh nga sporti. P.sh. Mafred Grund, një nga ekspertët për sportin nga kristian-demokratët. A i njeh ai kundërshtarët e Gjermanisë në grupin eliminatoreve?

"Nuk e kam fare idenë. Unë jam ekspert për sportin por për displinat e mia. Me Euro-2008 nuk jam marrë."

Por të paktën kryetari i komisionit për sportin Peter Danckert nga partia socialdemokrate duhet ta dijë këtë: " Natyrisht që e di. Janë Polonia, Kroacia dhe Austria. Sa i takon atmosferës këtu besoj se ditët e kaluara kanë treguar se emocionet po shtohen. Dhe atmosfera po përmirësohet. Por natyrisht gjithçka varet nga performanca e ekipit tonë kombëtar."

Por sa do të rezistojë ekipi gjerman? Deputeti Laurenz Meyer nga kristiandemokratët dhe Klaus Uwe Benneter nga socialdemokratët janë bashkë përpara sallës plenare. Janë të zhytur në bisedë dhe tema nuk është futbolli por politika. Por si i vlerësojnë ata shanset e gjemanëve ndaj kombëtares polake në ndeshjen e së djelës (08.06.)?

"Parashikimi im është fitore 2:1 për Gjermaninë", thotë Benneter. Ndërsa Meyer përgjigjet:"Besoj se eliminatoret do të jenë për ne një mundësi e mirë. Nëse skuadra e gjen veten në lojë atëherë e shoh të paktën në gjysmë finale."

Parlamenti duket se nuk është përfshirë nga ethet e futbollit. Eshtë një javë seancash parlamentare dhe deputetët janë shumë të zënë. Por si e vlerësojnë ata konkurrencën në grupin B? Christian Ruck nga Unioni Kristiansocial (CSU) duhet t'a dijë pasi zona e tij elektorale ndodhet rreth një orë rrugë autostrade nga kufiri me Austrinë:

"Austriakëve iu uroj të pozicionohen sa më lart por pas nesh."

Kjo quhet diplomaci e fqinjësisë së mirë siç u takon deputetëve të parlamentit gjerman!