1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

041009 Iran Atom

5 Tetor 2009

Teherani do të lejojë inspektimet në impiantin e dytë për pasurimin e uraniumit, i cili nuk është vënë ende në funksionim

https://p.dw.com/p/Jxxi
Drejtori i përgjithshëm i IAEA-së Mohamed el BaradeiFotografi: picture-alliance / dpa

Në mosmarrëveshjet për programin bërthamor në mes të Iranit dhe bashkësisë ndërkombëtare janë shënuar lëvizje. Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, Mohamed el-Baradei, në bisedimet e zhvilluara në fundjavë (3/4.10.) arriti të bindë palën iraniane që të lejojë inspektimet në impiantin e dytë iranian për pasurimin e uraniumit. Ekzistencën e këtij impianti Irani e pranoi para pak kohësh gjatë bisedimeve gjashtëpalëshe në Gjenevë. Presidenti amerikan Barack Obama ka vlerësuar se impianti i ndërtuar në një kodër në afërsi të qytetit Ghom është në mospërputhje me një program të pastër paqësor atomik. Pas kësaj deklarate u shtua presioni ndërkombëtar për ashpërsimin e sanksioneve kundër Iranit. Pas bisedimeve me shefin e Agjencisë atomike iraniane, Ali Akbar Salehi, në Teheran Mohamed el-Baradei tha të dielën (4.10.):

"Në këshillimet me Dr. Salehin ne u pajtuam që inspektorët tanë të vijnë me 25 tetor në Ghom. Unë shpresoj dhe besoj që Irani do të tregojë transparencë sa më të mundshme, në mënyrë që ne të japim sa më shpejt që të jetë e mundur vlerësimin tonë për impiantin".

Iran / Atom / ElBaradei
Drejtori i agjensisë ndërkombëtare atomike, Mohamed ElBaradei, duke u larguar nga aeroporti i Teheranit, 3 tetor 2009.Fotografi: AP

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, Mohamed el-Baradei ka sqaruar para pak kohësh se nuk ka "dëshmi bindëse" që Irani është duke punuar aktualisht për zhvillimin e armëve bërthamore. Megjithatë ai ka pranuar pas bisedimeve në Iran se "edhe më tej janë të pranishme shqetësimet lidhur me qëllimet e Iranit" dhe kjo nuk është çështje e inspektimeve. "Bëhet fjalë për rikthimin e besimit andaj ne po zhvillojmë bisedimet gjashtëpalëshe", tha Baradei. Ai i cilëson bisedimet në Teheran dhe arritjen e marrëveshjes për inspektimet si kontribut të angazhimit të tij diplomatik për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve me Iranin.

"Ky është një zhvillim pozitiv. Unë kam qenë gjithnjë i mendimit se çështja e programit bërthamor iranian mund të zgjidhet vetëm përmes rrugës së dialogut dhe diplomacisë. Ka vite që unë e përfaqësoj këtë mendim se ne kemi nevojë për transparencë nga ana e Iranit dhe bashkëpunim nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Ne tani kemi arritur në një pikë vendimtare, ku nga konfrontimi kalojmë në bashkëpunim dhe transparencë".

Uraniumi mund të pasurohet jashtë vendit

Në Teheran është diskutuar edhe për transportimin e mundshëm të uraniumit të pasuruar dobët nga centrali bërthamor i Natanit jashtë vendit, bëhet fjalë në këtë mes për Rusinë. Atje uraniumi do të mund të pasurohej edhe më shumë dhe të kthehej sërish në Iran. Bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë më 19 tetor në Vjenë, gjashtë ditë para mbërritjes së inspektorëve ndërkombëtarë në Ghom. Sidoqoftë Irani vazhdon të refuzojë me këmbëngulje kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare që të heqë dorë nga pasurimi i plotë i uraniumit në vend.

Ndërkohë këshilltari për çështje të sigurisë i presidentit amerikan Barack Obama, Jim Jones, ka hedhur poshtë si të pabazë një njoftim të gazetës "Nju Jork Times" lidhur me aftësitë e Iranit për të prodhuar bombën atomike. Gazeta bazohet në të dhëna jozyrtare të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, ku thuhet se Irani është më afër prodhimit të bombës atomike, se sa është menduar deri tani. Jones tha se aftësitë iraniane për prodhimin e bombës atomike janë në njëfarë mase spekulative. Qeveria amerikane është përqëndruar në qëllimet e Iranit dhe ato japin shkas për shqetësim. Sido që të jetë kemi të bëjmë ende me një Iran, që është i gatshëm të ulet në tryezën e bisedimeve, tha për televizionin amerikan këshilltari për çështje të sigurisë i presidentit Obama.

Autor: Hans Spross/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica