1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Emigracioni shqiptar në Greqi entuziast për Papandreun

14 Tetor 2009

Masat e para të socialistëve grekë dhe të kreut të tyre Jorgos Papandreu po priten me entusiazëm nga shoqëria greke. Pjesë e këtij entusiazmi duket se janë edhe krijuesit e imigracionit shqiptar

https://p.dw.com/p/K63u
Ceremonia e prezantimit të qeverisë s ë re grekeFotografi: AP

Njerëzit e letrave të imigracionit shqiptar presin bashkë me ndryshimin e Greqisë një fat të ri dhe për imigrantët

Duke bërë realitet premtimet elektorale, socialistët grekë të porsaardhur në pushtet po ndërmarrin hapa të tillë, që sjellin një frymë dhe praktikë të re politike dhe gjejnë jehonë të gjerë në shoqërinë greke. Me entusiazmin, që lindin masat për një shtet të ri miqësor ndaj qytetarit, transparencë dhe meritokraci po flitet akoma dhe për “revolucione të vogla” të kreut socialist Papandreu. Pjesë e këtij entusiazmi janë edhe njerëzit e letrave të imigracionit shqiptar, që presin bashkë me ndryshimin e Greqisë një fat të ri dhe për imigrantët me gjithë rezervat, që u imponon përvoja e jetës, siç shprehet fillimisht në DW publicisti Gazmend Kapllani: “Është shumë shpejt të themi, nëse po ndryshon Greqia, se një vend nuk ndryshon kaq shpejt. Rëndësi ka që Papandreu është i etur për të qeverisur dhe Greqia vjen nga një periudhë joqeverisëse pothuajse gjashtëvjeçare. Që andej e tutje do të shohim se historia e Greqisë është plot me politikanë, që kishin qëllime shumë të mira, por në fund nuk arritën të bëjnë dot gjë”.

Papandreu popullor mes emigrantëve

Po për imigrantët, cila është ajo që do të sjellë ndryshimin? “Papandreu është shumë popullor mes imigrantëve sidomos për qëndrimin e tij përsa i përket dhënies së nënshtetësisë fëmijve të lindur të imigrantëve në Greqi, ose atyre që kanë ardhur shumë të vegjël në Greqi. Nga ana tjetër besoj se shumë imigrantë e kuptojnë se sa më pak që të ndjehet i huaj vetë qytetari grek ndaj shtetit të vet, aq më pak do të shohë të huajin edhe imigrantin si armik edhe si kundërshtar”.

Shpresë për zbutjen e marrëdhënieve ndërmjet vendasve dhe pjesës tjetër të shoqërisë greke.

I këtij mendimi është edhe prozatori Leon Lekaj, që sheh “një përmbysje të thellë të praktikave të vjetra”, në qoftë se shprehja “revolucionet e vogla”, që lindi entusiazmi dhe etja për ndryshim, “do të jetë vërtetë e tillë”: Mendoj që kjo politikë novacionesh, me moto të saj “mbi të gjitha qytetari”, e propaganduar nga kreu i Pasokut, Zoti Papandreu, do të zbusë ndjeshëm marrëdhëniet nëpërmjet vendasve dhe pjesës tjetër të shoqërisë greke. Do të bëjë që ajo masë imigrantësh, e cila deri dje ndjente mbi supet e saj peshën e një pasigurie për të ardhmen e familjeve të tyre, të ingranohet plotësisht në shoqërinë vendase. Rishikimi total i ligjeve, dhënia e nënshtetësisë për të gjithë fëmijët e emigrantëve të lindur në tokën greke, apo e të gjithë atyre, që kanë plotësuar kushtet, si dhe integrimi direkt i të huajve në politikën greke, janë premtime vërtet për t'u admiruar. Materializimi i tyre do të marrë trajtën e një forcë e madhe transformuese dhe progresi për demokracinë greke.

" Kam bindjen se që prej çastit, kur një imigranti do t’i jepet e drejta për të votuar, raportet do të përmbysen tërësisht dhe zëri i tij do të ndihet më tepër. Sidoqoftë, gjithçka mbetet e varur, në pritje që premtimet të bëhen realitet”.

Poeti Luan Xhuli, me vëllime poetike edhe në gjuhën greke, shprehet më i sigurtë për ndryshimin: “Binomi politik Papandreu-qeveri, që doli nga këto zgjedhje si një burim i ri energjik, duket se është shprehësi më autentik i një nevoje të thellë shoqërore për ndryshim. Papandreu, për mendimin tim, nuk është një udhëheqës i rastësishëm. Vjen nga korentet politike brënda dhe jashtë partisë, që vetëm largpamësia dhe kultura e tij politike i dhanë notën e mirëbesimit popullor. Të ftosh Obudsmanin në premierën qeveritare për tu bërë një “semirar” publik ministrave për marrëdhëniet shtet-qytetar, siç bëri Papandreu, përbën një nga aktpiketimet më të zgjuara të një politikani dhe kabineti shpresëdhenës. Jo vetëm që ushqeu ajer të ri shpresash, por në të njëjtën kohë filloi të mbyllë hendeqe të thella lidhjesh me popullin, që demokratët e dikurshëm i lanë si vdekje pa përkujtimore.”

Si u përgjigjet poeti shqiptar i imigracionit zërave që tërheqin vëmendjen se po kultivohen aspirata të tepruara?

Si njeri i letrave u përkas atyre që nuk u besojnë çudirave por që rrëmbehen nga entusiazmi dhe shpresa që lindin idetë novatore. U përkas atyre që u thonë skeptikëve na lini të gëzojnë dhe mos paragjykoni zhgënjimin, se Papandreu tek e fundit është një politikan risku me vizion evropian, që sfidën e shikon si shans. Qofsha unë i gabuar, veç kam një ndjenjë të tillë vlerësimi për Papandreun e ri, sa pa frikë do ta thoja se për Greqinë dhe Ne që jetojmë këtu, do të konturojë një epope të re që do ta quamë si epoka e Tij, shumë më e ndryshme dhe me vlera më të mëdha nga ajo e të jatit..!”

Në këtë kontekst ajo çka u shkon për shtat bashkatdhetarëve të tij të kujton shprehjen “jemi realistë, aspirojnë të pamundurën”.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica