1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Emigrantët evropianë preferojnë CDU-në, emigrantët nga Evropa Juglindore SPD-në

12 Shtator 2009

Më tepër se katër milionë zgjedhës me sfond emigracioni kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e sivjetshme për parlamentin që zhvillohen më 27 shtator 09. Por cilat janë preferencat e tyre zgjedhore?

https://p.dw.com/p/JdeZ
Logo e fushatës elektorale
Logo e fushatës elektoraleFotografi: DW-Montage

Në rast se në zgjedhjet e ardhshme për Bundestagun do të shkonin vetëm emigrantë që kanë marrë nënshtetësinë gjermane, atëhere koalicioni konservator i përbërë nga CDU/CSU do të fitonte 10% vota më pak, kurse SPD do të fitonte 3% vota më tepër. Në këtë përfundim arrin një studim i Dr. Andreas Wüst, punonjës pranë katedrës për studimin e krahasuar të sjelljes së elektoratit në Universitetin e Mannheimit.

Në rast se sasia e të dhënave do të ishte më e madhe, atëhere do të ishte e mundur të bëheshin përcaktime edhe më të hollësishme në lidhjen me qëndrimin e grupeve të ndryshme të emigrantëve. Në bazë të të dhënave të deritanishme mund të bëhet një ndarje në dy grupe të mëdha:

"Në Gjermani kemi nga njëra anë ata që kanë ardhur në Gjermani nga vende të tjera, sepse kanë prejardhje gjermane, dhe nga ana tjetër punëtorët nga Turqia dhe Evropa Juglindore. Këto dy grupe dallojnë nga njëri-tjetri sa u përket preferencave zgjedhore.“ - thotë Dr. Wüst.

Studimi është pjesë e një studimi me bazë evropiane. Në kuadër të këtij studimi në Gjermani u intervistuan 1.000 persona, tek të cilët sfondi i emigrantit ishte përcaktuar në bazë identifikatorësh, pra pyetjesh të ndryshme, -. sqaron Dr. Wüst.

Sipas Andreas Wüst, i cili ka disa vite që merret me preferencat elektorale të personave që kanë marrë nënshtetësinë gjermane, edhe në studimin aktual na paraqitet e njëjta pamje si nga sondazhet e zhvilluara para 7 apo 10 vjetësh:

"Ne kemi një model të qartë: të riatdhesuarit dhe pasardhësit e atyre që kanë prejardhje gjermane votojnë për CDU/CSU, pra për kampin konservator. Nga ana tjetër emigrantët e huaj dhe pasardhësit e tyre parapëlqejnë partitë e majta dhe në këtë mes në radhët të parë sozialdemokratët.“

Megjithatë këto preferenca nuk janë të gdhendura një herë e përgjithmonë. Përfundimet e anketimeve tregojnë se automatizimi i dikurshëm që të riatdhesuarit votonin për CDU/CSU-në ka rënë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për grupin tjetër të migrantëve, pra që ata nuk janë më një bazë e sigurt votash për SPD-në.

Në radhët e emigrantëve nuk janë aq të spikatura modelet klasike sipas së cilave ata që kanë biznes privat kanë prirje të votojnë për CDU/CSU apo për liberalët FDP, ndërsa punëtorët dhe të punësuarit priren nga SPD-ja. Parapëlqimet e migrantëve lidhen më tepër me politikën e secilës parti kundrejt këtyre dy grupeve, sqaron Wüst. CDU/CSU ndoqën një politikë pro ardhjes në Gjermani të atyre që kishin prejardhje gjermane, për këtë ky grup preferon konservatorët.

Nga ana tjetër kemi „gastarbajterët“ – dhe qëndrimin dashamirës të SPD dhe Ekologjistëve ndaj tyre dhe të huajve, që luajnë një rol të madh në këtë mes. Po ashtu shumë migrantë janë anëtarë të sindikatave, të cilat kanë lidhje të gjata dhe të afrëta me socialdemokratët.

Sipas studimeve të Wüstit përveç preferencave në radhët e migrantëve me nënshtetësi gjermane ka edhe antipati të qarta. P.sh. distanca ndaj CDU/CSU-së është tepër e madhe, gjë që lidhet nga njëra anë me politikën e rezervuar të këtyre partive ndaj të huajve dhe nga ana tjetër edhe me faktin se këto parti kanë që në emrin e tyre fjalën "kristian", gjë që ua bën të vështirë sidomos myslimanëve që të votojnë për këtë parti. Në vende të tjera ka sipas tij parti konservatore që ofrojnë mundësi për të votuar për konservatorët.

Sa i përket pjesëmarrjes në votime nuk ka ndonjë dallim mes zgjedhësve që kanë marrë nënshtetësinë gjermane dhe zgjedhësve të tjerë. Po ashtu megjithëse grupi i atyre që zgjedhësve që kanë marrë nënshtetësinë gjermane dhe kanë të drejtë të votojnë është në rritje, ata përbëjnë vetëm 6% të elektoratit dhe për këtë nuk janë përcaktuese të përfundimit të zgjedhjeve.

Megjithatë edhe partitë tradicionale janë duke u përpjekur për të fituar sa më tepër vota nga radhët e zgjedhëseve me prejardhje migrantësh. Nëse këto përpjekje sjellin ndonjë gjë, do ta tregojnë zgjedhjet e 27 shtatorit.

Autor: Daphne Grathwohl / Pandeli Pani

Redaktoi: Esat Ahmeti