1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Emisionet e gazrave që shkaktojnë efektin serë nuk po kufizohen

Joachim Schubert-Ankebauer20 Mars 2006

Përqëndrimi i gazrave që shkaktojnë efektin serë ka arritur sipas ekspertëve të OKB-së nivele rekord. Megjithë këto nivele, emisionet e dioksidit të karbonit vazhdojnë të mos shënojnë rënie. Problemin më të madh sipas ekspertëve e përbën fakti që gazrat e çliruar në ajër që janë përgjegjëse për efektin serë vazhdojnë ta ruajnë përqëndmin në atmosferë edhe për 50-100 vjet.

https://p.dw.com/p/ArM7
Hartat që pasqyrojnë përqendrimin e gazrave që shkaktojnë efektin serë
Hartat që pasqyrojnë përqendrimin e gazrave që shkaktojnë efektin serëFotografi: dpa Zentralbild

Ka rreth 30 vjet që në mbarë botën mblidhen dhe përpunohen informacione për efektin serë. Por për herë të parë sivjet, Organizata botërore e meteorologjisë (OBM) i përmblodhi të gjitha të dhënat duke përgatitur edhe buletinin përkatës. Stuhitë e rënda në Evropë, periudhat e gjata të thatësirës në Afrikë apo shkrirja e akullnajave në pole janë dëshmi që i ashtuquajturi efekt i serës ka pasoja të jashtëzakonshme për të gjithë planetin. Ndërkohë që nuk po merren masa për reduktimin sasior të dioksidit të karbonit dhe gazrave të tjerë që shkaktojnë këtë efekt.

Mark Oliver, zëdhënës i OBM-së: "Në vitin 2004 përqendrimi global i gazrave më të rëndësishme që shkaktojnë efektin serë në atmosferën e planetit tonë, CO2, metani apo azoti ka arritur shkallën më të lartë deri tani."

Përqendrimi i gazrave që shkaktojnë efektin serë matet me ppm, pra sasinë e molekulave të këtyre gazrave në një milionë molekula të atmosferës. Në vitin 2004 ky përqëndrim ishte 1,8 ppm, që do të thotë një shtim prej 0,5% në krahasim me një vit më parë. Kjo do të thotë se në 150 vitet e fundit ka pasur një rritje prej 130%, një tendencë e cila vazhdoi edhe në vitin 2005.

Për këtë shkak OBM-ja ka vendosur që të nxjerrë çdo vit një buletin të tillë në mënyrë që politikanët ta kenë të qartë se cilat janë efektet e këtyre gazrave dhe të marrin vendime për pakësimin e emisioneve të tyre.

OBM-ja e kosnideron veten si një organ vëzhgues dhe nuk jep rekomandime politike. Gjithsesi Len Barrie, shef i sektorit të ambientit ka rezervat e veta ndaj këtij qëndrimi:

"Në rast se e dimë që jetëgjatësia e CO2 në atmosferë shkon nga 50-200 vjet dhe që CO2 krijohet prej djegies së fosileve atëhere nuk ka nevojë të jesh ekspert i teknologjisë bërthamore për të marrë vesh,s e ne do të kemi të bëjmë për një kohë të gjatë me këtë problem. Pra edhe në rast se do ta ndërprisnim menjëherë prodhimin e CO2 do të duheshin edhe 50-100 vjet deri sa ne të arrinim në një farë mënyre stadin e periudhës paraindustriale."