1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Epoka e akullit

Cornelia Rabitz10 Janar 2007

Grindja për lëndët e para ndan shtetet vëllezër Rusi dhe Bjellorusi

https://p.dw.com/p/Ar9E
Vladimir Putini di te diktoje rregullat e lojes kundrejt Minskut
Vladimir Putini di te diktoje rregullat e lojes kundrejt MinskutFotografi: AP

"Drushba", miqësia dikur e njohur midis Minskut dhe Moskës ka marrë fund hë për hë. Grindja për çmimet e naftës dhe gazit, për tubacionet dhe doganat i ka ndarë Rusinë dhe Bjellorusinë, ndërkohë flitet për armiqësi midis vëllezërve.

Nuk lejojmë të na frikësojnë dhe nuk do të heqim dorë nga sovraniteti ynë, thuhet në Minsk. Presidenti Aleksandër Lukashenko:

"Burimet nuk duhen përdorur si mjet për shantazhimin e popullit tonë. Prandaj i mbroj me vendosmëri interesat e popullit. Ne e bëjmë këtë në formë të civilizuar dhe mbi bazën e së drejtës. Arritjet e sotme do t'i mbroj me të gjitha forcat. Ne duhet t'i zgjidhim me vendosmëri problemet që kemi përpara."

Dhe marrëdhëniet kishin filluar aq mirë: Në vitet nëntëdhjetë, ende nën presidentin e atëhershëm Boris Jelcin dhe Lukashenkon që sundon ende sot, iu premtua njëri-tjetrit besnikëri e pathyeshme. Dy vendet donin të formonin një shtet të përbashkët - me struktura të përbashkëta, monedhë të përbashkët, e përbashkët do të ishte ndoshta edhe politika jashtme dhe ajo e sigurisë. Disa përkrahës së idesë kishin vizionin që në fund të rilindte një Bashkim Sovjetik i ri.

Por kjo ide nuk përparoi shumë. Që prej ardhjes së Vladimir Putinit në Kremlin është bërë e qartë një gjë: Rusia kërkon rolin udhëheqës në këtë aleancë. Presidenti bjellorus nga ana tjetër foli për barazi, por me këtë donte të thoshte se udhëheqja i takonte vetëm atij. Pohimi i miqësisë u kthye në fjalë sa për të larë gojën. Që nga ajo kohë gjërat u dukën si një luftim midis Davidit dhe Golias.

Sepse mosbalancimi midis dy shteteve është i dukshëm. Rusia ka rreth 143 milionë banorë, Bjellorusia dhjetë milionë. Rusia është vendi më i madh i rruzullit me një sipërfaqe prej më shumë se 17 milionë kilometrash katrorë. Bjellorusia nga ana tjetër zotëron vetëm 208.000 kilometra katrorë. Fuqia ekonomike e Rusisë është shumë herë më e madhe sesa ajo e Bjellorusisë. Bjellorusia varet nga livrimet e naftës prej Rusisë dhe nga eksportet drejt Rusisë. Sipas një studimi të Bankës Botërore përpunimi i lëndëve djegëse dhe i naftës përbën thuajse një të tretën e prodhimit industrial bjellorus. Produktet e naftës përbëjnë pjesën dërrmuese të eksporteve në Bashkimin Evropian.

Edhe raporti i popullit me presidentët respektivë flet për të gjitha: Aleksandër Lukashenko quhet në gjuhën e popullit "Batka", "Babëlok". Krejt ndryshe Putini: Për të thuhet se parapëlqen ta thërrasin "Vozd", "Udhëheqës".

Për njëfarë kohe modeli Lukashenko i një shteti autoritar, neosovjetik me ekonomi plan dhe me ndërmarrje të subvencionuara nga shteti ishte tërheqës për fqinjin rus. Qëkurse në Rusi sundon dollari, qëkurse shpresat varen tek biznesi i madh energjetik me Evropën, qëkurse pa mbarim nuk rrjedhin vetëm nafta dhe gazi, por edhe paraja gjërat kanë ndryshuar. Tani Bjellorusia duket parapa bote dhe jotërheqëse.

Zëvendësministri rus Andrej Sharonov tregohet i sigurt në vete dhe kërcënon:

"Nuk jemi të gatshëm të negociojmë; vetëm atëherë kur Bjellorusia të heqë çmimet e kalimit tranzit të naftës ruse, të rritura ilegalisht. Nuk duhet harruar që Rusia është tregu më i madh i shitjeve për Bjellorusinë. Ne kemi mundësitë për të marrë masa kundër prodhuesve bjellorusë."

Nga ana tjetër në Bjellorusi, ku ngulmojnë se janë kombi "i vërtetë" sllav, ruajnë traditat e mira nga koha sovjetike dhe transformimi shoqëror as që sillet në mend, Rusia kritikohet sot gjothmonë e më shpesh si çerdhe e imoralitetit kapitalist, e prostitucionit dhe e rrënimit.

Dhe derisa Rusia - pavarësisht kritikës nga Perëndimi - mund të besojë në mbështetjen e Evropës dhe veçanërisht të Gjermanisë, Bjellorusia e Lukashenkos ka zënë vendin e fëmijës së ndotur në periferinë e Bashkimit Evropian. Solidaritet me Bjellorusinë - në Brukseli është i rezervuar ndaj kësaj.

Aq më shumë përpiqet të qetësojë popullsinë me parrulla rezistence media shtetërore bjelloruse. Gazetat shtetërore titullojnë "Rubla bjelloruse mbetet stabile", "Nuk ka panik në pikat e furnizimit" apo "Rritjet e çmimeve nuk do të kenë efekt tek të ardhurat."

Njerëzit në rrugët e Minskut reagojnë në mënyra të ndryshme:

"Nuk di se si ta quaj këtë."

"Kjo është e padrejtë."

"Oligarkët vendosin dhe ne vuajmë prej vendimeve."

"Duhet ecur me ligjet e ekonomisë së tregut."

"Besoj se rusët e kanë gabim."

"Nuk e di përse sillet kështu Rusia."

"Secili ka parimet e veta, Rusia dhe Bjellorusia."

Pavarësisht grindjes - i përbashkët është qëndrimi i Rusisë dhe Bjellorusisë në temën e të drejtave themelore dhe të njeriut. Në të dyja vendet është shumë e kufizuar liria e shtypit, në të dyja nuk ka opozitë që të veprojë e lirë e pa u penguar. Në të dyja vendet diskriminohen dhe përndiqen organizatat joqeveritare.