1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erëra të forta drejt Donald Trumpit

5 Shkurt 2017

Një gjykatës federal në Uashington shfuqizoi me dekret ndalimin e udhëtimit në SHBA për myslimanët nga 7 vende, të vendosur nga Trump. Por ky shfuqizim nuk është i vetmi hall me të cilin përballet Donald Trump.

https://p.dw.com/p/2WySU
Indianapolis Ankunft Donald Trump Wind
Fotografi: Reuters/M. Segar

Gjykatësi federal James Robart në shtetin Uashington, të qeverisur nga demokratët e ndali me dekret vendimin e presidentit, Donald Trump për ndalimin e udhëtimit në SHBA të myslimanëve nga 7 vende të përzgjedhura. Gjykatësi në Seattle e pa si të vërtetuar dëmin e pariparueshëm që krijohet, nëse vazhdon të mbetet në fuqi vendimi i Trumpit. Vendimi i tij vlen për sa kohë nuk është marrë vendimi përfundimtar për ankimimin e prokurorit të përgjithshëm të shtetit federal, Uashington, Bob Fergusson. Sipas Fergusson dekreti i Donald Trump bie ndesh me të drejtat bazë të ankoruara në Kushtetutën Amerikane për emigrantët dhe familjet e tyre, sepse ky dekret drejtohet veçanërisht kundër myslimanëve.

Ndezja e një debati juridik

Vendimi i gjykatësit federal do të thotë se pezullimi i vizave të lëshuara ndërkohë është i pavlefshëm, dhe se viza sërish të jep të drejtën të hysh në SHBA. Lidhur me këtë problematikë po zhvillohen procese gjyqësore edhe në shtete të tjera federale, gjë që nënkupton që kuadri ligjor mund të ndryshojë sërish - kjo edhe për faktin se Shtëpia e Bardhë menjëherë ka bërë të ditur kundërpadinë. Zëdhënësi i qeverisë, Sean Spicer njoftoi se se vendimi i gjykatësit James Robart është "zemërues” dhe do të kundërshtohet menjëherë. Shtëpia e Bardhë në një deklaratë e quajti gjithsesi të vlefshme nga ana ligjore urdhrin ekzekutiv të presidentit.

Reagojnë shoqëritë e fluturimit

Megjithë kritikën e fortë të administratës Trump për vendimin në Seattle, qeveria amerikane duket se po tërhiqet. Sipas një raportimi të „New York Times", ajo ka udhëzuar shoqëritë e fluturimit në një konferencë telefonike të mos ndalojë më gjatë pasagjerët e prekur nga urdhri ekzekutiv për udhëtimin. Këtë e raportoi edhe „Washington Post". Shoqëritë e para të fluturimit i tërhoqën paralajmërimet nga faqet e internetit për klientët e tyre, ndër to, American Airlines, Air France, Qatar Airlines.

Protesta e demokratëve kundër Bannon

Por jo vetëm ndalimi i udhëtimi i shkakton kokëçarje presidentit të ri. Në një letër të 50 deputetëve demokratë drejtuar presidentit, Donald Trump protestohet kundër emërimit të kryestrategut ultradjathtist, Stephen Bannon në Këshillin Kombëtar të Sigurisë. "Siguria kombëtare nuk duhet të bëhet kurrë viktimë e politikës partiake”, thuhet në letër-protestën e anëtarëve të kongresit. Ata i bëjnë thirrje Trumpit të korrigjojë degradimin e drejtorit të shërbimit sekret amerikan dhe kreut të shtabit të përgjithshëm të bashkuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Ndikimin e tij Trump e kufizoi njëkohësisht me emërimin e Bannon si anëtar të përhershëm të kësaj instance. Stephen Bannon, është një nga njerëzit më të afërt të presidentit, Donald Tump. Ai ka qenë drejtues i një platforme në internet "Braitbart News” e kritikuar për afrinë me Ku-Klux-Klan, nacionalistët e bardhë dhe antisemitizmin e saj. Bannon nuk ka asnjë përvojë në fushën e politikës së jashtme. Por Trump e argumentoi emërimin e Bannon me synimin për ta bërë "më  pak burokratik” këshillin dhe të jetë i orientuar t'i japë presidentit ato informacione të shërbimeve sekrete, të cilat janë të nevojshme.