1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erdogani kërkon diskutim për rifutjen e dënimit me vdekje

AUD (dpa, dw) 18 Korrik 2016

SHBA kanë paralajmëruar qeverinë turke të mos e teprojë me masat pas përpjekjes për grusht shteti, sa të vërë në dyshim synimet demokratike të masave. Kerry kërkoi dëshmi për përfshirjen e Gylenit në grushtin e shtetit.

https://p.dw.com/p/1JQXp
Recep Tayyip Erdogan Beerdigung Türkei Istanbul
Fotografi: Reuters/A.Konstantinidis

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan deklaroi se do të diskutojë me partitë opozitare në Parlament për mundësinë e rifutjes së dënimit me vdekje, për ata që morën pjesë në përpjekjen e dështuar për grusht shteti. "Në një demokraci, ti nuk mund t'i injorosh kërkesat e popullit", tha ai të dielën duke iu referuar thirrjeve të mbështetësve të tij për të përdorur dënimin me vdekje. Dënimi me vdekje nuk është zbatuar në Turqi që në vitin 1984 dhe u hoq në vitin 2004.

Ndërkohë në Turqi kanë vazhduar arrestimet. Komandanti i bazës ajrore Incirlik në jug të Turqisë që përdoret nga ushtria e SHBA, nga ushtria gjermane e aleatë të tjerë është midis 6000 pjesëtarëve të ushtrisë dhe sistemit gjyqësor turk që janë ndaluar nga qeveria.

Qeveria turke e akuzon gjeneralin Bekin Ercan Van se ka bashkëpunuar në përpjekjen për grusht shteti të javës së fundit që deri tani ka kërkuar jetën e 290 vetëve.

Veç kësaj u arrestuan edhe dhjetë ushtarë, duke përfshirë edhe një oficer në bazën ajrore. Kjo bazë ajrore përdoret nga SHBA dhe shtetet aleate për të ndërmarrë sulme kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe në Irak. Të shtunën baza u mbyll, për t'u rihapur vetëm të dielën në darkë.

"Pas një koordinimi të ngushtë me aleatët tanë turq, ata e rihapën hapësirën e tyre ajrore për avionët luftarakë", tha zëdhënësi i Pentagonit Peter Cook. Erdogani ka kritikuar në mënyrë të përsëritur armikun e tij, Fethullah Gylen, një predikues që jeton në SHBA se qëndron pas përpjekjes për grusht shteti. Por Gyleni e ka mohuar këtë. "Si dikush që ka vuajtur nën disa grushte shteti ushtarake në pesë dekadat e fundit, është veçanërisht fyese të akuzohesh se ke ndonjë lidhje me një përpjekje të tillë", tha Gyleni në një deklaratë. "Unë nuk i pranoj në mënyrë kategorike akuza të tilla".

Erdogani kërkon ekstradimin e Gylenut, por Uashingtoni thotë se do ta bëjë këtë vetëm po t'i japin dëshmi konkrete kundër predikuesit. Ndërkohë, SHBA dhe aleatët e tjerë po i kërkojnë Erdoganit që të mos e teprojë me masat e rrepta që po merr pas dështimit të përpjekjes për grusht shteti. "Kërkuam me këmbëngulje prej tyre që të mos shkojnë kaq larg sa të krijojnë dyshime për angazhimin e tyre për procesin demokratik", tha sekretari i shtetit i SHBA John Kerry gjatë një programi televiziv të lajmeve të mëngjesit në SHBA

Kerry tha se ai nuk ka dëshmi se Gyleni ndodhet pas grushtit të shtetit, por i kërkoi me këmbëngulje Turqisë që të ofrojë dëshmi për këtë, nëse e ka, sa më shpejt që të jetë e mundur.