1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erler: Shqipëria duhet të punojë ende për përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve

1 Korrik 2009

Ministri gjerman i shtetit, Gernot Erler, mendon se cilido qoftë rezultati përfundimtar e rëndësishme do të jetë që i munduri ta njohë fituesin.

https://p.dw.com/p/If0q
Gernot Erler
Gernot ErlerFotografi: Anila Shuka

Vlerësimi i ministrit gjerman të shtetit, Gernot Erler, ndaj procesit zgjedhor në Shqipëri është i dyzuar: "Ndoshta nota që mund t'i jepet Shqipërisë për këto zgjedhje duhet ndarë," - tha ai në një intervistë për programin shqip të Deutsche Welles. Eksperti për Evropën Juglindore u referohet raporteve të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët vlerësojnë nga njëra anë se procesi i zgjedhjeve dhe i numërimit ishte paqësor dhe pa incidente të mëdha, por në anën tjetër ai vë në dukje edhe kritikë e ushtruar, sidomos me mënyrën e zhvillimit të fushatës zgjedhore: "Në raporte thuhet se është ushtruar presion ndaj sektorit publik dhe se për fushatën zgjedhore janë përdorur para publike. Kjo do të thotë se ky prezantim nuk është në përputhje me të gjitha kriteret dhe kërkesat dhe se edhe në të ardhmen duhet të vazhdohet puna në këto tema."

Nisur nga diferenca tepër e ngushtë e votave mes dy kampeve kryesore, Erler parashikon më tej se koalicioni qeveritar që do të dalë nga zgjedhjet nuk do të jetë kurrsesi i rehatshëm. "Një mazhorancë me bazë të ngushtë do të kërkojë një disiplinë të fortë në mënyrë që qeveria të punojë me vazhdimësi. Kjo mund të argumentohet shumë mirë me synimet e mëdha që ka Shqipëria: pas anëtarësimit në NATO vjen procesi i integrimit në BE, i cili duhet të ecë përpara," - tha Erler.

Një provë e re për Shqipërinë do të jetë tani qëndrueshmëria e rezultatit të zgjedhjeve dhe puna e qeverisë së ardhshme, shtoi politikani socialdemokrat. "E tëra kjo ishte një lloj prove për Shqipërinë dhe pamja rezulton e përzier. Por shumëçka do të varet edhe nga ajo, nëse do të jetë në gjendje Shqipëria të krijojë një qeveri funksionuese. Me rëndësi vendimtare do të jetë, nëse do ta njohin të mundurit mazhorancën, apo do ta vënë atë në pyetje. Unë shpresoj që vendi në këtë pikë të na dërgojë një sinjal pozitiv, duke e pranuar rezultatin e zgjedhjeve, nisur dhe nga numri i madh i vëzhguese ndërkombëtarë. Kjo do të ishte shumë e rëndësishme për rrugën e Shqipërisë në të ardhmen, përfundon ministri shtetit Gernot Erler në intervistë me Deutsche Wellen.

Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Pandeli Pani