1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

070311 Chirac Prozess

7 Mars 2011

Në Francë një presidenti do t'i duhet të përgjigjet për herë të parë para gjyqit. Ish-presidenti Zhak Shirak akuzohet se si kryetar i bashkie i Parisit ka punësuar pa të drejtë miqtë e tij.

https://p.dw.com/p/10Uhs
Zhak Shirak, ish-kryetar bashkie i Parisit dhe ish-president i FrancësFotografi: AP

Po të dëgjosh gjykatësit hetues, atëherë i bie që Bashkia e Parisit, në 18 vitet në të cilat Shiraku ka qenë kryetar bashkie, të ketë qenë një parajsë për drejtues projektesh të të gjitha llojeve. 481 punonjës me këtë titull dhe me paga të mira kanë qenë punësuar, midis tyre nipi i gjeneralit Çarls de Gol.

Para gjyqit tani diskutohet për 21 vende të tilla pune: bashkëpunëtorët në fjalë besohet se kanë qenë luftëtarë me merita të partisë së Shirakut, ose se kanë përgatitur fushatën elektorale presidenciale të kryetarit të tyre të bashkisë. Paditësi i parë ishte aktivisti i të drejtave të njeriut, Pier Alen Brosso: "Për mua ishte punë parimi. Nuk është lufta ime personale kundër Zhak Shirakut, është diçka parimore."

Sepse dëmi për arkën shtetërore të Parisit, sipas gjykatësve hetues është deri pesë milionë euro. Shiraku nga ana e tij është përbetuar gjithmonë për pafajësinë e tij. Kur ishte ende president i shtetit, ai u përpoq që akuzat ndaj tij t'i quante qesharake. Pyetjes për shembull, nëse hetuesit dikur do të fillonin të flisnin për më pak para, ai iu përgjigj: "Shumat nuk do të pakësohen, ato do të avullojnë."


Procesi penal kundër Shirakut - pas dy dekadash

Bertrand Delanoë, Bürgermeister von Paris
Kryebashkiaku i Parisit Bertrand DelanoëFotografi: picture-alliance/ dpa

Në fillim të këtij viti megjithatë, partisë pasardhëse të RPR, UMP dhe vetë Shirakut iu desh të kthenin më shumë se 2 milionë euro në arkën e qytetit të Parisit. Kjo e gëzoi shumë kryetarin e Bashkisë, socialistin Bertrand Delanoë: "Dëshiroj që kjo të mbahet mend nga qytetarët e Parisit: këto vepra kanë ndodhur dhe dëmi u desh të zëvendësohej. Mua aq më bën se çfarë do të kërkojnë avokatët tani. Unë nuk njoh ndonjë të akuzuar, i cili të jetë i detyruar të paguajë 2,2 milionë euro zhdëmtim, kur nuk ka bërë gjë."

Megjithatë, tani do të zhvillohet procesi penal kundër Shirakut - pas dy dekadash, sepse në 12 vitet kur ishte presidenti i Francës ai gëzonte imunitet. Por meqenëse qyteti i Parisit pas kthimit të parave e tërhoqi padinë e tij, nuk ka as të akuzuar, as akuzë, sepse as prokurori nuk e donte këtë proces gjyqësor. Por krahas Prokurorit, në Francë ekzistojnë edhe gjykatësit hetues, dhe ishin ata që në fund të fundit u kujdesën që të zhvillohet procesi gjyqësor kundër Shirakut dhe nëntë të akuzuarve të tjerë. Ish-presidentin e Francës e kërcënojnë për shkak të shpërdorimit 10 vjet arrest dhe 125 mijë euro dënim me gjobë.

Shumë më interesante për mediet franceze megjithatë është çështja nëse Shiraku do t'ia dalë deri në fund procesit gjyqësor. Për 78 vjeçarin thuhet se herë pas here ka shkëputje nga realiteti madje është folur edhe për Alzheimer. Konsiderohet e sigurt, se Shirakun avokatët e tij do ta mbrojnë mirë katër javët e ardhshme nga pyetjet e gjykatës dhe para së gjithash të medieve.

Autor: J. Duchrow / A. Dodi

Redaktoi: V.Filaj-Ballvora