1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Eshtë çnjerëzor, por është ligji!"

Alkyone Karamanolis28 Maj 2005

Ka ardhur koha për reformimin e së drejtës së migrimit në Greqi

https://p.dw.com/p/ArEI

Ata u shfaqën për herë të parë në Athinë në fillim të viteve '90: figura mjerane që kur i pyesnin për statusin e qëndrimit përgjigjeshin se ishin turistë shqiptarë. Në fakt ata ishin larguar nga Shqipëria gjatë luftës në Jugosllavi dhe mbetën në Greqi edhe pasi u skaduan vizat. Emigrantë të tjerë pasuan edhe nga vendet e tjera të ish bllokut lindor si dhe nga vende të botës së tretë, p.sh. nga Iraku apo Bangladeshi. Sot ata janë pjesë e imazhit të qyteteve dhe fshatrave greke. Numri i emigrantëve kap aktualisht shifrën një milion pra rreth 10% të popullsisë së Greqisë e megjithatë ata ende nuk gëzojnë thuajse asnjë të drejtë. Një ligj i ri mbi emigracionin aprovuar në mars nga partia konservatore në pushtet, Nea Dimokratia, pritet t'u vijë tani në ndihmë.

Një lagje e lënë pas dore në qendrën e Athinës. Në sheshin Koumoundourou aty pranë në mes të viteve '90 refugjatë nga Kurdistani patën ngritur një kamp me tenda. Për dy vjet me rradhë ai ishte atdheu i tyre. Administrata e Athinës e zënë në befasi dhe e mbingarkuar nga fluksi i të huajve i la të qetë. Sot gjërat kanë ndryshuar: sheshi Koumoundourou u rinovua në prag të lojrave olimpike dhe kërkesat e emigrantëve përpunohen në një qendër elegante shërbimi. Por disa probleme kanë mbetur.
"Unë kam ardhur këtu për të marrë lejen e qëndrimit"- thotë një emigrant nga Bangladeshi. "Shikoni, kjo është dëshmia që kam dorëzuar të gjitha dokumentat e nevojshëm. Ka kaluar pothuaj një vit por dokumentat ende nuk i kam marrë. Sot kam ardhur për të pyetur edhe njëherë dhe m'u përgjigjën se duhet të kem durim. Por çfarë durimi? Proçedura zgjat aq shumë sa kur më në fund na i japin letrat ato janë afër afatit të skadimit. Seriozisht! Na dorëzojnë leje qëndrimi të cilave u ka mbaruar afati!"
24-vjeçari nga Bangladeshi nuk përbën përjashtim por një rast tipik. Plot një milion të huaj jetojnë në Greqi dhe organizatat jo qeveritare vlerësojnë se tre të katërtat janë të detyruar të qëndrojnë ilegalisht. Mangësitë e mëdha në trajtimin e të huajve nuk mohohen madje as nga instituti shtetëror për studime mbi migracionin. Drejtuesi i tij Aleksandros Zabos bën përgjegjës ligjin ende në fuqi për migracionin të vitit 2001, trashëgimni e partisë socialiste PASOK që u largua nga pushteti në vitin 2004."Ligji që ka qenë deri tani në fuqi është hartuar me shumë nxitim" - thotë Zabos. "Ai krijoi më shumë probleme se sa zgjidhi. Kjo bëhet e qartë edhe nga ndryshimet e shumta që i janë bërë: më shumë se 30 të tilla brenda 3 vjetësh. Prandaj duam një ligj që t'i përgjigjet kërkesave të kohës. Një ligj që të reformojë në mënyrë konstruktive migracionin në Greqi."

Gjatë javëve të ardhshme parlamenti grek i dominuar nga partia konservatore Nea Dimokratia do të votojë mbi një ligj të ri migracioni. Ndër të tjera ai pritet të reduktojë pengesat burokratike. Pritja disa vjeçare për dokumentat e qëndrimit duhet të marrë kështu fund.

Megjithatë kritikët e projekt-ligjit janë të shumtë. Një nga ata është edhe Ivete Jarvis. Ish modelja la ShBA për të ardhur në Greqi në fillim të viteve '80. Sot ajo është e ngarkuara për çështjet e të huajve e partisë opozitare PASOK. Ligji i ri i emigracionit nuk synon integrimin e të huajve që jetojnë këtu thotë ajo. Përkundrazi, ai përpiqet me të gjitha mënyrat të kufizojë në minimum qëndrimin e tyre në Greqi. "150 euro kushton për shëmbull leja e qëndrimit për një vit. Për një leje dyvjeçare duhen paguar 300 euro. Këto janë tarifat më të larta në të gjithë Evropën dhe këtu duhet patur parasysh niveli i ulët i pagave në Greqi. Edhe leja e qëndrimit për të miturit kushton ndërkohë që ata duhej ta merrnin atë automatikisht me të prindërve" - shprehet Jarvis.

Nëse një i huaj kërkon të sjellë familjen në Greqi ai duhet të dëshmojë se ka një të ardhur minimale niveli i së cilës sipas Ivete Jarvis është plotësisht jo realist për punëtorët dhe mëditësit që fitojnë pak. Njëri prej atyre që prej vitesh jeton duke përballuar me vështirësi shpenzimet dhe pa mundësinë për të vënë diçka mënjanë është shqiptari Novruz Habilekaj. Ai tani ka një problem krejt tjetër: mqs ka punuar kryesisht në të zezë nuk mund të përfitojë pension në Greqi. Kur pas dy ose tre vjetësh të lërë punën do t'i duhet të largohet. "Shikoni, djali im jeton në Athinë por ai mund të rregjistrojë këtu vetëm fëmijët e tij. Sipas ligjit grek për të huajt vetëm prindërit dhe fëmijët e mitur konsiderohen familje. Unë si gjysh nuk quhem pjesë e saj. Gruaja ime dhe unë pra do të plakemi larg fëmijëve dhe nipërve tanë. Kjo është çnjerëzore por kështu thotë ligji" - thotë Habilekaj.