1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eshtë përmbushur një prej detyrimeve më të rëndësishme

Stefanie Markert27 Janar 2006

Dhjetë vjet pas provave të fundit nukleare të Francës në Mururoa

https://p.dw.com/p/ArCD
Kërcënimi bërthamor ende i pranishëm
Kërcënimi bërthamor ende i pranishëmFotografi: AP

Në ishujt e Polinezisë Fangataufa dhe Mururoa, Franca në periudhën mes viteve 1966 dhe 1996 ka kryer më shumë se njëqind teste atomike, pjesa më e madhe e të cilave nën tokë. Fushata e fundit e provave u urdhërua nga presidenti Jacques Chirac në vitin 1995. Ajo ndeshi atëherë në protesta të forta ndërkombëtare. Sipas të dhënave të qeverisë franceze provat shërbenin për mbledhjen e të dhënave për simulacione kompjuterike. Pas provës së fundit në fund të janarit 1996 Franca i ndërpreu provat dhe në shtator të të njëjtit vit nënshkroi marrëveshjen për ndalimin e provave atomike me fuqitë e tjera bërthamore. Sot armët atomike dhe doktrina nukleare e Francës modernizohen dhe modifikohen edhe pa nevojën e provave. Që në vitin e parë të mandatit të tij presidencial Jacque Chirac indinjoi botën: ai rifilloi programin e provave bërthamore të ndërprera nën qeverisjen e François Mitterand. Gjashtë herë shpërthyen në nëntokën e Mururoa-s dhe Fangataufa-s bomba bërthamore. Ato duhej të ofronin të dhënat që mungonin për simulimet e ardhshme kompjuterike. Në 29 janar 1996 radioja franceze njoftoi:
"Mirëdita, provat bërthamore franceze në jug të Paqësorit kanë përfunduar, kanë përfunduar me të vërtetë. Kjo është njoftuar personalisht nga Jacques Chirac. Presidenti mendon se ka bërë çfarë duhej të bënte."
Në vitin 1960 Franca me një test të parë në koloninë e saj Algjeri hyri në klubin e fuqive bërthamore. Në dhjetëvjeçarët që pasuan u shpërthyen rreth 200 bomba prove. Një pjesë e tyre disa herë më të fuqishme se bomba e Hiroshimës. Dy ditë pas provës së fundit Chirac shprehet i kënaqur: "Sot në mbrëmje po ju njoftoj ndalimin përfundimtar të provave bërthamore franceze. Falë serisë së fundit të këtyre provave Franca disponon një mbrojtje moderne dhe të sigurtë. Siguria e vendit tonë dhe fëmijëve tanë është e siguruar. Sot ndiej që kam përmbushur një nga detyrat më të rëndësishme të mandatit tim duke i dhënë Francës për dhjetëvjeçarët që vijnë mjetet për pavarësinë dhe sigurinë e saj."
Tani e tutje Chirac do të jetë engjëll i paqes. Në një konferencë për çarmatimin në Gjenevë Chirac deklaron: "Franca ka një pozicion shumë të qartë. Duhet të nënshkruhet sa më parë të jetë e mundur një marrëveshje për ndalimin e plotë të provave bërthamore. Ne jemi të parët që jemi shprehur për opsionin 'zero prova'".
Dhe vërtet: Në shtator të vitit 1996 nënshkruhet marrëveshja për ndalimin e armëve bërthamore. Franca është fuqia e parë atomike që e ratifikon atë. Por marrëveshja deri më sot nuk ka hyrë në fuqi pasi mungojnë disa firma. Në Francë edhe atëherë dy të tretat e qytetarëve nuk ishin të bindur për domosdoshmërinë e provave të reja bërthamore por përdorimi ushtarak dhe civil i teknikës nukleare janë pothuaj konsens kombëtar dhe Mururoa nuk përbën ndonjë temë veçanërisht të ndjeshme. Kështu edhe sot doktrina e ndryshuar e vendit nuk shqetëson askënd. Plot dhjetë vjet më vonë, në një bazë të nëndetësve të tij atomike, Chirac zgjeron tani doktrinën nukleare të vendit të tij: "Kërcënimi bërthamor nuk egziston për të frikësuar terroristët fanatikë. Por ata kryetarë shtetesh që përdorin kundër nesh mjete terroriste dhe të gjithë ata që në një mënyrë ose tjetrën përdorin armë të shkatërrimit në masë duhet të kuptojnë se përgjigja jonë do të jetë e vendosur dhe e përshtatshme. Ajo mund të jetë konvencionale por edhe e një natyre tjetër."
Deklaratat e Chirac-ut në mes të krizës së Iranit kanë ngjallur shqetësim ndërkombëtar. Për këtë arsye gjatë takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel në Versajë pak ditë më parë presidenti Chirac bëri të qartë se: "Kërcënimi nuklear mbetet për ne një sigurim i interesave tanë jetësorë. Ato mund të jenë franceze, europiane apo të një natyre tjetër. Armët bërthamore nuk janë për ne në asnjë rast mjete lufte."
Njerëzit në jug të Paqësorit vuajnë ende sot pasojat e provave bërthamore franceze. Atë çfarë aty quhet "leuçemia polineziane" Franca e nënvleftëson si helmim nga peshku. Në rajonet e përtej detit Parisi e ka blerë qetësinë me një politikë zemërgjerë. P.sh. në Tahiti askush nuk duhet të paguajë tatime mbi të ardhurat. Dhjetë vjet pas Mururoas bota përballet me rreziqe të reja bërthamore. Dhe me deklaratat e tij të fundit presidenti francez nuk ka kontribur në çtendosjen e situatës.