1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EULEX-i dhe gjykatat në veri të Mitrovicës

Bekim Shehu3 Mars 2009

Serbët e Veriut të Kosovës kundërshtojnö përdorimin e vulave të Republikës së Kosovës

https://p.dw.com/p/H4js
Ura e Mitrovicës, KosovëFotografi: Refki Alija

Serbët e Kosovës po pengojnë gjykatësit dhe prokurorët e misionit EULEX, që të zhvillojnë seancat gjyqësore në gjykatat në veri të Mitrovicës. Ata nuk pajtohen që misioni EULEX të pördorë vulat e Republikës së Kosovës. Serbët thonë se misioni EULEX është një mision neutral, që nuk duhet të funksionojë në bazë të ligjeve të Kosovës. Qeveria në Prishtinë nga ana e saj thotë se gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it duhet të veprojë në bazë të Kushtetutës së Kosovës, sepse sistemi kosovar i drejtësië është një sistem unik.

Gjykatësit dhe prokurorët e misionit EULEX tashmë janë vendosur në gjykatat në veri të Mitrovicës. Atyre iu deshën afro tre muaj, që të akomodohen në gjykatat e shkatërruara një vit më parë nga serbët lokalë. Qindra lëndë për gjyq, të cilat nga misioni i UNMIK-ut nuk ishin zgjidhur, tashmë ndodhën në duar të misionit EULEX. Shumë nga këto lendë kanë të bëjnë edhe me krimet e luftës. Yves De Kermabo shef i misionit EULEX, thotë se misioni i tij do të shqyrtojë pa dallim të gjitha veprat penale.

“Ne do të merremi me këto çështje. Në Bashkimin Evropian çështja e të drejtave të njeriut është një referencë shumë e rëdësishme. Brenda misionit EULEX kemi kapacitete, që t'i zgjidhim të gjitha këto çështje. Pra të gjitha rastet çfarëdo qofshin ato, krime ndëretnike, krime lufte, ne do t'i trajtojmë në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës”, thotë Yves de Kermabon.

Grupi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it filloi të shqyrtojë lëndët, të cilat me vite qëndronin në sirtarët e gjykatave në veri, por menjëhërë ata u penguan nga serbët e veriut, të cilët kërkonin që gjykatat në veri të Mitrovicës të sqaronin, se nën çfarë ligjesh ato bazohen për të shqyrtuar veprat penale. Një grup gjykatësish të misionit EULEX në një vendim të tyre të mëhershëm, që liroi një grup shqiptarësh, të cilët dyshoheshin për krim të organizuar, përdorën vulat e Republikës së Kosovës. Kjo nxiti zemërimin e serbëve të veriut të Mitrovicës, të cilët kundërshtojnë perdorimin e vulave të Republikës së Kosovës dhe për pasojë pengojnë edhe punën e gjykatësve të EULEX-it në veri të Mitrovicës. Zyrtarë të këtij misioni thonë se ata do t'i marrin parasysh shqetësimet e serbëve dhe do të përpiqen që të gjejnë një zgjidhje. Por zgjidhje akoma nuk ka. Gjykatësit serbë të veriut të Mitrovicës thonë se për ta është e papranueshme, që prokurorët dhe gjykatësit e EULEX-it të punojnë me ligjet e Republikës së Kosovës, përderisa sipas tyre EULEX është një mision neutral. Shefi i misionit EULEX, Yves de Kermabon, sapo pati marrë mandatin në krye të këtij misioni, pati deklaruar se misioni EULEX është një mision teknik dhe nuk ka të bëjë fare më politikën dhe statusin e Kosovës. Kjo deklaratë, nga analistët në Prishtinë u intepretua si konfirmim se EULEX do të jetë neutral, sa i përket statusit të Kosovës. Por udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thonë se EULEX nuk mund të jetë neutral, sepse madati i tij është që të ndihmojë institucinet e Republikës së Kosovës dhe misioni duhet të respektojë vetëm Kushtetutën e vendit. Nekibe Kelmendi është ministre e Drejtësisë.

"Gjykatat e Kosovës janë gjykata të një sistemi unik të drejtësisë në Kosovë. Kosova është Republikë, shtet i pavarur dhe natyrshëm që në gjykata duhet të përdoren vetëm e vetëm vulat e Republikës së Kosovës", shprehet Nekibe Kelmendi. Në gjykatat në veri të Mitrovicës tashmë janë vendosur gjykatësit dhe prokurorët e misionit EULEX. Ata janë të pakët në numër, por zyrtarët e misionit shpresojnë se shumë shpejt atyre do t´u bashkohen edhe kolegët shqiptarë dhe serbë. Të gjithë punonjësit shqiptarë të gjykatave të veriut që nga 17 marsi i vitit të shkuar punojnë në Vushtri, qytezë kjo afër Mitrovicës. Ata akoma nuk lejohen, që të shkojnë në vendet e tyre të punës në veri të Mitrovicës për shkaqe sigurie. Për mungësë të sigurisë për gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it u ndërpre edhe seanca e parë në Gjykatën e qarkut në Mitrovicë.