1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EULEX-i ka marrë nga UNMIK-u në dorëzim dosjet e krimeve të rënda në Kosovë

17 Gusht 2009

Misioni i BE për Polici dhe Drejtësi, EULEX ka marrë në dorëzim nga UNMIK-u qindra dosje, për krime lufte, terrorizëm dhe krime të tjera të rënda. Zyrtarë të EULEX thonë se janë hapur vetëm disa dosje.

https://p.dw.com/p/JD12
EULEX-i ka hapur deri tani vetëm disa nga dosjet e krimeve të rënda, të trashëguara nga UNMIK-u
EULEX-i ka hapur deri tani vetëm disa nga dosjet e krimeve të rënda, të trashëguara nga UNMIK-uFotografi: picture-alliance/ dpa

Që nga vendosja në Kosovë e misionit të BE-së për polici dhe drejtësi EULEX, të gjitha rastet që kanë të bëjnë me krime lufte dhe rastet e krimeve të rënda trajtohen nga prokurorë dhe gjykatës të misionit EULEX. Këto raste në të kaluarën janë trajtuar nga misioni i Kombeve të Bashkuara UNMIK, dhe asnjëherë nga institucionet e Kosovës. Zyrtarë të misionit EULEX, thonë se ata kanë pranuar nga UNMIK-u dosjet e 200 rasteve, ndërsa presin të marrin edhe qindra dosje të tjera.

Kryetarja e gjykatësve të misionit EULEX, Maria Giuliana Civinini, më herët ka bërë të ditur se këto dosje kanë të bëjnë kryesisht me krime të luftës, krim të organizuar, terrorizëm, por edhe raste të tjera të cilësuara si krime të rënda. Shumica nga dosjet që kanë të bëjnë me krime të ndryshme akoma nuk janë hapur në tërësi nga zyrtarët e misionit EULEX, sepse siç thotë zëdhënësi i këtij misioni, Kristof Lamfalusi akoma nuk janë përmbushur disa kritere.

“Ajo që po bëjnë prokurorët e misionit EULEX është shikimi i të gjitha rasteve, i rasteve të krimit dhe hetimet një nga një. E gjithë kjo për të parë se a ka akoma të dhëna, dëshmitarë të tjerë dhe se a mund të punohet me faktet ekzistuese në këto raste. Pra, misioni EULEX është në procesin e seleksionimit edhe të disa rasteve që tashmë janë marrë nga UNMIK-u”, thotë Kristof Lamfalusi.

Zyrtarë të misionit EULEX thonë se dosjet e marra nga misioni i UNMIK-ut nuk kanë qenë në gjendje të mirë dhe të kompletuara si duhet për të ngritur aktakuzë, apo edhe për të arrestuar dikë.

Rastet e krimeve të rënda udhëhiqen nga gjykatës dhe prokurorë të misionit EULEX, në bashkëveprim edhe me gjykatës dhe prokurorë të Kosovës. Mirëpo këta të fundit nuk kanë të drejtë vendimmarrjeje. Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Anton Nokaj, thotë se ata nuk kanë ndonjë problem pse rastet e krimeve të luftës dhe krimeve të rënda udhëhiqen nga gjykatës të misionit EULEX.

“Puna është e kënaqshme, organizimi, mobilizimi i gjyqtarëve të EULEX-it është shumë në nivel. I kanë marrë ato raste që me ligj bien në kompetencën e tyre, por ka qenë gatishmëria e tyre që të ndihmohen edhe rastet sipas kërkesës sonë. Nuk them se i kanë pranuar të gjitha, por kryesisht na kanë ndihmuar”, thotë Anton Nokaj.

Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Anton Nokaj thotë se ai nuk ka vërejtur ndonjë tentativë nga ana e gjykatësve të misionit EULEX për të penguar procedura rastesh të cilat janë inicuar nga gjykatës vendorë.

Misioni evropian për polici dhe drejtësi, EULEX u vendos në Kosovë në dhjetorin e vitit të shkuar. Iu deshën disa muaj që të kompletohet stafi dhe misioni të jetë funksional. Por ka vetëm pak muaj që prokurorët e misionit EULEX, kanë filluar të veprojnë. Veprimi i tyre i fundit është urdhër-arresti për një serb të Kosovës, të akuzuar për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999. 33 vjeçari, Goran Vuckoviç u arrestua nga policia në afërsi të qytetit të Prizrenit dhe procedurat për gjykimin e tij janë duke vazhduar.

Sidoqoftë gjyqësia kosovare që nga përfundimi i luftës është kritikuar shumë për jofunksionalitet nga shumë organizata ndërkombëtare. Institucionet e Kosovës gjithmonë fajin e kanë hedhur tek misioni i UNMIK-ut, i cili deri me vendosjen e misionit evropian EULEX-ka qenë përgjegjës për drejtësinë kosovare.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtina

Redaktoi: Auron Dodi