1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

EURO 2020: Grupe interesane për Kosovën dhe Shqipërinë

2 Dhjetor 2018

Hidhet shorti i kualifikimeve për Kampionatin evropian në futboll - EURO 2020. Kosova, Shqipëria dhe Gjermania në Dublin u renditën në grupe jo të lehta.

https://p.dw.com/p/39HmR
Fußball UEFA Euro 2020 Logo Vorstellung
Fotografi: Reuters/M. Rehle

Gjermania do të ketë të pakën një kundërshtar shumë të fuqishëm në grupin e saj C, të kualifikimeve për Kampionatin Evropian në futboll - EURO 2020. Ajo do të ndeshet me Holandën me të cilën është ndeshur edhe në Ligën e Kombeve dhe ka shënuar një humbje dhe një barazim. Kundërshtarët tjerë do të jenë Irlanda e Veriut, Estonia dhe Bjellorusia. Këto tri të fundit konsiderohen kundërshtarë të denjë, por jo edhe pengesë e pakalueshme për ekipin e trajnerit Joachim Löw. 

Kosova me shansa reale

Kosovo Faroe Islands Nations League Soccer
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Kosova është gjetur për herë të parë në kualifikimet për Kampionatin Evropian dhe do të ketë punë me "djepin e futbollit". Në grupin A, ajo do të përballet me Anglinë, si kundërshtarin më të fuqishëm. Por shumë interesante do të jenë edhe kundërshtarët tjerë: Republika e Çekisë, Bullgaria dhe Mali i Zi. Në veçanti interesante do të jenë ndeshjet e "Dardanëve" me fqinjët - Malin e Zi dhe Bullgarinë, sepse ekspertët gjermanë janë të mendimit se Kosova mund të ketë shansa reale për kualifim, përkundër faktit që ajo ka një ekip shumë të ri dhe pa eksperiencë.

Shqipëria në grup aspak të lehtë

Fußball UEFA EURO 2016 Fans
Fotografi: picture-alliance/dpa/Sportphoto

Shqipëria nuk do ta ketë fare lehtë në grupin e saj H, pasi që për kundërshtarë do të ketë edhe kampionin aktual të botës - Francën. Por në këtë grup do të jenë edhe kundërshtarë tjerë shumë të fortë, si Islanda dhe Turqia. Kuqezinjtë duhet të respektojnë me siguri edhe kundërshtarët si Moldavia dhe Andora, por këto dy ekipe nuk kanë shansa reale për kualifikim në EURO 2020.