1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Euromedi deklarohet kundër terrorizmit

Bernd Riegert29 Tetor 2005

Bashkimi Evropian dhe partnerët e tij në Mesdhe, kanë lëshuar një kumtesë të përbashkët për luftimin e terrorizmit ndërkombëtar. Deklarata bëri që samiti i zhvilluar në Barcelonë të Spanjës të mos dështojë

https://p.dw.com/p/Aqi3
Merkel në samitin e parë
Merkel në samitin e parëFotografi: AP


Pas debateve dhe formulimeve të shumta, pjesëmarrësit e samitit megjithatë u dakorduan për lëshimin e një kumtese të përbashkët për luftimin e terrorizmit ndërkombëtar. Bashkimi Evropian dhe shtetet partnere mesdhetare dënuan çdo formë të terrorizmit. Nuk ka asnjë justifikim për sulme terroriste. Mirëpo, pjesëmarrësit e takimit nuk ishin dakord rreth nocionit të terrorit. Izraeli dhe shtetet arabe u grindën deri në momentin e fundit rreth definimit të sulmeve të Hamasit: i përkasin ato sulmeve terroriste apo luftës çlirimtare. Mosmarrëveshjet kanë mbetur, ndërkohë që për të shpëtuar samitin, u hoqën të gjitha formulimet kontestuese. Kryeministri britanik, Toni Bler, i cili është edhe udhëheqës i radhës i BE, tha se: "Natyrisht që Euromedi nuk mund ta zgjidhë konfliktin e Lindjes së Mesme. Jo tani dhe këtu. Ajo që Euromedi mund të ofrojë është përcaktimi i hapave praktik në luftën kundër terrorizmit dhe zhvillimit ekonomik, social dhe politik".
Samiti jubilar ka miratuar edhe një plan të veprimit pesëvjeçar i cili synon zbatimin e procesit të Barcelonës. Me këtë plan premtohen reforma politike, ekonomike dhe shoqërore. Plani parashikon shkollimin e të gjithë të rinjve, barazinë gjinore, zgjedhje të lira dhe demokratike si dhe lirinë e shtypit dhe të menduarit.
BE premton edhe ndihma ekonomike. Deri në vitin 2015 duhet të krijohet një zonë e tregtisë së lirë, e cila duhet të lidhë Lindjen e Mesme me rajonet e tjera. Toni Bler thotë se konferenca ishte e suksesshme: "Samiti ka dëshmuar një vullnet të fortë nga i cili mund të përfitojnë të gjithë, para sfidave të mëdha drejt bashkëpunimit ekonomik, në çështjet e sigurisë, luftimin e terrorizmit dhe emigracionit ilegal. Në esencë, asnjë prej këtyre sfidave nuk mund të përballohet pa bashkëpunim", theksoi kryeministri britanik.
Të gjitha çështjet kontestuese që kanë të bëjnë me procesin paqësor mes izraelitëve dhe palestinezëve sërish janë futur në një kumtesë të presidencës, e cila nuk është e domosdoshme të nënshkruhet prej të gjithë pjesëmarrësve të takimit. Kështu ishte edhe gjatë dhjetë viteve të kaluara. Në këtë mënyrë u evitua dështimi i samitit. Mirëpo samiti vuante në radhë të parë prej faktit se shumë shtete arabe refuzuan pjesëmarrjen. Ministri i shtetit në Ministrinë e jashtme, Günter Gloser, i cili përfaqësonte kancelaren, Angela Merkel, thotë: "Nuk mund të thuhet se ky ishte një hap mbrapa. Mirëpo nga samiti është pritur një sinjal më i qartë. Kështu do të ishte pozitive po qe se në takim do të kishin qenë prezente të dyja palët, si edhe përfaqësuesit e BE".
Vetë kancelarja Angela Merkel mendon se hapja e perspektivës ekonomike do të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve politike dhe ekonomike në Lindjen e Mesme. Merkel ishte në samit vetëm disa orë, por përshtypjet e para ishin pozitive. Kështu pohon Hans-Gert Pöttering: "Pritshmëria kundrejt Angela Merkel në BE dhe më gjërë është e madhe. Ajo ka ndjenja të mira për psikologjinë e evropianëve. Prandaj jam i sigurt se këtë rol do ta kuptoj seriozisht".
Pöttering mendon se Angela Merkel mund të luaj një rol ndëmjetësues në çështjen e buxhetit. Toni Bler ka paralajmëruar propozime të reja për kursime, me të cilat synon që në dhjetor t'i jap fund bllokadës së tanishme të BE.