1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa dhe marrëveshja atomike me Iranin: Vazhdim pa SHBA

8 Maj 2018

Donald Trump vendosi kundër marrëveshjes atomike me Iranin. Bashkimi Europian do t'i qëndrojë marrëveshjes, por duhet të mendohet tani, se si do të mbetet tek një marrëveshjeje atomike pa SHBA. Alternativa të mundshme.

https://p.dw.com/p/2xMKc
Bildkombo Donald Trump und Hassan Rohani
Fotografi: Getty Images/AFP/N. Kamm//A. Kenare

"Europa nuk ka një plan B", tha presidenti francez, Emmanuel Macron së fundmi në Uashington, kur kërkoi që SHBA të mos e hidhte poshtë marrëveshjen me Iranin. Por dihet në politikë nuk flitet për një plan B, edhe kur ai ekziston. E nëse diplomatët dhe politikanët nuk shprehen publikisht për mundësitë e shpëtimit të Joint Comprehensive Plan of Action, JCPOA, e quajtur si marrëveshja atomike, këtë e bëjnë ekspertët. Ellie Geranmayeh nga Qendra Studiomore Europian, Council of Foreign Relations argumenton se Europa bashkë me shtetet e tjera si Rusia dhe Kina mund ta shpëtojnë marrëveshjen edhe nëse SHBA del prej saj. Sigurisht do të ishte më e vështirë thotë ajo në bisedë me Deutsche Wellen. "Për këtë kërkohet shumë vullnet politik dhe mendim kreativ."

Marrëveshja që përbëhet nga 159 faqe ka në thelb kufizimin e programit atomik të Iranit dhe lejimin e një regjimi të gjerë kontrolli. Për këtë Irani çlirohet nga sanksionet e lidhura me përpjekjet atomike. Sipas ekspertes, Geranmayeh, që Irani të respektojë elementët bazë të marrëveshjes duhet që t'i jepen impulse ekonomike. Kjo sigurohet nëse "nafta iraniane dhe furnizimet me energji drejt Europës vazhdojnë. Po qe se ato bllokohen për shkak të sanksioneve dytësore amerikane, kjo do të sillte një shok për ekonominë iraniane." Sanksionet nuk do të ndëshkonin vetëm Iranin, por edhe sipërmarrje nga shtete të BE-së.

Ellie Geranmayeh
Fotografi: Privat

Ndërlidhja e iniciativave individuale

Neysan Rafati nga Crisis Group ka disa ide se si mund të anashkalohen sanksionet dytësore ose të paktën të zbuten. Në intervistë me Deutsche Wellen, Rafati merr si shembull Francën dhe Italinë. Aty janë zhvilluar mekanizma, që institucione financiare të vetë shtetit financojnë bizneset me Iranin. Sipas Rafatit "këto iniciativa indiduvale të disa shteteve mund të sistematizohen dhe të lidhen me njëra-tjetrën. Me këtë bizneset që lejohen nga marrëveshja e JCPOA mund të përkrahen, si përmes koordinimit mes qeverive të ndryshme ose në nivel të BE."

Rafati thotë se partnerët e tjerë të marrëveshjes, Gjermania, Franca e Britania e Madhe tregojnë se "mendojnë në mënyrë kreative, se si të minimizohen rreziqet e sanksioneve amerikane, se si t'i jepet siguri firmave të tyre në biznesin me Iranin." Kombinimi i vullnetit politik me hapat ekonomikë i jep një sinjal Iranit: Rivendosja e sanksioneve amerikane nuk do të thotë se ana juaj e marrëveshjes injorohet.

Iran Atomabkommen
Fotografi: picture-alliance/epa/D. Calma

Europa nuk ka kontroll mbi sipërmarrjet e saj

Studiuesi i vënies së sanksioneve, Sascha Lohmann nga Universiteti i Harvardit i shikon me skepticizëm këto propozime. "Për shkak të asimetrisë së pushtetit në marrëdhënien ekonomike të SHBA-së dhe sipërmarrjeve europiane do të jetë e vështirë t'i ofrohet diçka Iranit. Sepse bankat e mëdha nuk mund të detyrohen të bëjnë biznes me Iranin. Ato do të ndjekin sanksionet amerikane, sepse i nënshtrohen juridiksionit amerikan, për sa kohë përdorin dollarin." Kjo po të kujtojmë se disa banka europiane janë ndëshkuar ndjeshëm për shkak të shkeljes së sanksioneve.

Gabimi kryesor i europianëve, sipas Lohmann: Ata në të shkuarën ishin palë me amerikanët për sanksionet dytësore duke i legjitimuar kështu ato. Me administratën e Trumpit ekziston tani një "divergjencë strategjike në marrëdhënien transatlantike, por tani ata janë brenda". Konkluzioni i Lohmann: Europa nuk ka kontrolle mbi sipërmarrjet e saj. Ato nuk kontrollohen pra në Bruksel, por në Uashington.