1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edhe ne jemi populli

12 Nëntor 2017

Kriza e refugjatëve e ngritja e AfD-së kanë ndryshuar klimën shoqërore në Gjermani. Njerëzit me sfond migracioni ndjehen sërish si qytetarë të klasit të dytë, mendon Jagoda Marinic, autore e ftuar e serisë "Europa ime".

https://p.dw.com/p/2nSBM
Deutschland Freiburg Jagoda Marinic
Fotografi: picture-alliance/ROPI/A. Pisacreta

Ditën e zgjedhjeve të Bundestagut, politikani i AfD-së, parti e ekstremit të djathtë, Alexander Gauland, përdori daljen e tij 30 sekondëshe në televizion për të thirrur para mikrofonit: „Ne do të rimarrim vendin tonë."

Për të ashtuquajturit „qytetarë të zemëruar", gjermanë të zemëruar është folur shumë në dy vitet e fundit. Ajo që në botën e jashtme njihet si „German Angst" (frika gjermane), ka arritur të prodhojë „zemërimin gjerman". Frika duket si një emocion që për gjermanët justifikon çdolloj deformimi të sjelljes qytetare.

Ndërkohë që për krerë të AfD-së që duan të rimarrin vendin e tyre është folur shumë pak. Në Gjermani diskursi publik për migrimin ka qenë gjithmonë në prapambetje me realitetin gjerman. Por ky vend është bërë tani shumë më i larmishëm seç duan të besojnë disa politikanë.

Në grupin parlamentar të CDU/CSU-së, parti tradicionale konservatore, 2,6% e deputetëve kanë sfond migracioni. Madje edhe tek vetë AfD-ja ky numër është tre herë më i lartë. Këto shifra të mësojnë, se emigrantët si grup - për ta thënë më butë -nga ana politike mbeten shumë të margjinalizuar. Por qytetet gjermane janë shumë më multikulturore. Gati çdo i katërti qytetar në qytete ka sfond migrimi.

Fuqi politike e kufizuar

Para gjashtë dekadash kur erdhën edhe punëtorët e ftuar (gastarbeiter ) u krijuan rregullore për të siguruar, që këta njerëz të mos kishin akces tek pasaporta gjermane. Përkundër kësaj, sot gati gjysma e 20 milionë vetëve me sfond migrimi ka pasaportë gjermane. Megjithatë fuqia politike e tyre mbetet e kufizuar. Si politika ashtu edhe opinioni i gjerë publik janë futur në një qorrsokak, ku më shumë preferojnë të flasin mbi ta e për atë se çfarë duan t'u ofrojnë, se sa të flasin drejtpërdrejt me përfaqësues të këtyre pakicave për të kuptuar kërkesat e tyre. Këta të fundit mbeten relativisht të paorganizuar, kështu që strukturat demokratike në dispozicon që do të shërbenin për të nxitur interesat e tyre nuk shfrytëzohen si duhet.

Ndërkohë është bërë zakon në median gjermane që burra të thinjur gjermanë të flasin për imigrantët në talk-showt gjermanë. Alexander Gauland është njëri prej tyre. Në vend që t'i bëhet e qartë, se ai në natën zgjedhore ka kaluar vijën e kuqe, ai ftohet në 27-vjetorin e bashkimit të Gjermanisë në emisionin më të njohur gjerman për çështje politike për të folur për identitetin kombëtar. Edhe njëherë nuk u ftua asnjë nga pakicat për të prezantuar në shoun e Gaulandit perspektivën e tij.

As mediat gjermane nuk kanë ndërmarrë një përpjekje të përqëndruar për të nxjerrë bllof ekstremistët. Përkundrazi: Një parti djathtiste ia del që në pjesë të peizazhit mediatik gjerman të zërë vend disproporcionalisht. Me këtë mediat dhanë kontribut për normalizimin e pozicioneve ekstremiste, që para dy vjetësh do të ishin të papranueshme. Në të njëjtën kohë nuk u dëgjua zëri i imigrantëve dhe pasardhësve të tyre.

Shumë fëmijë gjermanë kanë sfond migracioni

Por realiteti gjerman ka kohë që ka ndryshuar. Tek nxënësit e klasës së parë në Hamburg çdo i dyti fëmijë ka sfond migrimi. Në vend që të hapë rrugën e koherencës, Gjermania përqëndrohet tek çështjet e identiteti kombëtar, se si të qetësojë 13% të zemëruarit, votues të AfD-së. Para jo shumë kohësh, para ngritjes së AfD-së, Merkel u përpoq të vlerësonte migrantët për kontributin e tyre në suksesin e Gjermanisë. Ajo e di, se politika e saj ndaj refugjatëve, kaq shumë e kritikuar, mund të jetë e suksesshme, vetëm nëse narrativi për Gjermaninë si një vend i suksesshëm migracioni bëhet pjesë e ndërgjegjes kombëtare.

Kështu ajo ftoi në vitin 2015, ish-gastarbeiterët dhe fëmijët e tyre për të festuar 60-vjetorin e marrëveshjeve të punësimit mes Gjermanisë, Italisë, Turqisë, Greqisë dhe vendeve të ish-Jugosllavisë. Ajo zgjoi shpresa, kur tha: „Ju i përkisni Gjermanisë, si gjithë të tjerët që jetojnë këtu." Pa këta punëtorë, Gjermania nuk do të ishte një vend me kaq mirëqenie si sot.

Qytetarë të klasit të dytë

E megjithatë ngjitja politike e AfD-së para dy vitesh ka sjellë një kundërreagim në diskursin gjerman. Merkel, e cila i trembet humbjes së votuesve konservatorë, nuk ishte në gjendje të ndryshonte situatën. Kështu ne duhet të mësonim diçka: zërat tanë kanë më pak vlerë. Gjenerata ime, kështu duket, duhet të pranojë, se demokracia nuk është diçka që vlen edhe për ne.

U desh të kalonte shumë kohë deri sa Gjermania ta tejkalojë parimin e prejardhjes, ius sanguis, e na lejoi neve, megjithë gjakun jogjerman të bëheshim gjermanë. Sot ne  quhemi gjermanët e rinj. AfD ka gjetur një rrugë të sulmojë edhe këtë. Në një poster zgjedhor shkruhej – „Gjermanët e rinj? I bëjmë vetë ne!" dhe përkrah parullës një grua shtatzënë."

Fillimisht ata pretendonin, se politika gjermane nuk tregon më kujdes për popullin gjerman. Ka ardhur koha që „gjermanët e rinj" t'u thonë se prindërit tanë ishin vetëm gastarbeiter-punëtorë të ftuar, jo qytetarë të ftuar. Ata nuk kishin të drejtë të votonin. Por fëmijët e tyre nuk janë „të huaj me pasaporta gjermane", siç duan ta paraqesin ekstremistët e djathtë. Edhe ne jemi populli.

Jagoda Marinic është një shkrimtare kroato-gjermane, autore teatri dhe gazetare. Ajo ka lindur në Waiblingen si vajzë emigrantësh kroatë. Së fundmi ajo botoi librin „Made in Germany-çfarë është gjermane në Gjermani?".