1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Komportimi cinik me refugjatët

22 Qershor 2019

Refugjatët gëzojnë të drejtat e njeriut, thuhet rregullisht në Berlin e Bruksel. Por realiteti është ndryshe në itinerarin e Ballkanit. Kjo është cinike, mendon Norbert Mappes-Niediek.

https://p.dw.com/p/3Kr79
Norbert-Mappes-Niediek - t Korrespondent mehrerer deutschsprachiger Zeitungen in Südosteuropa
Fotografi: L. Spuma

Se ç'përmbajnë kërkesat morale nga BE-ja dhe se si është komportimi ndaj tyre, këtë e dinë mjaft mirë njerëzit në Maqedoninë e Veriuit. Shumë përpara se qindra mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme të mbërrinin në Gjermani dhe kohë përpara se ky vend i vogël të merrte emrin që mban sot, qeverisë së tij iu desh të ushtrohej me këtë disiplinë.

Asokohe, gati një dekadë përpara, papritur qindra qytetarë nga ky vend i Ballkanit aplikuan për azil në Republikën Federale të Gjermanisë. Kjo nuk shkon kështu, deklaronin diplomatët gjermanë në Shkup, të alarmuar prej autoriteteve të azilimit. Çfarë ka ndodhur? Ishin romët, që vinin duke u larguar prej lagjeve të mjerimit. Shpesh ata nuk kërkonin vërtetë azil, por vetëm trajtim mjekësor falas ose thjesht mundoheshin të flinin gjatë një dimri pa ngrica e të ftohtë. Sidoqoftë, ne gjermanëve na vjen keq, por këtë problem duhet ta zgjidhni ju në Maqedoni. Nga njëra anë lidhur me romët thuhej, se ne nuk jemi racistë dhe nuk bëjmë dallim. Nga ana tjetër: nëse nuk ndërpritet vala e azilkërkuesve ne do të na duhet ta rivendosim detyrimin për vizë.

Kur romët donin të vinin tek ne

Kjo konseguencë mundi të shmanget. Sepse menjëherë policët maqedonas me mandatin gjerman u kujdesën që në kufirin me Serbinë të mos largohej më askush, që dyshohej se mund të aplikonte për azil në Gjermani apo në Blegjikë. E kush dyshohej? Fare thjeshtë: secili, që dukej se mund t'i përkiste komunitetit rom. "Ej ti", thoshte kufitari, "zbrit nga autobusi!" Natyrisht që kjo ishte e jashtëligjshme. Gjermanët nuk duhej ta dinin këtë, sepse opinioni reagon me sensibilitet ndaj diskriminimeve etnike. Nëse do të zbulohej se si veprohej në kufi, atëherë do të kishte ndëshkime të forta në "raportin e progresit" që do të pasonte, dëftesa vjetore kjo, ku përcaktohet, nëse vendi kandidat ka shkelur sërish ndonjë kriter të antarësimit ose jo. E në këtë raport të drejtat e njeriut qendrojnë në krye të prioriteteve.

Gjermanët jo vetëm që nuk duhej ta dinin, por as që nuk donin ta dinin. Dy vjet më vonë Bashkimi Europian u vlerësua me Çmimin Nobel të Paqes. Nëpër kongrese vërshojnë frazat humanitare, ndërsa natën goditet, për t'i mbrojtur krahët Perëndimit të pasur: Këtë e kanë mësuar shpejt politikanët në Europën Juglindore. Kur sot në kufirin boshnjako-kroat dhe atë turko-bullgar çdo natë migrantët nga Afrika dhe refugjatët nga Siria dëbohen ilegalisht dhe shpesh kërcënohen e trajtohen brutalisht, publiku i ndjeshëm ndaj të drejtave të njeriut në Perëndim qendron i heshtur. Në thelb është pretendruar gjithmonë si diçka që dihet, sikur europiano-lindorët tentojnë drejt nacionalizmit dhe ksenofobisë. Por vetëm se askush nuk do ta thotë këtë me zë të lartë: sepse nuk duhet pranuar që ka paragjykime nacionale.

"Bonusi moral" i Gjermanisë

Cinikëve qeverisës në rajon ky dyjëzim perëndimor u vjen për mbarë: ai u shton pikët atyre tek kolegët cinikë perëndimorë, prej të cilëve në rastin e parë të mundshëm mund të kërkojnë ndonjë favor. Në vendet, që kanë më pak përvojë me hipokrizinë perëndimore, si në Italinë e mirëfilltë perëndimore, kjo hipokrizi nuk kapërdihet kollaj. Atje, ose u përmbahen standardeve europiane, ose ato vihen tërësisht në modusin e luftës konseguente ndaj refugjatëve duke u mburrur për këtë. Një rrugë të tretë nuk ka - të paktën jo afatgjatë. Gjermania ende ruan ekuilibrin, bonusi moral, që krijoi kancelarja para tre vjetësh e gjysmë ende nuk është shpërbërë tërësisht.  Por nuk është e largët dita kur ai do të humbasë, pak gjasa që kjo të mos ndodhë një gjë e tillë, si triumfi i Trump-izmit.

Kriza e refugjatëve më 2015 kthjelloi për një çast arsyen si rrallë herë. Për vite vendet e Mesdheut, kryesisht Greqia, u lanë vetëm me detyrën të mbrojnë kufijtë e Europës, thuhej atëherë me tone vetëkritike në nivelet më të larta qeveritare. Por duke mësuar nga përvoja u kërkua solidaritet e shpërndarje e drejtë e refugjatëve. Solridariteti i kërkuar mungoi. Asgjë nuk ndodhi, madje përkundrazi, si pasojë Gjermania mbeti e izoluar e rrethuar nga vende skeptike dhe armiqësore ndaj migracionit dhe refugjatëve.

Tani Gjermania po i përshfaq nën një tjetër dritë përpjekjet e veta humanitare: "Secili ka të drejtën dhe detyrimin të shpëtojë njerëzit në rrezik", u deklarua nga Berlini, kur së fundi Italia kërcënoi ta nxjerrë në gjyq ekuipazhin e një anijeje shpëtimi që lundronte në Mesdhe. Ne preferojmë të pranojmë të drejtën dhe detyrimin për të shpëtuar njerëzit në rrezik, e kujdesemi ndërkaq, që fjalët tona të mos pasohen nga veprat. Nëse së shpejti sërish do të duhet të ndahet barra e migracionit, ju lutem shumë, që duhet të merret parasysh edhe kapitali moral.

 

 

Norbert Mappes-Niediek jeton në Graz dhe është korrespondent i Europës Juglindore për një sërë gazetaqsh gjermanofone.