1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EJL:Origjinë e destinacion i trafikimit të qenieve njerëzore

Aida Cama
8 Janar 2019

Raporti global i qenieve njerëzore të trafikuara mbulon 142 vende dhe hedh një vështrim mbi modelet dhe rrjedhat e trafikimit në nivel rajonal dhe kombëtar, bazuar në rastet e zbuluara që nga 2014 deri më 2016.

https://p.dw.com/p/3BAY8
Cover Global Report on Trafficking in Persons 2018

Zyra e OKB për drogën dhe krimet, UNDOC, botoi dje të hënën (07.01), Raportin global të qenieve njerëzore të trafikuara. Ai mbulon 142 vende dhe hedh një vështrim mbi modelet dhe rrjedhat e trafikimit të njerëzve në botë, si në nivel rajonal ashtu dhe kombëtar, bazuar në rastet e trafikimit të zbuluara që nga 2014 deri më 2016. Ka dhjetë vjet që UNDOC mbledh të dhëna sistematike për trafikimin e qenieve jerëzore. Deutsche Welle nxorri nga raporti subrajonet me interes, Europën perëndimore dhe jugore dhe Europën qendrore dhe juglindore.

Europa perëndimore dhe jugore

Profili i viktimave: Pjesa më e madhe e viktimave të trafikuara në këtë rajon janë gra (52 përqind), por përqindja e burrave të trafikuar është rritur vazhdimisht. Mbretëria e Bashkuar ka raportuar më 2016 rritjen e numrit të burrave të trafikuar, ndërsa Gjermania dhe Austria rënien e numrit të tyre. Pjesa e fëmijëve të trafikuar zë 25 përqind të numrit të viktimave dhe nuk ka ndryshuar që nga viti 2014.

Forma e shfrytëzimit: Trafikimi për shfrytëzim seksual vazhdon të mbetet forma më e zakonshme, ndërsa trafikimi për punë të detyruar zë një të tretën e viktimave. Dy viktima të zbuluara janë trafikuar për heqje organesh. Belgjika dhe Mbretëria e Bashkuar kanë raportuar më shumë viktima për punë të detyruar se sa për shfrytëzim seksual. Gratë përbëjnë 72 përqind të viktimave të trafikuara për shfrytëzim seksual. Tek viktimat meshkuj të trafikuar për shfrytëzim seksual, tendenca ka qenë më shumë burra se sa djem të trafikuar. Forma të tjera shfrytëzimi kanë qenë kriminaliteti i detyruar, lypja në rrugë dhe martesat fallso. Në vitin 2016 në Spanjë janë zbuluar 15 viktima të trafikuara për kriminalitet të detyruar, në Greqi 11 viktima për lypje të detyruar në rrugë dhe në Qipro 17 viktima trafikimi për martesa fallso.

Profili i trafikuesve: Pjesa më e madhe e trafikuesve të dyshuar, të kapur, të dënuar janë meshkuj. Në 310 persona të dënuar në tetë vende për shfrytëzim seksual, 76 përqind kanë qenë meshkuj. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë qytetarë të huaj në vendin ku kanë marrë dënimin, të ardhur kryesisht nga Europa Juglindore ose vende të tjera europiano qendrore dhe jugore.

Rrymat e trafikimit: Njësoj si në tendencën globale, zbulimi i viktimave kombëtare ka qenë në rritje. Në rrymat ndërkufitare origjina kryesore e fluksit të trafikimit mbetet Europa Juglindore. Disa vende perëndimore, sidomos Mbretëria e Bashkuar kanë njoftuar të kenë viktima nga vendet Baltike. Europa perëndimore dhe jugore është duke zbuluar gjithnjë e më shumë viktima që vijnë nga rajone të tjera si Afrika subsahariane, kryesisht nga Afrika Perëndimore. Pjesa më e madhe e viktimave që vijnë nga Azia, janë nga Filipinet, Tajlanda dhe më pak nga Kina dhe Vietnami.

Deutschland Bettlerin im Schnee
Lypëse në HanoverFotografi: picture-alliance/dpa/H. Holleman

Europa qendrore dhe juglindore

Profili i viktimave: Në këtë subrajon viktimat meshkuj janë më të pakta se në mesataren globale. Në pesë viktima katër janë gra. Por në disa vende si Lituania, Rumania dhe Sllovakia numri i viktimave burra ka qenë i njëjtë me atë të viktimave gra. Viktimat fëmijë kanë qenë në rritje në Europën qendrore dhe juglindore, sidomos numri i vajzave të trafikuara. Disa vende si Bosnje Hercegovina, Hungaria dhe Rumania kanë raportuar zbulimin e më shumë viktimave fëmijë se sa të rritur. Në gjithë rajonin është ulur pjesa që zenë burrat në numrin e viktimave, por është rritur pjesa e fëmijëve viktima të trafikimit.

Forma e shfrytëzimit: 70 përqind e viktimave janë trafikuar për shfrytëzim seksual. Një e treta për punë të detyruar ose qëllime "të tjera”. Në gjithë rajonin ka rënë numri i viktimave të trafikuara për punë të detyruar nga 23 në 17 përqind në krahasim me 2014. Për shfrytëzim seksual përqindja është rritur nga 65 në 70. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë femra, kryesisht gra. Në Hungari shifra ka qenë më e madhe për vajzat se sa gratë në këtë formë trafikimi. Burrat kanë qenë më të paktë në numër. Në këtë rajon nga trafikimi i meshkujve preken më shumë djemtë se burrat. Për punë të detyruar trafikimi prek më shumë burrat. Nga 2014 deri 2017 janë raportuar pesë raste trafikimi për heqje organesh. Në viktimat e trafikuar për qëllime "të tjera”, përmenden shitja e fëmijëve, detyrimi për lypje në rrugë dhe aktivitete kriminale. Trafikimi për detyrim lypje në rrugë është parë si në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe në pjesë të tjera të rajonit. Trafikimi për aktivitete kriminele është raportuar si në Ballkanin perëndimor ashtu edhe në Balltik. Po ashtu janë raportuar gra dhe vajza shtatzëna që trafikohen për shitje fëmijësh.

Profili i trafikantëve: Pjesa më e madhe e trafikantëve të hetuar, janë ndjekur penalisht ose dënuar janë burra. Ata kanë qenë kryesisht qytetarë të vendit ku është dhënë dënimi, ose të vendit fqinj. Të dhënat e trafikantëve tregojnë diferenca në dy subrajonet e ndryshme Europa perëndimore dhe jugore dhe Europa qendrore dhe juglindore. E para është kryesisht destinancion i trafikimit, kurse e dyta origjinë trafikimi. Të dhënat e riatdhesimit kanë treguar për rrymat e trafikimit nga Europa qendore dhe juglindore në Europën lindore. Këto rryma rajonale janë zbuluar në sasi të madhe, ndërkohë që është e vështirë të zbulosh viktima nga Europa qendrore dhe juglindore në pjesë të tjera të botës. Ky subrajon është po ashtu destinacion për viktimat e trafikimit. Shumë viktima të zbuluara janë qytetarë të po atij vendi ku zbulohen. Rrymat e trafikimit që e kanë origjinën në Europën lindore, përfshirë Ukrainën drejtohen për në Poloni ose vende të tjera të Europës lindore. Çekia dhe Polonia janë destinacine për viktimat që e kanë origjinën në Europën juglindore.

Niveli i zbulimit të viktimave në këtë rajon është më i larti në botë, pas Amerikës Qendrore. Këto vende kanë më shumë viktima për frymë se vendete e Europës perëndimore dhe lindore, por niveli i dënimeve është shumë më i ulët se to. Por niveli i dënimeve është më i madh se në pjesë të tjera të botës.

Thailand | Prostitution in Pattaya
Pjesa më e madhe e personave të trafikuar janë gra që detyrohen të prostituojnëFotografi: picture-alliance/dpa/EPA/H. H. Young