1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa e bashkuar? - Gjithnjë e më shumë evropianë janë të pakënaqur me Bashkimin Evropian

Sonila Sand20 Prill 2005
https://p.dw.com/p/ArEi
Evropianë të të gjitha vendeve - bashkohuni?
Evropianë të të gjitha vendeve - bashkohuni?

Ka mëse gjashtë muaj që Kushtetuta Evropiane u hartua përfundimisht. Kryeministrat e shteteve antare të BE-së dolën të kënaqur pas takimit të posaçëm mbi Kushtetutën Evropiane dhe deklaruan se ajo ishte një ditë historike për të gjithë Bashkimin Evropian.

Të gjitha 25 shtetet antare duhet ta ratifikojnë këtë Kushtetutë, në mënyrë që ajo të hyjë kështu në fuqi. Shumë shtete e kanë nënshkruar ndërkohë marrëveshjen për ratifikimin e saj. Por disa shtete të tjera, kanë mbajtur një qëndrim skeptik duke e lënë të hapur opcionin e mospranimit të hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute.

Franca është shembulli kryesor. Më datën 22 maj francezët do të vendosin nëpërmjet një referendumi në rast se qeveria franceze do ta ratifikojë Kushtetutën Evropiane. Në rast se francezët do të votojnë kundër saj, atëherë Evropa do të tronditet rëndë. C´mund të pritet nga shtetet e tjera skeptike, kur një nga shtetet themeluese të BE-së është kundër tij?

Por jo vetëm francezët po tregohen të pakënaqur me projektin "Evropa". Gjithnjë e shumë evropianë e shohin Bashkimin Evropian si një union të pavlefshëm, të mërzitshëm dhe negativ. Gjithnjë e më shumë shtete evropiane kanë deklaruar se do të zhvillojnë referendume në lidhje me ratifikimin e Kushtetutës Evropiane. Përveç Francës edhe Hollanda, Britania e Madhe, Danimarka dhe Çekia do të do të vendosin nëpërmjet votës në rast se duan ta pranojnë këtë Kushtetutë apo jo. Këto shtetet e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre kritik.

Sipas qeverisë hollandeze BE është kthyer në një çështje shumë të shtrenjë dhe të komplikuar - argumente këto të cilat po përdoren edhe nga gjermanët.

Ndërkohë Çekia tregohet edhe më kritike. Presidenti Vaçlav Klaus ka botuar madje një libër në të cilin e kritikon Bashkimin Evropian si një "superfuqi" dhe vë në dukje mangësitë e Kushtetutës Evropiane. Ai e ka paralajmëruar popullin e tij që të mendohet mirë përpara se të votojë nëpërmjet referendumit, në mënyrë që kështu të evitohen sipas tij "difiçite të pandreqshme demokratike".

Britania e Madhe i dëgjon me kënaqësi kritikat e tilla. Edhe në rast se të gjitha shtetet e tjera evropiane do të votojnë për Kushtetutën, pritet që ishulli britanik të mos e pranojë atë. Në verë të këtij viti, në Britaninë e Madhe do të fillojë referendumi dhe askush nuk beson në një "happy end". Britanikët janë kundër të gjitha vizioneve të francezëve: Pra kundër integrimit, kundër politikës së përbashkët sociale dhe kundër rregullave të përbashkëta të ekonomisë, të cilat bien në kundërshtim me interesat e SHBA-s.

Sidoqoftë është e vështirë që të gjitha 25 shtetet antare ta pranojnë këtë Kushtetutë. Polakët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre se në Kushtetutë mungon "lidhja me Zotin" - pra aspekti fetar.

Ndërkohë danezët, të cilët nuk e pranuan as Marrëveshjen e Maastrichtit në vitin 1992, nuk kanë shumë simpati për "dirigjimin nga Brukseli". Sidoqoftë kryeministri danez e paralajmëroi hapur popullin e tij duke thënë se në rast se ata do të votojnë kundër Kushtetutës Evropiane, atëherë Danimarkës nuk do t´i mbetet alternativë tjetër, përveç se të dalë nga Bashkimi Evropian.
Madje edhe në Gjermani, ku Gjykata e Lartë Kushtetuese dhe jo populli do të vendosë mbi Kushtetutën Evropiane, është rritur pakënaqësia kundrejt BE-së.

Në Bruksel, kryeqytetin e Bashkimit Evropian, është përhapur frika - frika nga qytetarët, të cilët mund të shkaktojë së shpejti krizën më të madhe të BE-së që prej themelimit të tij.