1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa ka nevojë për forca të specializuara

Ulrike Bose/ Bruksel25 Shtator 2008

Në Evropë mungojnë në shumë sektorë forca pune të specializuara. Për këtë arsye, ministrat e brendshëm të BE do të punojnë më intensivisht për hartimin e rregullave të përbashkëta mbi hyrjen dhe qëndrimin e punëmarrësve

https://p.dw.com/p/FOjT
Mungesë e forcave të specializuara në Evropë
Mungesë e forcave të specializuara në EvropëFotografi: picture-alliance/dpa

Për çështjen nëse i hapin në të ardhmen kufijtë e tyre për inxhinierët apo për specialistët e informatikës, shkurt, kush është i mirëpritur dhe sa imigrantë mund të vijnë në vend, për këtë do të vendosin edhe në të ardhmen vetë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Megjithatë, kryesia franceze në BE do të krijojë deri në fund të vitit bluecard-ën evropiane, për ta bërë Evropën edhe më tërheqëse për forcat e punës të specializuara që vijnë nga shtete të treta.

Projektligji që gjendet në tryezën e takimit të ministrave të brendshëm të BE-së, cilëson si "mjaft të kualifikuara" ato forca pune që kanë kryer shkollën e lartë ose që arrijnë të dokumentojnë pesë vite punë përkatëse. Në këtë mënyrë synohet të shmangen rastet e mospranimit të specialistëve shumë të kërkuar të informatikës, vetëm sepse këta nuk kanë dëftesat përkatëse. Një tjetër kusht për t'u kategorizuar si të tilla është që ato të fitojnë 1,5 herë më shumë sesa mesatarja vjetore, ku si referencë vlen paga mesatare e shtetit evropian në të cilin kërkohen. Në Gjermani bëhet fjalë për 42.000 euro në vit. Megjithatë, Gjermania mund të caktojë edhe më tej vlera më të larta dhe të mos heqë dorë prej pagës minimale prej 63.000 eurosh, e cila vlen për këto raste nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Bluecard-a dhe rregullat kombëtare të imigrimit do të ekzistojnë paralelisht. E paqartë është se si do të funksionojë kjo gjendje. Edhe pse kompetenca për vendimet për imigrimin e ligjshëm mbetet tek shtetet e veçanta të BE-së, në botën e globalizuar ka kuptim që jo vetëm të luftohet bashkarisht imigrimi i paligjshëm, por edhe të bashkërendohet migrimi i ligjshëm, tha ministri i brendshëm gjerman Volfang Shojble në kuadër të politikës evropiane të imigrimit:

"Ne heqim kontrollet kufitare në Evropë, këtë e kemi bërë. Për këtë arsye duhet të bëjmë edhe një politikë të tillë të përbashkët."

Bluecard-a synon ta bëjë Bashkimin Evropian më tërheqës për forcat mjaft të kualifikuara të punës, të cilat deri tani parapëlqejnë SHBA-të, Kanadanë apo Australi. Parakusht për dhënien e një bluecard-e do të jetë një ofertë konkrete për vend pune. Pas dy vitesh zotëruesi i bluecard-ës mund të zhvendoset në një shtet tjetër të Bashkimit Evropian në rast se ka një ofertë tjetër për vend pune dhe vendi pritës është i një mendjeje. Që prej fillimit zotëruesit e bluecard-ës mund të lëvizin lirshëm në territorin e BE-së. Tërheqja e familjeve do të jetë për ta më e lehtë sesa për imigrantët e tjerë. Në pikëpamje të së drejtës së punës dhe asaj sociale ata do të jenë afërsisht në rangun e shtetasve të BE-së. Pas pesë vjetësh qëndrimi në BE, këto mund të jenë edhe vende të ndryshme anëtare, zotëruesit e bluecard-ës kanë të drejtën të marrin një leje qëndrimi afatgjatë. Edhe kthimi në vendet e prejardhjes me leje të garantuar rihyrjeje në BE do të jetë i mundur. Megjithëse BE-ja ka nevojë urgjente për forca të kualifikuara, ajo nuk do t'i ekspozohet kritikës se tërheq përgjithmonë nga vendet në zhvillim ato forca pune që u duhen edhe vendeve amtare.