1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa po ndryshon pas 11 shtatorit 2001

Klaus Dahman7 Shtator 2006

Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 i kanë trazuar qytetarët dhe politikanët evropianë. BE filloi shumë ngadalë të miratojë masa konkrete për luftimin e terrorizmit dhe forcimin e sigurisë. Mirëpo, pas sulmeve të 11 marsit 2004 në Madrid dhe 7 korrikut 2005 në Londër, u bë e qartë se edhe Evropa është në shënjestër te Al Kaidës

https://p.dw.com/p/ArAE
Nga eskpozita "11 shtatori" në Berlin
Nga eskpozita "11 shtatori" në BerlinFotografi: AP

Evropa e përjetoi thellë shokun e sulmeve të 11 shtatorit. Me ngut u thirr samiti i kryetarëve të qeverive të BE-së, për të miratuar masat e bashkëpunimit të ngushtë në luftën kundër terrorizmit. Megjithatë kaluan 2 vjet e gjysmë me zvarritje në zbatimin e rregullave të reja.

Sulmet terroriste në Madrid 2004 ishin një shok i ri për evropianët dhe ato bënë që të kuptohet fakti se hezitimi është një strategji e gabuar. Ish-ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher, pohoi: "Ne duhet të bëjmë çdo gjë për të reaguar mundësisht në mënyre preventive dhe eficente. Evropa është sfiduar e gjitha."

Pas sulmeve në Madrid, BE emëroi një koordinator për antiterrorizëm. Ky ishte Gijs de Vries, i cili nga Brukseli do të koordinonte më mirë shkëmbimin e të dhënave në rrafshin evropian. Këtu hyjnë edhe përpjekjet për miratimin e ligjeve të ashpra brenda vendeve anëtare të BE-së, si përshembull ngrirja dhe sekuestrimi i parave të terroristeve. "Ne kemi ligje kundër financimit të terrorizmit. Terroristët kanë nevojë për para. Ata nuk duhet t'i fitojnë paratë. Për këtë është i nevojshëm bashkëpunimi ndërkombëtar", thotë Vries.

Bashkëpunimi i mirë është një prioritet më i lartë, shprehet koordinatori i BE-së. Që nga viti 1992 ekziston një qendër koordinuese me zyrtarët e policisë së Europolit. Mirëpo, bashkëpunimi konkret po përcillet me pengesa, sepse zyrtarët përkatës të qeverive nacionale po hezitojnë lejimin e shkëmbimit të informacioneve.

Sipas shefit të Europolit, Max-Peter Ratzel, një kohë të gjatë veprimtaria e Europolit ishte luftimi i kriminalitetit, drogës dhe trafikut me njerëz, por tani "në plan të parë rregullisht është lufta kundër terrorizmit, sepse këtu qëndrojnë rreziqet kryesore dhe ne të gjithë duhet të bëjmë çdo gjë për të evidentuar rreziqet dhe mënjanuar ato në mënyrë preventive. Kështu ne mund t'i ndihmojmë anëtarët e Europolit me anë të mjeteve përkatëse duke i marrë në mbrojtje. Ndodh shpesh që me anë të një ekipi relativisht të vogël të bëjmë gjëra shumë të mira."

Shndërrimi i Europolit në një polici të vërtetë të ngjajshme me FBI amerikane është ende shumë larg. Të 500 bashkëpunëtorët e Europolit vetë nuk kanë mundësi të kryejnë hetime apo edhe arrestime, ata nuk kanë në dispozicion policë. Zyrtarët e Europolit, krejt çka mund të bëjnë në seline e tyre në den Hagë, është të kryejnë punën e një servisi në shërbim të policisë së vendeve anëtare.


Probleme të ngjajshme ka edhe qendra për gjyqësi Eurojust, e cila funksionon nën çatinë e prokurorive nacionale dhe në shumicën e rasteve bashkepunimi nuk është i mirë. Problemi i parë është se brenda BE-së nuk ekziston e drejta unike penale, gjë që e vështirëson bashkëpunimin. Edhe Gjermania në këtë drejtim është një pengesë, sepse Gjykata kushtetuese e ka ndaluar me ligj të drejtën e arrestimit të një qytetari me urdhër të Eurojustit. Që më herët këtë e kishte bërë Italia. Pas një periudhe shumë të gjatë me diskutime kontradiktore në mars u arrit një kompromis për regjistrimin dhe ruajtjen e të dhënave telefonike.

Përkundër vështirësive të mëdha ekziston një vullnet i madh për një strategji të përbashkët antiterrori. Siç duket tani e tutje është duke funksionuar më mirë edhe bëshkëpunimi ndërmjet shërbimeve të fshehta. Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Spanja kanë krijuar një rrjet të përbashkët kompjuterik. Në Paris është krijuar një qendër e shkëmbimit të informacioneve mes evropianëve dhe amerikanëve.

Duke folur për shkëmbimin e informacioneve ndërmjet shërbimeve të fshehta, koordiantori evropian për antiterrorizmin Vries thotë: "Shërbimet e fshehta nuk duhet ta prezantojnë suksesin e tyre në media. Nëse ato arrijnë të evitojnë një akt terrorist, nuk do të thotë që kjo duhet të manifestohet në prestigjin e tyre. Sukseset nganjëherë janë vështirë të zbulohen, por ato ekzistojnë.."

Një shembul i këtillë është edhe bashkëpunimi i shërbimit sekret britanik me ato të vendeve të tjera, që si rezultat solli deri te parandalimi i një sulmi të mundshëm terrorist dhe arrestimi i personave të dyshuar.