1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fëmijë refugjatë nëpër rrugët e Beogradit

Florian Schmitz | Idro Seferi
3 Janar 2021

Në mesin e dimrit migrantëve të mitur në Beograd u duhet të kalojnë netët në rrugë. Fati i tyre është në duart e një rrjeti ndërkombëtar kontrabandistësh.

https://p.dw.com/p/3nMgB
Serbien Belgrad | Balkanroute  unbegleitete minderjährige Flüchtlinge
Fotografi: Idro Seferi II/DW

Erë e ftohtë fryn në rrugët e Beogradit. Qytetarët e kryeqytetit serb përgatiten për festimin e Krishtlindjeve ortodokse më 7 janar. Megjithë pandeminë e Coronës dyqanet janë hapur. Të mbështjellë në pallto të ngrohta njerëzit shëtisin në rrugët e blerjes apo përgjatë shëtitores në bregun e Savës.

Në afërsi të stacionit të autobusit për linjat e largëta në Rrugën Železnička në periferi të qendrës të del një pamje tjetër: Në një park të vogël përballë stacionit vjen vërdallë një grup fëmijësh e të rinjsh. Më i riu është 11 vjeç, më i madhi 17. Ata kanë marrë udhën si refugjat vetëm, shumica vijnë nga Afganistani. Disa nga djemtë janë të mbështjellë me batanije. "Këtë e kam blerë në treg", thotë Sherkati i mbathur me atlete dhe çorape të shkurtra. Edhe të rinjtë e tjerë dridhen nga të ftohtët. Lodhja u është vulosur në fytyrë. Të gjithë presin për një mundësi në drejtim të kufirit kroat apo hungarez. Sherkati ia ka dalë të kalojë kufirin serb, por situata në kufirin e BE-së ishte e keqe, thotë ai. "Në Kroaci policia më mori celularin, dhe më ktheu."

Situata nuk është më e mirë as në kampet serbe. Sherkati thotë se nuk e ka kartën e regjistrimit të autoriteteve serbe, dhe kush nuk është i regjistruar, nuk ka qasje në ofertën e ndihmave.

Serbien Belgrad | Balkanroute  unbegleitete minderjährige Flüchtlinge
Minorenë të pashoqëruarFotografi: Idro Seferi II/DW

Migrantë e mitur u shmangen autoriteteve

Bogdan Krasić nga organizata humanitare Save the Children e njeh situatën. Këta të mitur janë rrugës për në një shtet tjetër. Ata nuk duan të qëndrojnë në Serbi. Ka shumë minorenë në kampet zyrtare për azilkërkuesit, por për fat të keq ka edhe shumë prej tyre jashtë." Nuk është e lehtë t'u ndihmosh këtyre djemve të rinj. "Ata duan të shkojnë në Europën Perëndimore dhe iu shmangen organizatave humanitare dhe policisë."

Sherkati dhe të tjerët flenë në një vend ku po ndërtohet përballë parkut, shumë pranë shëtitores të rinovuar me milirda. Aty sheh konserva, batanije, dyshekë - shenja se refugjatët minorenë kanë qenë para pak kohe këtu. Një përkthyes telefonon Sherkatin. Ai i përgjigjet në telefon dhe thetë se bashkë me të tjerët kanë marrë pasdite autobusin për në qytetin Baçka Palanka në kufi me Kroacinë. Duan ta provojnë edhe njëherë.

Në kamp nuk ka vend për të miturit

Edhe Rizvanullahu dhe Ekrami nga Afganistani, të dy sipas të dhënave 15 vjeçarë, duan të largohen sa më shpejt drejt Europës. Ata kanë zënë vend në breg të lumit, megjithëse janë të veshur me xhaketa dhe batanije dimri dridhen. Vetëm një copë plastike e hollë është shtrati i tyre. Rizvanullahu do të shkojë në Francë, se aty ka të afërm. Tre vjet e gjysmë ka jetuar në Turqi. Aty kam punuar, por para nuk kam marrë, thotë ai. Më pas ka shkuar në Greqi. "Policia greke më rrahu dhe më ktheu në Turqi", rrëfen ai. Më pas ai e provoi përmes Maqedonisë së Veriut dhe kështu erdhi deri në Beograd. Prej dhjetë ditësh ata janë në Beograd dhe do donin të zinin një vend në kampin për migrantët minorenë. Por nuk është e lehtë. "Jam 15 vjeç dhe kam qenë në kampe ne Obrenovc, Shid dhe Adashevc. Por aty nuk më besuan që jam minoren. Më thanë se duhet të shkoj në një kamp për të rriturit dhe nuk më dhanë as kartë dhe as dokumente."

Raste të tilla nuk janë të veçuara. Shumë migrantë minorenë vijnë nga Turqia, përmes Greqisë në Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2015 dhe 2016 vëmendja e Europës ndaj të ashtuquajturit itinerari i Ballkanit ishte e madhe. Organizatat humanitare ofronin ushqim dhe përkujdesje mjekësore. Madje edhe transparencë. Dihej me afërsi se sa refugjatë ndodheshin në vende të caktuara.

Serbien Belgrad | Balkanroute  unbegleitete minderjährige Flüchtlinge
Fotografi: Idro Seferi II/DW

Një rrjet ndërkombëtar trafikantësh

Por nuk është më kështu, në një kohë që itinerari i Ballkanit është ende aktiv si rrugë refugjatësh. Gjendja e refugjatëve në Turqi, Greqi ka bërë që të rritet migrimi në itinerarin nga Greqia drejt Kroacisë dhe Hungarisë.

Katarina Jovanović është psikologe dhe studiuese.  Për studimin "Balkan Migration and Displacement Hub" të organizatës Save the Children ajo dhe ekipi i saj kanë intervistuar 40 refugjatë dhe arritën në konkluzionin, se minorenët vërtet udhëtojnë të vetëm por ndodhen nën kontrollin e kontrabandistëve. "Ata flasin për një Kashakbar, një lloj kryekontrabandisti, që qëndron në Afganisran dhe ndodhet në kontakt me kontrabandistët në terren."

Shpeshherë janë prindërit që kërkojnë kontaktin me Kashakbarin, për të ndihmuar që të nisin djalin e madh në Europën Perëndimore. Për këtë shpesh familjet futen në borxhe. "Ne mendojmë, se prindërit i lenë thjesht fëmijët të ikin dhe nuk kujdesen më, por nuk është kështu. Ata përpiqen të ruajnë një lloj kontrolli", thotë Jovanović.

Në rrugën drejt perëndimit kontrabandistët në terren të informuar më parë nga Kashakbari vendosen në kontakt me minorenët. Madje kështu rregullohet edhe qasja tek paratë. "Shumë minorenë nuk kanë para në dorë, sepse e dinë që kjo është e rrezikshme. Sipas marrëveshjes që është bërë me prindërit, ata marrin shuma të vogla parash nga kontrabandistët në terren." Përveç kësaj minorenët qëndrojnë në kontakt me prindërit, herë pas here kontrabandistët u japin karta telefoni, por kontrollojnë, se ç'flasin ata me prindërit.

Serbien Belgrad | Balkanroute  unbegleitete minderjährige Flüchtlinge
Fotografi: Idro Seferi II/DW

Dhunë dhe keqtrajtim seksual

Në shumë raste refugjatët minorenë bëhen viktima të dhunës e keqtrajtimit, madje edhe atij seksual. Për këtë ata nuk flasin me prindërit. "Nuk duan t'i shqetësojnë prindërit. Ata mendojnë, tani duhet të kaloj këtë situatë dhe duhet të jem i fortë, se nuk jam më i vogël. Sipas Jovanović, "ekziston një sistem, që herë i mbron minorenët por në shumicën e rasteve nuk e bën këtë dhe ata përjetojnë gjëra të tmerrshme."

Ndihmë zyrtare për migrantët e rinj nuk ka. Pandemia e Coronës shënoi edhe fundin e grupeve vullnetare të ndihmës. Përveç kësaj mungojnë edhe shifrat zyrtare të migracionit aktual. "Shohim dallime të mëdha në shifrat që publikon organizata UNHCR në nivel kombëtar dhe atë rajonal", thotë Bogdan Krasić. Ajo që vemë re, thotë Krasić është se po vijnë minorenë nga Greqia, dhe mendojmë, se shifra e tyre është e lartë edhe në vendet përgjatë itinerarit të Ballkanit, por shifrat e UNHCR-it nuk e pasqyrojnë këtë. Faktikisht nuk e dimë se sa minorenë janë vërtet në rrugë e sipër, thotë Krasić.

Katarina Jovanović është e mendimit, se të dhënat gjithnjë e më pak të sakta për migrantët janë pjesë e politikës së refugjatëve të vendeve në itinerarin e Ballkanit. "Vetëm këtë herë na lanë autoritetet të flisnim me minorenët", kujton ajo kohën e fillimit të studimit në vitin 2018. Tani askush nuk i hyn më kësaj pune. "Nuk kemi qasje më tek të dhënat, ose ato vijnë sporadikisht dhe nuk përkthehen në anglisht. Mund të kuptosh qartë, se politika e informacionit ka ndryshuar."