1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fëmijët i vuajnë konfliktet e armatosura më shumë se të gjithë

Azeb Tadesse Hahn20 Korrik 2006

Mbi 2 milionë fëmijë janë vrarë gjatë 10 viteve të fundit në konfliktet e armatosura. 20 milionë fëmijë të tjerë janë detyruar të braktisin vendin e lindjes. Sudani, Uganda dhe Kongo janë vendet më të rrezikshme në botë për fëmijët, thonë ekspertët e organizatave humanitare.

https://p.dw.com/p/ArKv
Vajzë duke qarë, konflikti palestinezo-izraelit, Rripi i Gazës
Vajzë duke qarë, konflikti palestinezo-izraelit, Rripi i GazësFotografi: AP

Katë vite kanë kaluar që kur filloi konflikti në rajonin e Darfurit në perëndim të Sudanit. Këtu fëmijët rekrutohen si ushtarë. Por edhe në rast se munden t´i shpëtojnë ushtrisë, ata prapë vuajnë. Nga sëmundjet dhe uria. Problemi është se ata nuk i shkaktuan këto luftëra dhe nuk kanë asnjë shans për t´u vetëmbrojtur.

Zëdhënësi i Unicef-it për Gjermaninë, Rudi Tarneden e sheh shkakun e vuajtjeve të fëmijëve tek situata që ka ndryshuar: Luftërat klasike që luftohen nga ushtritë po bëhen gjithnjë e më të rralla, dhe kështu populli preket direkt. Fenomen karakterizues për këto "luftëra të reja", është se strukturat shtetërore thyhen dhe grupe të ndryshme luftërash civile sulmojnë njëri-tjetrin.

Shumë aleanca prishen dhe populli i vuan ato. Rudi Tarneden:"Aty shkatërrohen fshatra të tëra, tubacionet e ujësjellsëve. Aty merren mjekët peng, gratë dhe vajzat terrorizohen dhe përdhunohen. Pra me pak fjalë, populli i thjeshtë është më i prekuri dhe fëmijët i vuajnë të gjitha."

Vendet më të rrezikshme në botë për fëmijët janë Sudani, Uganda veriore, Republika Demokratike e Kongos, Iraku, rajonet autonome palestineze, Çeçenia dhe Mijanmari, ish Burma. Mbi 1 milionë fëmijë janë kthyer në jetimë në këto vende, ose janë ndarë me dhunë nga familjet e tyre. Në fakt sot ka shumë më pak luftëra në botë se në shekullin e 19-të, por rajone kronike konfliktesh si në Kongo apo në Afganistan, ekzistojnë deri më sot. Shumica e të ashtuquajturave "luftërat e reja", zhvillohen në kontinetin afrikan.

Pasojat janë katastrofale për popullsinë, e cila jeton nën kushte të vështira:"Le të marrim si shembull konfliktin në Darfur: Ka 4 vite tashmë që aty pothuajse 3 milionë njerëz jetojnë vetëm nga ndihmat humanitare, duke qënë kështu të varur nga bashkësia ndërkombëtare. Ata jetojnë në një rajon shkretëtire, në çadra. Gjysma e njerëzve janë të rinj dhë fëmijë, të cilët nuk kanë perspektivën më të vogël: Ata nuk mund ta përfytyrojnë më jetën e tyre larg këtyre çadrave. Ata jetojnë me frikë dhe është shumë e vështirë që t´u krijosh pak normalitet dhe ndonjë perspektivë."

Edhe Somalia dhe Afganistani, ku të ashtuquajturit "warlords" zhvillojnë pa mëshirë luftërat e tyre, janë vende brutale për fëmijët. Ky fakt ka të bëjë me keqësimin e sigurisë dhe varfërinë në vend. Mbi një të tretat e fëmijëve që lindin në Afganistan dhe një të pestat e atyre që lindin në Somali, vdesin para ditëlindjes së tyre të pestë. Fëmijët e tjerë, që mbijetojnë në varfëri, duhet të punojnë për të mbështetur familjet e tyre.

Një problem tjetër i rëndë është se fëmijët abuzohen si ushtarë. Unicefi ka filluar në shumë vende programe demobilizimi. Kjo është një përpjekje e vogël, për t´i rikthyer fëmijët në jetën normale. Rudi Tarneden nga Unicef tregon:"Programe të tilla po zhvillojmë në lindje të Kongos, si edhe në Darfur, Uganda dhe Liberi. Edhe në Afganistan ekzistojnë projekte të tilla. Ato janë të rëndësishme, sepse i sinjalizojnë opinionit publik se detyrimi i fëmijëve që të luftojnë, është një krim i patolerueshëm lufte. Këta fëmijë duhet të bëjnë shpesh gjëra të tmerrshme. Ata ndahen me forca nga prindërit e tyre dhe nuk dinë ku të shkojnë. Dhe kthimi i tyre në një jetë normale, është një proces i vështirë."