1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Füle: Data për fillimin e negociatave varet nga dialogu me Prishtinën

Bahri Cani19 Mars 2013

Komisioneri për zgjerimin e Bashkimit Evropian Stefan Füle vizitoi Beogradin ku u takua me autoritetet më të larta serbe. Data e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE-në, varet nga suksesi i dialogut me Kosovën.

https://p.dw.com/p/17zlS
Stefan Füle
Stefan FüleFotografi: picture-alliance/dpa

Marrja e datës për fillimin e negociatave të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian varet nga suksesi i dialogut me Prishtinën, normalizimi i raporteve me Kosovën, si dhe dhe zbatimi i reformave të parashikuara, bëri të ditur gjatë vizitës në Beograd, Komisioneri për zgjerimin e Bashkimit Evropian Stefan Füle.

"Së bashku me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Chaterine Ashton ne i mbështesim përpjekjet e Serbisë për integrime evropiane dhe duam që këto përpjekje të rezultojnë me sukses", deklaroi Füle pas takimit me presidentin e Serbisë Tomisllav Nikoliq, të mbajtur në Beograd. Füle mbështeti dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit që po zhvillojnë kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq si dhe mes presidentëve Atifete Jahjaga dhe Nikoliq, që janë zhvilluar në Bruksel. Füle tha se Serbia duhet të intensifikojë edhe përpjekjet për zbatimin e reformave në sektorin e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit dhe diskriminimit, si dhe për lirinë e shtypit dhe mbrojtjen e grupave të ndryshme minoritare.

Nikoliq: edhe pala tjetër duhet të bëjë lëshime

Tomislav Nikoliq
Tomislav NikoliqFotografi: Reuters

Nikoliq nga ajna e tij tha se Serbia është e gatshme për çdo lloj dialogu me BE-në, duket shtuar se vendi i tij po bën të gjitha që janë në mundësinë e tij për të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Sipas tij, nëse negociatat me Prishtinën ngelen në vend, kjo nuk do të jetë për fajin e Serbisë, sepse "Serbia ka bërë shumë lëshime".

"Unë falënderoj zotin Füle që ka ardhur për vizitë në Beograd. Ne jemi të hapur për dialog të vazhdueshëm dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me datën e mundshme për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Mendojmë se Këshilli i Evropës mund të paraqesë një dokument pozitiv ku edhe Serbia do të jetë pjesë e bashkësisë të cilës i takon në aspektin politik, ekonomik dhe gjeografik", theksoi Nikoliq.

Presidenti i Serbisë bëri të ditur se në bisedimet me Fülen ka paraqitur qëndrimin se "Serbia ka bërë shumë dhe është e hapur të bëjë të gjitha që janë në mundësinë e saj, por nuk do të dalë jashtë kornizave të rezolutës së parlamentit të Serbisë për Kosovën dhe Metohinë".

"Ne nuk do të kërkojmë më shumë se respektimin e kësaj rezolute, por nuk do të kërkojmë as më pak. Për marrëveshje edhe të tjerët duhet të bëjnë diçka. Serbia po e zgjidhë çështjen e Kosovës në kohërat më të vështira", pohon Nikoliq. Sipas tij, dialogu me palën kosovare ëshë nisur me "qëllim të sinqertë që të arrihet marrëveshje për paqën, sigurinë, prosperitetin dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve në Kosovë, si serbëve ashtu edhe shqiptarëve".

Stefan Füle viziton këtë të martë Prishinën ku do të takohet me autoirtetet më të larta të Kosovës.