1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fantazmat e Beogradit

Nemanja Rujevic19 Maj 2016

Katër javë pasi banditë të maskuar shkatërruan me ekskavatorë një lagje të Beogradit, vëzhguesit mendojnë se pas aksionit është qeveria.

https://p.dw.com/p/1IqCH
Fotografi: imago/Pixsell/SrdjanxIlic

Kohë më e mirë nuk mund të gjendej: mbrëmjen e së dielës, më 24 prill, kur e gjithë Serbia qe ulur si e hipnotizuar para televizorëve duke pritur rezultatet e para të zgjedhjeve parlamentare, mbi 30 burra të maskuar dhe të pajisur me shkopa bejsbolli dhe tre ekskavatorë, shkatërruan disa ndërtesa, objekte ndërmarrjesh dhe një restorant në lagjen Savamala. Autorët e bllokuan për këtë arsye rrugën me dy kamionë, arrestuan kalimtarët e rastësishëm, kërcënuan me dhunë dhe konfiskuan telefonat celularë. Gjithë natën eskavatorët dhe makineritë e tyre bubullinë, por as zhurma, as telefonatat e qytetarëve nuk i bënë nëpunësit e rajonit të policisë aty pranë që të ndërhynin. Në agim kishin mbetur vetëm rrënoja - dhe kjo në mes të kryeqytetit serb Beograd.

"Objekte ilegale"

Vladimir Miljević, drejtor i një firme ndërtesa, e së cilës u shkatërrua, tregon se kishte marrë në telefon edhe tek policia ndërtimore dhe në bashki, por kudo i kishin dhënë të njëjtën përgjigje: ne nuk jemi përgjegjës për këtë dhe nuk e kemi idenë, se kush mund të kenë qenë të maskuarit.

Mediat kryesore heshtën për këtë ngjarje. Informacione mbi "fantazmat e Savamalas" u shpërnda vetëm përmes rrjeteve sociale, si dhe disa portaleve të pavarura të internetit apo gazetave javore, që i referoheshin edhe Avokatit të Popullit Sasha Jankoviq - të cilin qeveria konservatore e ka prej kohësh halë në sy - i cili vuri në dukje në raportin e tij se kemi të bëjmë me krim të organizuar që mbulohet nga shteti.

Serbien Belgrad Zerstörung von Häusern im Stadteil Savamala
Fotografi: imago/Pixsell/SrdjanxIlic

Në Serbi po lind një vakum ligjor, sepse ligjet shfuqizohen sipas dëshirës në mënyrë arbitrare, mendon avokati dhe ish-ministri i Brendshëm Bozo Prelevic. Ashtu si shumë kritikë të tjerë, ai arrin në përfundimin se bandën e kanë organizuar, ose të paktën toleruar, ata që janë në pushtet. "Askush tjetër nuk do të guxonte që në mes të natës të shembte ndërtesa të tilla pa pasur pas vetes qeverinë dhe policinë", tha Preleviq në intervistë për DW.

Kryeministri Aleksandër Vuçiç u përpoq t'i minimizonte ngjarjet dhe i bëri thirrje publikut, që të presë me durim hetimet. Faktin që shërbimi komunal i qytetit i pastroi mbeturinat pa pritur që policia të siguronte provat, Vuçiçi nuk e përmendi.

Spastrim për investitorët?

Dyshohet se operacioni i natës duhet të lidhet me projektin e diskutueshëm "Beogradi në ujë". Pjesa më e mirë e kryeqytetit serb në bregun e lumit të Savës është e rezervuar për një lagje për zyra, apartamente luksoze dhe qendra tregtare. Ky është projekti më i dashur i Partisë së Progresit dhe liderit të saj Vuçiç. Ish-nacionalisti tani shitet si evropian i madh që angazhohet për një klimë të mirë për investime. Madje edhe pse kjo nuk është e qartë se sa para duan të investojnë saktësisht investitorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe, se çfarë do të ndërtojnë dhe se kur do të përfundojë ndërtimi, zona tashmë është spastruar, sepse një gjë të tillë qeveria ua ka siguruar me kontratë investitorëve.

Serbien Belgrad Zerstörung von Häusern im Stadteil Savamala
Fotografi: imago/Pixsell/SrdjanxIlic

Megjithë për protestat kundër këtij projekti, në të cilat morën pjesë rreth 5000 vetë dhe që mbështeten edhe nga partitë e opozitës ,avokati Bozo Prelevic mendon se ato nuk do të sjellin shumë. "Në këtë mjedis politik qytetarët kanë vetëm dy mundësi: ose të jenë anëtarë të partive në pushtet - ose të emigrojnë, sepse aty ku disa janë mbi ligjin, nuk ka më shtet." Duke aluduar për mbështetjen pothuajse plebishitare dhe një shumicë absolute që partia e Vuçiçit fitoi në zgjedhjet në fund të prillit, Prelevic tha: "Shumë njerëz duket se e pëlqejnë stilin e tij të qeverisjes, por unë mendoj se investitorët ndërkombëtarë dhe Bashkimi Evropian janë të një mendimi tjetër. Diçka e tillë nuk ndodh në një shtet të organizuar në një lloj mënyre."