1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Faqe të re për emigratët shqiptarë të Greqisë

28 Dhjetor 2009

Qeveria socialiste e Jorgos Papandreut një projektligj që u jep fëmijve të imigrantëve të drejtën e nënshtetësisë greke dhe të gjithë emigrantëve të drejtën e votës dhe të zgjedhjes në pushtetin vendor.

https://p.dw.com/p/LFj0
Fotografi: AP

Konsekuente në deklaratat e saj programatike qeveria e re e socialistëve grekë të Jorgos Papandreut që në hapat e para të mandatit të saj hap një faqe të re në politikën greke ndaj emigracionit. Këshilli i Ministrave diskutoi dhe miratoi në një mbledhje të hapur – një praktikë novatore dhe e mirëpritur e kabinetit të ri – projektligjin e Ministrisë së Brendshme që u njeh fëmijve të emigratëve të drejtën e përftimit të nënshtetësisë greke dhe të drejtën e votës dhe të zgjedhjes në pushtetin vendor imigrantëve me pesë vjet qëndrimi të ligjshëm në Greqi.

“Si mund të shpresojmë në një të ardhme krijuese me progres dhe mirëqënie për Greqinë pa përfshirë ata që jetojnë midis nesh, kontribuojnë dhe mund të kontribuojnë me pagesën e taksave, kontributet për sigurimet shoqërore, kontributin e tyre në kulturë, fqinjësinë tonë, madje edhe në mbrojtjen tonë,” - deklaroi Papandreu, i cili integrimin e imigratëve e cilësoi një “sfidë që Greqia nuk ka komoditetin që ta humbasë”.

Papandreu: Patriotizëm i ri i një shoqërie të hapur

Sipas projektligjit nënshtetësinë greke e përfton fëmija e huaj njëri prej prindërve të së cilit ka qëndrim të vazhdueshëm dhe të ligjshëm 5-vjeçar në Greqi dhe prindërit bëjnë kërkesë të përbashkët regjistrimi të saj në regjistrin themeltar të bashkisë ku jetojnë. E njejta procedurë aplikimi deri edhe tre vjet pas plotësimit të moshës 18-vjeçare parashikohet dhe për fëmijët që kanë kryer tri klasat e para të arsimit të detyruar në Greqi. Automatikish dhe pa aplikim e përftojnë nënshtetësinë greke fëmijët e emigrantëve që lindin në Greqi dhe nuk mund të përftojnë nënshtetësi tjetër, ose në rastet kur njëri prej prindërve të tyre ka lindur dhe jeton në Greqi.

Jorgos Papandreu
Jorgos PapandreuFotografi: AP

Të gjithë të huajt që janë të martuar me bashkëshort grek – një kontigjent i madh ky në mesin e shqiptarëve – përftojnë automatikisht të drejtën e nënshtetësisë, kurse të tjerët duhet të kenë 5 vjet qëndrimi të ligjshëm 10 vitet e fundit dhe dëshmi penalitetit të bardhë. “Duam dhe ky është synimi ynë që grek të bëhet ai që dëshiron të bëhet,” - deklaroi ministri i Brendshëm Janis Ragusis, i cili sqaroi se Greqia po përmbush “me vonesë” një obligim të saj në kursin komunitar që është në favor të integrimit të imigrantëve.

Jo vetëm nënshtetësia por edhe e drejta e votës dhe e zgjedhjes

Bashkë me nënshtetësinë ofrohet edhe e drejta e votës dhe e zgjedhjes për rreth 250.000 shqiptarë dhe të huaj të tjerë që jetojnë në Greqi, me kusht që të kenë 5 vjet qëndrimi të ligjshëm atje dhe statusin e qëndrimit afatgjatë. Të huajt mund të zgjidhen këshilltarë bashkiakë por jo edhe kryetarë bashkish. Kjo shkaktoi edhe reagimin negativ të partisë nacionaliste LAOS, sipas së cilës “po hapet dera e Cerberit për helenizmin” dhe se “popullsia po tjetërsohet”. E majta foli për “hapa të nevojshme” që nuk duhet të degradohen në “politika bamirësie”.

Papandreu foli për konsensus politik dhe zëra të pakta ekstreme që i kundërvihen politikës së barazisë sociale ndaj emigrantëve dhe drejtoi apel për një “patriotizëm të ri të shoqërisë së hapur”. Në këtë apel të tij ai ka edhe në krah kishën, kreu i së cilës Ieronimos, një figurë e moderuar dhe e njohur për ndihmën e saj ndaj imigrantëve, ishte i pranishëm edhe në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. “Nuk mund të mbetemi secili i izoluar në suazën e vet” tha kryepeshkopi në të të njejtën frekuencë me Papandreun që më parë kishte vizituar Qendrën e Ushqimit të të Pastrehëve Grekë dhe të Huaj të Bashkisë së Athinës - 35.000 në numër - ku, siç tha, u trondit nga “dhimbja e gjithë botës”.

Autor: Niko Anagnosti
Redaktor: Pandeli Pani