1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Farsë zgjedhore në Çeçeni

Karla Engelhardt28 Nëntor 2005

Për herë të parë, pas tetë vjetë lutërash dhe gjakderdhjesh, në Çeçeni u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. I tërë procesi u dëshmua si një farsë, sepse zgjedhësit nuk kishin ndonjë alternativë të vërtetë

https://p.dw.com/p/ArCg
Fotografi: AP

Inskenimi ishte perfekt. Në Çeçeni asgjë nuk ishte e rastit, ndërkohë që as zgjedhësit nuk mund të vendosnin. Fitorja e partisë së afërt me Kremlinin "Rusia e Bashkuar", ishte e qartë që para zgjedhjeve, e madje edhe para paraqitjes së listave të kandidatëve. Në sondazhet parazgjedhore thuhej se kjo parti do të fitojë më shumë se 70 përqind të votave. Natyrisht me mbështetjen e dhjetëra mijëra ushtarëve rusë të stacionuar në Çeçeni. Ndërkohë që zgjedhjet u përcollën me manipulime të shumta në kutitë zgjedhore.
Madje edhe opozita është organizuar nga personi i afërt me Kremlinin, Ramzan Kadirov. Ky 29 vjeçar është i biri i presidentit, Ahmed Kadirov, të vrarë në vitin 2004. Ai ishte shumë zemërgjërë në ndarjen e mandateve parlamentare për familjarët dhe anëtarët e klanit të tij.
Zëvendëskryeministri Ramzan Kadirov llogaritet si mbështetësi më i rëndësishëm i Moskës në Çeçeni. Armata e tij private ua ka futur çeçenëve në palcë frikën dhe tmerrin. Ajo kryen punët e ndyra për shërbimet ruse të sigurisë. Të ashtuquajurit "Kadiroci", ushtrojnë presion, kidnapojnë dhe keqtrajtojnë të tjerët.
Presidenti rus, Vlladimir Putin e mbështetë Ramzan Kadirovin, të cilit i ka ndarë madje edhe çmimin e heroit rus. Deri tani ka hedhur poshtë të gjitha paralajmërimet. I ngarkuari i tij për Kaukazin, Dimitri Kozak në verë i ka dorëzuar Putinit një raport, sipas së cilit rreziku më i madh në Çeçeni vjen nga elitat e pakontrolluara dhe korrupte, e jo prej terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremistëve islamikë.
Disa struktura të ngushta qeveritare kanë futur nën kontroll të gjitha resurset ekonomike dhe politike. Miliona e miliarda rubla të dedikuara për rindërtim janë zhdukur në rrugën prej Rusisë deri në Çeçeni. Kontrolli nga jashtë është i pamundur.
Këto zgjedhje i kanë forcuar pozicionet e Kadirovit, i cili në të ardhmen do të bëhet edhe president. Ai e konsideron të mbyllur procesin e demokratizimit të vendit. Çeçenia tashmë ka një kushtetutë, presidentin, parlamentin dhe përgjegjësinë për dhunën dhe varfërinë e pafund. Mirëpo, paqa e premtuar para katër vitesh, në Çeçeni ende nuk duket në horizont.