1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Feja islame është pjesë e kulturës ekzistuese

Klaus Dahmann30 Maj 2006

E rëndësishme është vendosja e fesë islame në rang të barabartë me besimet e tjera në Gjermani

https://p.dw.com/p/Ar0S
Vizitorë gjermanë në një xhami në Gelsenkirchen
Vizitorë gjermanë në një xhami në GelsenkirchenFotografi: AP

Cili është roli që mund të luajnë myslimanët ose organizatat islamike në Gjermani? Cili është qëndrimi që duhet të mbajnë kishat katolike ndaj tyre? Këto janë disa nga pyetjet, që ishin në qendër të debatit të zhvilluar në kongresin e katolikëve gjermanë që përfundoi para dy ditësh në Zaarbryken.

Eskperti i të drejtës kushtetuese nga Triri, Gerhard Robers, nuk e pranon tezën, sipas të cilës feja islame qenka trup i huaj në Gjermani dhe Evropë. Përkundrazi, "feja islame është pjesë përbërese e kulturës ekzistuese. Prandaj edhe i duhet dhënë hapësirë në të përditshmen tonë," – kërkon ai.

Kjo hapësirë për Robers do të thotë së pari vendosja e fesë islame në rang të barabartë me besimet e tjera. Konkretisht "që shoqatat myslimane të përfaqësohen me të drejtë vote në Këshillat e Radiotelevizioneve Publike. Ose që ato të marrin pjesë në vlerësimin e filmave, në përkufizimin e skenave pornografike apo skenave të përshtatshme për t’ua treguar grupmoshave të ndryshme."

Realizimin e kësaj kërkese e vështirësojnë në radhë të parë vetë komunitetet myslimane të Gjermanisë. Ato janë në konkurrencë, dhe nuk kanë një shoqatë të përbashkët, që t’i përfaqësojë interesat e tyre, gjë që e kërkon edhe shteti gjerman. Për këtë shkak barazia juridike e fesë islame me komunitetet e tjera fetare është ende larg.

Barazia juridike nuk mjafton thotë zëvendëskryetari i shoqërisë kristiano-islamike në Këln, Thomas Lemmen: "Integrimi dhe akceptanca duhet të vijnë nga poshtë. Vetë komunitetet nuk duhet ta përjashtojnë veten nga bashkëjetesa shoqërore, që xhamitë të mos të konsiderohen më si trupa të huaj por si pjesë e bashkëjetesës së mirë fqinjësore, që ato të ofrojnë aktivitete të rëndësishme për njerëzit në bashkësi, pra si për shembull, ndihmë shkolle për nxënësit e dobët."

Degë shoqatash myslimane kanë filluar të praktikojnë koncepte të tilla. Jo vetëm nisma krist-myslimane e krijuar në Këln, por edhe një xhami që po ndërtohet në Duisburg, dhe që synon të shërbejë si pikë takimi për besimtarë të të gjitha kulturave. Landi i Nordrajn Vestfalisë po investon më shumë se dy milionë Euro në këtë projekt.

Megjithatë Lemen vëren mangësi në mbështetjen e shtetit ndaj angazhimit të bashkësive fetare në shoqëri. "I gjithë dialogu kristiano-islamik në Gjermani zhvillohet mbi baza vullnetare. Përsa kohë që atë e konsiderojmë të pavlefshëm, nuk ka përse të çuditemi, se përse ai nuk ka shumë sukses."

Lemmen sugjeron, që bashkësitë katolike dhe evangjeliste t'u ofrojnë partneritet atyre myslimane. Për shembull sa u përket strukturave administrative, bashkësitë myslimane nuk kanë shumë përvojë dhe u nevojitet ndihma.

Eksperti i të drejtës kushtetuese, Gerhard Robers megjithatë thekson, se jo vetëm kishat dhe shteti gjerman duhet të angazhohen për integrim sa më të mirë të shoqatave myslimane në shoqëri. Edhe vetë komunitetet duhet të bëjnë të tyren: Ato duhet të dalin hapur në mbështetje të parimeve bazë të shtetit juridik dhe t’ua bëjnë të qartë këtë edhe komuniteteve te tyre: "Besnikëria ndaj ligjit është e vetëkuptueshme. Barazia ndërmejt burrit dhe gruas është njëri nga ligjet që duhen respektuar, por edhe liria e ushtrimit të fesë për myslimanët që vijnë si migrantë në Gjermani: Kjo është diçka që nuk kërkohet vetëm nga ne, por edhe nga myslimanët," – përfundon Robers.