1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Feja islame mund të demokratizohet

Filiz Kükreol17 Nëntor 2004

Pas trazirave në Holandë të shkaktuara pas vrasjes së regjisorit Theo van Gogh shumë njerëz në Evropë përshkohen nga një ndjenjë jo e mirë, kur dëgjojnë fjalën musliman. Sondazhet e organizuara në disa vende të Evropës, përfshi edhe Gjermaninë, treguan se shumica e njerëzve e lidhin islamizimin me terrorin dhe fundamentalizimin. Shumë qytetarë mendojnë se islamizimi nuk bën pjesë në botën e civilizuar dhe nuk është i aftë për demokraci. Në institutin gjermano-amerikan në Heidelberg u mblodhën për të disktuar për këtë temë shkencëtarë nga disa vende të botës që merren me fenë islame.

https://p.dw.com/p/ArFo
Evropa burim për demokratizimin e muslimanizimit
Evropa burim për demokratizimin e muslimanizimitFotografi: AP

Shtypja e femrës, mungesa e të drejtave të njeriut, e lirisë së mendimit dhe e ushtrimit të besimit, kështu e përfytyrojnë shumica e evropianëve botën islame. Shumëkush e ka të vështirë kur mundohet ta kritikojë këtë fe. Dhe ka edhe raste si ai i regjisorit Theo van Gogh, i cili ra viktimë e islamistëve radikalë për shkak të kësaj kritike.

Për këtë si politikanët evropianë edhe shkencëtarë nga vendet arabe që merren me fenë islame kërkojnë një reformim të fesë islame. Dhe ata mendojnë se një shanc të madh për këtë mund të ketë në Evropë.

Sadik Al-Azm, profesor në Universitetet e Damaskut dhe të Bejrutit është i bindur se feja islame mund të demokratizohet.

"E rëndësishme është që të kemi një konfrontim të përgjithshëm me këto çështje, dhe të mos i biem vërdallë. Duhen pranuar disa reforma në teologjinë dhe drejtëshkrimin e fesë islame, sepse kjo do ta lehtësonte përshtatjen e shoqërive islamike me ato moderne dhe përfshirjen në globalizim, demokraci dhe rrethanat e shekullit të 21-të."

Një dialog të hapur brënda fesë islame kërkojnë edhe studiuesit nga
Teherani, Parisi apo Laideni. Qëllimi i këtij dialogu duhet të jetë një fe islame që mund të përputhet me parimet e demokracisë.

Profesor Sadik Al-Azm në lidhje me këtë mendon:

"Reformat fetare do të çonin në një fe islame të reformuar. Me këtë mund të arrihej edhe shtimi i përkrahjes ndaj praktikave demokratike si p.sh. ideja e barazisë së të gjithë qytetarëve, qofshin burra apo gra, apo që edhe femrat mund të zgjidhen në parlament."

Muhamed Arkun, ish-pfrofesor në Universitetin Sorbone të Parisit thotë se zhvillimi i fesë kristiane në një formë sot kompatible për demokracinë është i lidhur ngushtë me historinë evropiane të iluminizimit dhe të zhvillimit të të drejtave të njeriut. Për këtë kjo fe është e lidhur ngushtë me modernen, ndërsa zhvillimet në fenë islame janë të kundërta. Por me ndihmën e përvojës evropiane mund të arrihet një reformë e fesë islame përmes Evropës.

"Ky reformimim duhet të bëhet në Evropë, sepse aty sundon demokracia. Në shumë vende evropiane jetojnë muslimanë, por ata nuk kanë asnjë lloj pjesëmarrjeje në shoqëri. Ata ose nuk e kanë marrë nënshtetësinë e vendit ku jetojnë, ose e kanë atë por nuk janë në gjendje që të sjellin në një emërues të përbashkët përfytyrimet e një shoqërie demokratike me fenë islame. Nga ana tjetër këta persona janë edhe tepër konservativë kur është fjala për kritikë ndaj besimit të tyre. Për këtë muslimanët evropianë duhet të shkollohen në universitete në mënyrë që të jenë në gjendje të marrin pjesë në debatet aktuale për demokracinë dhe diskutime të tjera. Vetëm në këtë mënyrë mund të kemi një islam evropian, një zë evropian në çështjet islamike." - thotë Arkun.

Ai mendon se shumë konflikte mes muslimanëve dhe jo-muslimanëve në Evropë bazohen tek injoranca e të dyja palëve. Shumë muslimanë i injorojnë përvojat pozitive të jetesës në shoqëri demokratike, ndërsa evropianët i harrojnë shpesh përpjekjet që kishin bërë për krijimin e shoqërive demokratike në vendet e tyre. Po ashtu sa i përket gjendjes në vendet muslimane nuk duhet harruar se në teori dhe në praktikë egzistojnë shumë forma të demokracisë.

Ekspertët janë të mendimit se feja islame mund të demokratizohet. Ata tërheqin vëmendjen në vende të tilla si Turqia apo Indonezia në të cilat muslimanizimi është integruar në shoqëri në një formë krejt tjetër nga ajo që ndeshim në vendet arabe. Megjithatë ka ardhur koha për reforma thelbësore dhe impulsi për këtë duhet të vijë prej muslimanëve të Evropës.