1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Festa e Vitit të Ri në rrezik?

Kay-Alexander Scholz30 Dhjetor 2015

Gëzimi është i madh, që ardhja e Vitit të Ri si çdo herë para Portës së Brandebnburgut në Berlin të festohet si duhet me shpërthimin e shampanjës. Por ka edhe shqetësime, se mund "të shpërthejë" edhe për arsye të tjera.

https://p.dw.com/p/1HW72
Berlin, Neujahrsfeiern
Porta e Brandneburgut - Festa e pritjes së Vitit të Ri 2015Fotografi: Reuters

Në vigjilje të festës së ndërrimit të viteve në Gjermani sivjet janë në fuqi masa më të rrepta sigurie. Më shumë në fokus është Berlini, sepse pikërisht atje zhvillohet festa më e madhe në mbarë Gjermaninë. Përgjatë bulevardeve mes Portës së Brandenburgut dhe Kolonës së Fitores prej vitesh qindra mijëra vetë festojnë ndërrimin e viteve, e kryesisht ata janë turistë.Por kush planifikon sivjet të shkojë atje, duhet të marrë parasysh udhëzimet e shumta të policisë. Janë të ndaluara: çantat e shpinës, valixhet apo stolat portativë, shishet e qelqit, fishekzjarrët, megafonët apo projektorët me lazer.

E gjithë hapësira përreth të ashtuquajturit kuartieri i festës, është bllokuar pjesërisht qysh gjatë ditëve të Krishtlindjeve. Në pikat e hyrjes do të ketë kontrolle të imta të personave. 900 policë dhe rreth 600 forca të rendit do të jenë të mobilizuara, shifra këto të padëgjuara ndonjeherë më parë për një festë të pritjes së Vitit të Ri.

Aufbau der Festmeile am Brandenburger Tor
Duke u përgatitur kuartieri i festës në Portën e Brandenburgut në Berlin sivjet me mjaft ndalimeFotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Por sidoqoftë festa do të zhvillohet. Në Moskë sivjet Sheshi i Kuq qendron i mbyllur. Kushdo që i drejtohet Sheshit të Kuq do të kthehet mbrapsht prej policisë, me këto fjalë e citon agjencia e lajmeve AFP shefin e sigurisë së Moskës Aleksej Majorov. Argumentimi zyrtar është: në shesh zhvillohet një koncert, që do të regjistrohet nga televizioni shtetëror Kanali Një dhe të cilin mund ta ndjekin vetëm të ftuar. Por ka disa moskovitë, që këtë arsye e konsiderojnë si pretekst. Mbyllja e sheshit të kuq është njësoj sikur "të mbyllej Time Square në Nju Jork", i tha - sipas mediave - ish-deputeti Aleksander Kliukin radios Kommersant.

Silvesterfeuerwerk auf dem Roten Platz in Moskau
Normalisht në Shehsin e Kuq në Moskë ndërrimi i viteve pritet me fishekzjarrëFotografi: Reuters/Tatyana Makeyeva

Mediet austriake pak para Krishtlinjdeve njoftuan, se ka paralajmërim për terror në kryeqytetet europiane. Të dhënat për këtë e kanë burimin nga një shërbim sekret mik. Sipas këtij burimi atentatorë të mundshëm duhet të jenë në rrugë e sipër drejt Europës. Policia në Vjenë si rrjedhojë njoftoi, se "në vendet ku grumbullohen njerëz, në periudhën mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri mund të ndodhë ndonjë atentat me lëndë shpërthyese". Ky informacion nënkutpon "një gjendje rreziku të lartë abstrakt të njohur në përgjithësi", ndaj autoritetet e policisë në mbarë Europën "kanë intensifikuar masat policore". Autoritetet austriake megjithatë deri tani nuk shohin arsye për t'i anulluar veprimtaritë e planifikuara.

Masat e sigurisë për Berlinin me sa duket nuk kanë ndonjë lidhje direkte me njoftimet nga Vjena, sepse deklarata e shtypit lidhur me këtë në Vjenë është publikuar qysh më 22 dhjetor.

Pak para natës së ndërrimit të viteve, policia belge në Bruksel vuri në dukje, se me gjasë në minutën e fundit është parandaluar një sulm i planifikuar për natën e Vitit të Ri. Dy persona u arrestuan nën dyshimin, se kishin planifikuar atentate në disa pika të frekuentuara në kryeqytetin e Belgjikës gjatë natës së Vitit të Ri, siç njoftoi prokuroria e Përgjithshme. Nuk ka pasur të dhëna për kërcënim serioz".

Vetëm përgjigje "në përgjithësi" nga Ministria e Brendshme

Që pas sulmeve të Parisit masat e sigurisë në Gjermani në përgjithësi janë përforcuar. P.sh. nëpër stacione trenash që nga ajo kohë policia patrullon me automatik. Lidhur me paralajërimin nga Vjena Ministria e Brendëshme nuk donte të prononcohej direkt, por u shpreh vetën në mënyrë "të përgjithshme".

Një zëdhënës i ministrisë i tha DW-së, se: "ne shkëmbejmë intensivisht informacionin me partnerët austriakë. Ne nuk prononcohemi lidhur me hollësitë e masave të atjeshme." Gjermania, ashtu si edhe shtetet e tjera europiane, ndodhet në fokus të terrorizmit ndërkombëtar, thuhet më tej. Edhe më tej duhet të merret parasysh një rrezikshmëri e lartë prej terrorizmit ndërkombëtar. Autoritetet e sigurisë në këtë kontekst do t'i përshtasin vazhdimisht me situatën aktuale masat mbrojtëse në varësi të të dhënave të ndryshme.