1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fidalgo: Situata politike, rol kyç në vlerësimin e Komisionit Evropian për Shqipërinë

10 Nëntor 2010

Për Malin e Zi u propozua statusi i vendit kandidat nga Komisioni, për Shqipërinë jo. Ekskluzivisht për Deutsche Welle-n, shefja e njësisë për Shqipërinë dhe Malin e Zi në Komisionin Evropian, Marta-Garcia Fidalgo.

https://p.dw.com/p/Q3L7
Pamje simbolikeFotografi: DW / Aida Cama

Në vlerësimin vjetor që Komisioni Evropian i bëri stadit aktual të përgatitjeve të vendeve kandidate për në BE dhe atyre aspirante për këtë status, përmenden arritjet por edhe sfidat që këto vende kanë përpara. Për Malin e Zi u propozua statusi i vendit kandidat, për Shqipërinë jo. Për Shqipërinë vendimi të enjten u shty.

Shefja e njësisë për Shqipërinë dhe Malin e Zi në Komisionin Evropian z. Marta-Garcia Fidalgo menjëherë pas publikimit të raportit i vlerëson kështu opinionet e Komisionit: "Mendoj se opinionet për të dyja vendet reflektojnë realitetin në vend, dhe realiteti në këto dy vende është i ndryshëm. Ka një dallim të vërtetë mes situatës politike në Shqipëri dhe në Malin e Zi. Komisioni është vërtet i shqetësuar për gjendjen politike në Shqipëri që pas përfundimit të zgjedhjeve të qershorit 2009. Ne e kemi biseduar me autoritetet dhe me opozitën në Shqipëri që kjo gjendje politike pengon funksionimin e duhur të institucioneve demokratike dhe reformat e nevojshme për integrimin.

PK des EU Erweiterungskommissars Stefan Füle zu den Fortschrittsberichten
Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Stefan Füle paraqiti të enjten raportin vjetor të KE-së për zgjeriminFotografi: AP

Opinioni i Komisionit dhe rekomandimet e rij definitivisht reflektojnë gjendjen në të dyja vendet, por ne shpresojmë që ai do të ketë një efekt pozitiv dhe do të inkurajojë politikën shqiptare, të gjejë një zgjidhje duke respektuar kushtetutën shqiptare, duke respektuar transparencën, por mbi të gjitha në interes të vendit dhe qytetarëve shqiptarë, thotë zonja Fidalgo.

Gjendja politike ka efektin e vet në stabilitetin e institucioneve demokratike

Përsa i përket çështjes, nëse opinionin e KE-së për Shqipërinë e influencoi vetëm gjendja aktuale politike, Fidalgo thotë: "Mendoj se ajo ka luajtur një rol kyç. Sigurisht që nuk është vetëm kjo. Kjo është një analizë dhe mbulon disa fusha, politike dhe ekonomike, do të ishte shumë e thjeshtëzuar ta thoje shkurt, por definitivisht luajti një rol kyç. Komisioneri i BE-së për zgjerimin, (Stefan Füle) në konferencën e tij për shtyp theksoi në mënyrë të veçantë për Shqipërinë stabilitetin e institucioneve dhe gjendja politike ka efektin e vet në këtë stabilitet."

Parlament in Albanien, Innenansicht
ParlamentiFotografi: AP Photo

Shqipëria e ka vetë në dorë integrimin e mëtejshëm në BE

Se kur mund të shpresojë Shqipëria marrjen e statusit të vendit kandidat, shefja e njësisë për Shqipërinë dhe Malin e Zi në Komision thotë: "Kjo varet nga vetë Shqipëria. Nuk varet nga ne. Për çdo rast të jemi të qartë. Vendimi përfundimtar për statusin e vendit kandidat do të merret nga Këshilli, Komisioni bën vetëm vlerësime dhe propozime. Pra varet nga progresi i Shqipërisë, zgjerimi bazohet mbi merita. Është e e qartë dhe shumë e rëndësishmse se kur të përmirësohet situata politike, të ketë një dialog konstruktiv, mirëfunksionim të parlamentit - atëherë ky është një hap i qartë drejt statusit të vendit kandidat." Sipas Fidalgos është e rëndësishme të vazhdojë progresi në të gjitha fushat, në marrëveshjet që janë nënshkruar me BE-në, në shtetin ligjor dhe juridik luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Auron Dodi