1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

FIFA duhet të ndërmarrë tani hapat e duhur

S.H17 Nëntor 2005

Shtypi i sotëm fokusohet tek planet e koalicionit të madh dhe tek skandali që ndodhi në Stamboll gjatë ndeshjes Turqi-Zvicër.

https://p.dw.com/p/Arso
Turqia nuk do të marrë pjesë në kampionat botëror, 16 nëntor 2005
Turqia nuk do të marrë pjesë në kampionat botëror, 16 nëntor 2005Fotografi: AP


Gazeta Augsburger Allgemeine shkruan mbi koalicionin e madh:

"Angela Merkel mund të arrijë një fillim të ri të marrëdhënieve me Xhorxh Bushin dhe Toni Bler, marrëdhënie këto që mund ta çtensionojnë situatën e ndërlikuar që përjeton Berlini që prej fillimit të luftës në Irak. Por Merkel nuk ka ndërmend ta ndryshojë politikën paqësore gjermane kundrejt Irakut apo në Afganistan. Sidoqoftë toni i politikës sonë të jashtme, duhet të ndryshojë. Paqja duhet të mbetet prioriteti numër një i politikës gjermane."

Gazeta Ostthüringer Zeitung shkruan:

"Koalicioni i madh pret një rritje ekonomike gjatë këtij viti. Ky ishte shkaku përse rritja e taksave u shty për këtë vit, me shpresën se edhe konsumi do të rritej. Por nuk është e thënë që në Gjermani do të rritet vërtet dëshira për të konsumuar. Por ndoshta gjermanët do të vazhdojnë të kursejnë sepse nuk e dinë se çfarë mund të ndodhë vitin tjetër. Por edhe sikur shteti të arrijë ta rrisë konsumin kaq të dëshiruar, kjo nuk do të thotë detyrimisht se do të stabilizohet ekonomia në vend, sepse problemet këtu janë shumë të thella."

Gazeta Hamburger Abendblatt shkruan mbi skandalin në lidhje me futbollin në Stamboll:

"Le të mendojmë me gjakftohtësi dhe të mos emocionohemi. Të mos harrojmë se ishin huliganët gjermanë ata që e rrahën gati për vdekje francezin Nivel gjatë kampionatit botëror të vitit 1998. Askush nuk kërkoi asokohe që Gjermania ta tërheqë kandidaturën e saj për të qënë vendi organizator i kampionatit botëror të viti 2006. Le të kërkojmë në mënyrë paqësore evitimin e dhunës. Klubet e futbollit e kanë dëshmuar se mund të ndodhë një dialog paqësor mes tifozëve dhe policisë. Por FIFA nuk reagon siç duhet dhe dëshmon se humbësit e vërtetë të Stambollit janë ata."

Gazeta Kölnische Rundschau shkruan:

"Gëzimi i tifozëve turq gjatë kampionatit botëror të futbollit të viti 2002 ishtë i mahnitshëm, si në Turqi ashtu edhe në Gjermani, e sidomos në Köln. Prandaj bota po reagon tani e shokuar pas ngjarjeve të tronditshme në Stamboll. Tifozë të marrë i ranë me këmbë mikpritjes dhe ngrohtësisë turke, e cila njihet në të gjithë botën. Por këto ngjarje nuk mund të justifikohen si temperament nga vendet jugore, sepse në Stamboll marria arriti deri tek vetë lojtarët. Kjo dhunë është e pajustifikueshme."


Gazeta Landeszeitung shkruan:

"Skena të pabesueshme, goditje, të rrahura, të plagosur. Një skandal që ndodhi në Stamboll. Kur lojtarët pas një loje ikin të frikësuar në vend që të festojnë fitoren, atëherë sporti kthehet në turp. Por që pikërisht forcat e sigurisë të kthehen në sulmues nuk është vetëm paradokse por alarmante. Në rast se ekipi turk ka qënë pjesëmarrës në këtë ngjarje kaq të shëmtuar, atëherë edhe ai duhet ndërshkuar. Kush vepron kështu ka nevojë për një pushim. Në rast se Turqia nuk do t´i marrë parasysh pasojat, atëherë duhet të vendosë FIFA. Ata që nuk e kanë kuptuar principin e lojës së drejtë, nuk e kanë kuptuar qëllimin e lojrave sportive. Ai që nuk është në gjendje të humbasë, nuk ka pse fillon të luajë."


Gazeta Schwarzwälder Bote shkruan:

"Skenat që pamë në stadiumin Sükrü-Saracoglu e diskualifikuan futbollin turk dhe vetë vendin, që kërkon të antarësohet në BE. Tani e ka rradhën FIFA që ti pezullojë lojtarët turq. Ai që nuk i kontrollon dot emocionet nuk ka vend në tribunën botërore të futbollit."

Dhe së fundi, gazeta Märkische Oderzeitung shkruan:

"Meqënëse rregullat e lojës u shkelën kaq hapur me këmbë, FIFA duhet të ndërmarrë tani hapat e duhur. Për më tepër që futbollistët turq kanë dëshmuar disa herë që nuk dinë të humbasin. Skena të tilla kemi përjetuar edhe përpara dy vitesh gjatë ndeshjes Turqi-Gjermani."