1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillim i mbarë i dialogut mes shtetit dhe fesë islame

Rainer Sollich28 Shtator 2006

Ministri i brendshëm gjerman Wolfgang Shäuble dhe udhëheqësit e shoqatave myslimane në Gjermani kanë nxjerrë një bilanc pozitiv të konferencës së parë islame

https://p.dw.com/p/AqzE
Fotografi: picture alliance /dpa

Samiti për integrimin i zhvilluar në qershor dhe konferenca islame e zhvilluar të mërkurën, janë dëshmi se qeveria e tanishme ka bërë më shumë për integrimin se çdo qeveri tjetër. Mirëpo vetë procesi i dialogut është kundërthënës dhe pak i sinkronizuar. Myslimanët duhet që në njërën anë të njohin ndarjen jo gjithmonë konsekuente mes fesë dhe shtetit. Ndërsa në anën tjetër, udhëheqësit e tyre ftohen prej shtetit të diskutojnë për çështje shumë të larta politike, siç janë siguria e brendshme dhe lufta kundër terrorizmit.

E pakuptueshme është edhe përzgjedhja e bashkëbiseduesve. Është e vërtetë që shoqatat myslimane prezantojnë vetëm një pjesë të vogël të besimtarëve të kësaj feje në Gjermani. Mirëpo, duhet theksuar se ata janë përfaqësuesit e vetëm, të cilët në kuptimin e ngushtë të fjalës fe, mund të flasin për fenë islame dhe të cilët kanë ndikim në atë që predikohet në xhami. Ata do të duhej të ishin më të prezantuar në konferencë.

Personalitetet e ftuara, si lutëtaret për të drejtat e gruas, Seyran Ates dhe Necla Kelek japin një kontribut të madh për myslimanet në Gjermani. Me të drejtë, ato janë shpesh në konflikte me shoqatat myslimane. Ato përfaqësojnë edhe interesat e myslimanëve sekularë. Mirëpo ato janë më shumë kritike të fesë islame se sa përfaqësuese. Angazhimi i tyre prej politikanëve gjermanë shumë shpesh vlerësohet si shembullorë. Prandaj shtrohet pyetja: pse shteti ka nevojë për një dialog me to?
Dialogu mund të jetë i kuptimtë vetëm në qoftë se udhëhiqet nga personat që mendojnë ndryshe.

Qëllimi i të gjitha konferencave tjera islamike duhet të jetë fillimisht barazimi i fesë islame me konfesionet tjera, që me siguri do të kishte çmimin e vet për të dyja anët. Shteti gjerman duhet të mësohet që krahas të krishterëve dhe hebrenjve, në Këshilla të ndryshme të jenë edhe përfaqëseusit e fesë islame. Ndërsa myslimanët duhet të krijojnë një shoqatë të përbashkët, për të cilët ekzistojnë edhe shenjat e para. Poashtu duhet të luajnë një rol konstruktiv edhe në njohjen vullnetare të vlerave demokratike.

Duke u nisur që nga mësimi i fesë islame në shkolla e deri tek dhuna ndaj grave në shtëpi. Ka dhe shumë probleme të tjera të fesë islame, edhe pse nuk mund të thuhet, se ato janë vetëm pasojë e fesë. Lufta kundër terrorizmit dhe siguria e brendshme, por edhe papunësia e lartë në mesin e migrantëve, janë çështje politike, të cilat duhet të preken në samitet e ardhshme integrative. Nuk duhet harruar edhe një: shumica dërrmuese e myslimanëve nuk ka të bëjë fare me ekstremizimin dhe nuk kanë pasur kurrë ndonjë paraqitje të dhunshme.