1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillimisht Turqia apo Ballkani ne Bashkimin Evropian?

Anila Shuka, Berlin30 Shtator 2004
https://p.dw.com/p/ArGK

Zgjerimi i Bashkimit Evropian ishte një hap historik për Evropën. Por para kësaj Evrope të Bashkuar tani kanë dalë detyra të reja. Këtu hyn jo vetëm konsolidimi i brendshëm i Evropës, me miratimin kushtetutës, por edhe proçeset e anëtarësimit të Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë, e më vonë të Ballkanit Perëndimor e Turqisë, e deri tek përforcimi i bashkëpunimit me rajonin e Mesdheut dhe fqinjit të ri të Evropës. Për të diskutuar pikërisht rreth kësaj çështjeje, fondacioni Bertelsmann dhe Shoqata për Bashkëpunim Teknik, GTZ, kishin ftuar të hënën dhe të martën në Berlin ekspertë dhe politikanë nga vende të ndryshme të Evropës. Ashtu si edhe gjatë javës së kaluar në opinionin evropian, edhe këtu një vend të mirë të debatit zuri çështja e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë.

“Kush fillon nga bisedimet perfundon me antaresi. Çdo gjë ecen në mënyrë automatike” - kështu e përshkruan për Dojçe Velen deputeti i qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian, Elmar Brok, proçedurën e deritanishme të antarësimit të vendeve të reja në Bashkimin Evropian.

Kristiandemokrati gjerman është një nga kundërshtarët kryesorë të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Ideja e tij është që pas zgjerimit me Rumaninë, Bullgarinë dhe ndoshta Kroacinë, rrugët të mbyllen. “Ne nuk e dimë ende se çfarë do të ndodhë, në qoftë se kushtetuta nuk do të ratifikohet. Atëherë edhe bashkësia e 25 vendeve do të jetë në rrezik” – shqetësohet Brok dhe propozon, që BE-ja të presë njëherë këtë proçes, e pastaj të shohë dhe se si do të zhvillohen këto vende.” Për t’i mbajtur vendet e Ballkanit Perëndimor të lidhur me Evropën, Brok propozon që ato të hyjnë, “madje menjëherë ” në një hapësirë evropiane tregtare.

Pak më të afërt e shohin shkrirjen politike mes BE-së dhe Turqisë politikanë të qendrës së majtë. Socialdemokrati Gerd Vajskirhen në fjalën e tij të mbajtur në konferencë e mbrojti idenë e fillimit të negociatave me Turqinë. Për Vajskirhen, Turqia shërben si urë ndërlidhjeje mes krishtërimit dhe islamizmit, dhe si inkurajimi i reformave mund të bëhet vetëm përmes lidhjes në strukturat europiane.

Turqia të hyjë në Bashkimin Evropian, por mbas Ballkanit, kështu propozon dhe Kryeatri i Partisë Demokratike të Re, Genc Pollo, duke iu bashkangjitur mendimit të koordinatorit të paktit të Stabilitetit për EJL, Erhard Busek. Pollo tha në një intervistë dhënë Dojçe Veles, se “Ballkani Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria kanë patur një ekspozim më të madh historik ndaj frymës e kulturës evropiane, si në Mesjetë ashtu edhe në periudhën e Rilindjes.” Erhard Busek ishte shprehur më parë në një gazetë gjermane, se Evropa duhet të testojë veten me Ballkanin Perëndimor, para se t’i kthehet Turqisë. Kjo, edhe për faktin se Ballkani Perëndimor përbën një të tretën e sipërfaqes dhe popullsisë së Turqisë.

Edhe sekretari i shtetit në ministrinë e jashtme të Sllovakisë, Ivan Korçok, këron nga Evropa që të përqendrohet më shumë në Ballkanin Perëndimor. ”Ne jemi të aftë të ndërhyjmë në mënyrë konstruktive në Turqi, ndërsa ndërhyrjet tona në Kosovë, e cila ndodhet në pragun e Bashkimit Evropian, janë të pasuksesshme. E aty janë interesat tona më të mëdha,” – i tha Korçok Dojçe Veles.

Korçok kërkon pikërisht një ndërhyrje më të fortë të poltiikës evropiane në Kosovë, si një nga hapat më imediate të Bashkimit Evropian, të sapo zgjeruar me dhjetë vende të tjerë në maj të këtij viti, mes të cilave është edhe Sllovakia.