1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Filloi dëgjimi i palëve në procesin për pavarësinë e Kosovës

1 Dhjetor 2009

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë filloi sot dëgjimi publik i palëve të interesuara në procesin për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosvovës. Procesi mbahet sipas vendimit të OKB dhe me kërkesë të Serbisë.

https://p.dw.com/p/Kn7U
Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë diskutohet për Kosovën
Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë diskutohet për KosovënFotografi: picture-alliance / dpa

Delegacioni serb u shpreh i bindur se ka mbrojtur në mënyrë të denjë të drejtën që Kosovë të mbetet pjesë e Serbisë.

Kosova ka qenë, është dhe do të jetë pjesë e Serbisë, theksoi ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç. Vuk Jeremiç theksoi se për këtë proces po mbretëron një interesim i jashtëzakonshëm i bashkësisë ndërkombëtare.

Sot në gjykatë kemi treguar mençuri, qendrueshmëri dhe forcë. Më shumë se dy të tretat e botës dhe drejtësia ndërkombëtare janë në anën e Serbisë.“

Ministri Jeremiç nuk deshi të përgjigjet në pyetjen se çfarë do të bëjë Serbia në qoftë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë jep mendim se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Dushan Batakoviç, Vuk Jeremiç në Hagë- nga e djathta në të majtë
Dushan Batakoviç, Vuk Jeremiç në Hagë- nga e djathta në të majtëFotografi: AP

Qëndrimet serbe para 15 gjykatësve të Gjykatës megjithatë i paraqiti shefi i delegacionit, Dushan Batakoviç dhe disa ekspertë juridikë. Batakoviç në fillim pranoi se në kohën e konflikteve të armatosura janë bërë prej regjimit të kaluar krime ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ndërsa në vitin 1999 u vendos administrata ndërkombëtare, gjë që u bë e mundur pas „ndërhyrjes ilegale të disa vendeve të NATO-s.“ Pala serbe u shpreh e bindur se mendimi i Gjykatës do të shkojë në favor „të ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë.“

Kosova është djepi historik i Serbisë“, theksoi Batakoviçi duke shtuar se “serbët e Kosovës janë bërë minoritet në vendin e tyre“, ndërsa pavarësia e Kosovës paraqet dhunë flagrante ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë.

Pala serbe theksoi se ka vendosur që luftën ta vazhdojë me mjete paqësore dhe diplomatike. Ndërkohë që në të gjitha fjalimet u argumentua se Kosova "sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB është pjesë e Serbisë.“

Batakoviçi nënvizoi se zgjidhja mund të arrihet vetëm përmes neociatave. Për negociatat e Vjenës tha se ishin tepër të shkurtra, ndërkohë që ndërmjetësuesin Marti Ahtisari e quajti të „njëanshëm“.

Batakoviçi foli edhe për trazirat e 17 marsit të vitit 2004, dhe siç e quajti pogromin antiserb, kur u dëbuan mijëra serbë dhe u dogjën 35 kisha e manastire.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni
Ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder HyseniFotografi: AP

Në reagimin e parë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni tha se nga delegacioni serb nuk është dëgjuar asgjë e re. Ndërkohë po vazhdon paraqitja e delegacionit shqiptar, të cilën e filloi ministri Hyseni.

Hyseni ishte i pari që para gjykatësve paraqiti edhe qëndrimet e palës kosovare. Ai theksoi se dita e shpalljes së pavarësisë për Kosovën është një ditë e veçantë. Shpallja e pavarësisë është në përputhje me planin e Marti Ahtisarit. Pavarësia është njohur prej 63 vendeve. Kosova tani ka gati të gjitha institucionet e shtetit. Ka kushtetutën e vet dhe janë nxjerrë shumë ligje, të cilat mundësojnë funksionimin e shtetit dhe ruajtjen e të drejtave të njeriut. Si shembull Hyseni përmendi edhe procesin e decentralizimit të pushtetit, përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie multietnike dhe sigurinë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai tha se megjithë apelet e Serbisë, gjithnjë e më shumë serbë po marrin pjesë në jetën politike në Kosovë. Ardhmëria e Kosovës dhe Serbisë është anëtarësimi në BE, ndërsa Kosova pret me padurim anëtarësimin në OKB, theksoi ministri kosovar.

Më pas eksperti i çështjes ndërkombëtare, Michal Wood foli gjërësisht për vendosjen e Kosovës nën pushtetin e Serbisë, zhvillimet që nga viti 1912 deri në vitin 1999 dhe përfundimin e katastrofës humanitare. Ai renditi të gjitha përpjekjet për zgjidhje paqësore me negociata, propozimin e Marti Ahtisarit, përpjekjet e Trojkës dhe dështimin përfundimtar të negociatave në dhjetor të vitit 2007.

"Ishte shumë e qartë se pavarësia ishte e vetmja zgjidhje e pranueshme. Kjo u pasua me deklaratën e 17 shkurtit të vitit 2008",

theksoi Wood. Në ditën e dytë të dëgjimit publik, qëndrimet do të paraqesin Shqipëria, Gjermania, Arabia Saudite dhe Argjentina.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi