1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Referendum Türkei

13 Shtator 2010

Ndryshimet kushtetuese në Turqi shihen në Berlin dhe Bruksel si "një hap në drejtimin e duhur", respektivisht si "një hap në drejtim të BE-së".

https://p.dw.com/p/PB27

Komentatori i DW-së jep mendimin rreth dilemës nëse me të vërtetë kemi të bëjmë me një hap në drejtim të duhur.

Rezultati i referendumit për ndryshime kushtetuese në Turqi ka kaluar sipas normave demokratike. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në referendum, prej 58 për qind u deklaruan për ndryshimin e 26 neneve kushtetuese dhe në këtë mënyrë mbështetën projektin e bllokut konservatoro - islamik të kryeministrit Recep Tayyip Erdogan. Kjo ka mundësuar që një pjesë e madhe e kushtetutës së miratuar me iniciativën e puçistëve në referendumin e vitit 1982 të çfuqizohet.

Nga Berlini dhe Brukseli, siç edhe pritej, u dëgjuan fjalë të mira dhe urime për këto ndryshime, me të cilat Erdogani paraqitet si një njeri që ndërmorri hapa të rëndësishëm demokratike. Forcimi i të drejtave të njeriut dhe zvogëlimi i kompetencave të ushtrisë, e cila që prej vitit 1960 ka ndërhyrë katër herënë mënyrë direkte apo indirekte dhe ka bllokuar demokracinë, me të vërtetë duhet përshëndetur. Me ndryshimet e djeshme forcat ushtarake i nënshtrohen kontrollit civil.

Mirëpo edhe shqetësimet janë të mëdha. Opozita dhe popullata dyshojnë në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve të tjera juridike. Ato do të kontrollohen në të ardhmen edhe më shumë se deri tani prej partisë së Erdoganit. Numri i gjykatësve është rritur nga 11 në 17, ndërkohë që shtohet edhe numri i gjykatësve dhe prokurorëve në Këshillin më të lartë Juridik. Kjo do të thotë se partia në pushtet do të ketë mundësi që në këto institucione të emërojë njerëzit e saj dhe të shtojë kontrollin e krahut konservator.

Forcimi i qarqeve fetare brenda vendit do të ketë ndikim edhe në politikën e jashtme. Vitet e fundit Turqia është larguar nga Izraeli dhe është afruar me Iranin. Ish - kryeministri Necmettin Erbakan, mësuesi politik i Erdoganit, thoshte shpesh në vitet 80-të se qëllimi i tij nuk është demokracia, por demokracia është një prej mjeteve për arritjen e qëllimeve politike. Kjo për Erbakanin do të thoshte, afrimin e Turqisë me vlerat e fesë islame dhe largimin nga kemalizmi, pra largim nga vlerat e shtetit sekular ligjor të themeluesit të republikës, Mustafa Kemal Atatürk. Ndryshimet e fundit kërcënojnë me dobësimin e ndarjes strikte të shtetit prej fesë.

Frika nuk është e kotë, sepse Turqia po i afrohet udhëkryqit të saj të ri, pas historisë 87 vjeçare si republikë. Zgjedhjet parlamenentare të vitit të ardhshëm do të japin shenja më të qarta. Partitë e etabluara deri tani nuk e kanë gjetur një alternativë të mirë për Erdoganin dhe fetarët. Për këtë shkak, ky hap është i konstestueshëm. Islamizimi edhe më i madh i Turqisë do të mbyllte në tërësi rrugën e saj edhe ashtu të vështirë drejt anëtarësimit në BE. BE-ja nuk mund dhe nuk do të pranojë një vend islamik.

Autor: Baha Güngör

Redaktoi: Aida Cama