1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

280710 Westerwelle Türkei

29 Korrik 2010

Që Turqia është ende larg objektivit të saj, anëtarësimit në BE, këtë ministri i Jashtëm gjerman e bëri të qartë që të martën. Ai uron që Turqia të ketë rrënjë të forta në Evropë, por jo detyrimisht si anëtare e BE-së.

https://p.dw.com/p/OX9G
Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun turk Davutoglu.
Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun turk Davutoglu. (28.7.2010)

Megjithëse bëhej fjalë për një vizitë të shkurtër, të dy ministrat e jashtëm dukej se ishin mjaft të kënaqur me të. Kështu mikpritësi Ahmet Davutoglu lëvdoi me tonet më të larta marrëdhëniet e mira mes Turqisë dhe Gjermanisë, dhe edhe nga goja e ministrit gjerman Westerwelle, për herë të dytë këtë vit në Bosfor, u dëgjuan vetëm fjalë përgëzuese:

"Tri milionë turq, të cilët kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre në Gjermani dhe më shumë se 4 milionë turistë gjermanë do të vijnë në Turqi këtë vit. Kjo bazë kaq personale dhe njerëzore tregon shumë për marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve tona. Ajo është solide dhe duhet intensifikuar e zgjeruar në të ardhmen."

Westerwelle dhe Davutoglu, 28.7.2010.
Marrëdhënie të ngushta mbi baza personale dhe njerëzore - ministrat e dy vendeve theksojnë lidgjen e fortë mes Turqisë dhe Gjermanisë.Fotografi: AP

Asnjë çudi që interesi publik në Turqi përballë toneve të tilla u drejtua në radhë të parë në çështjen e anëtarësimit të mundshëm të vendit në BE. Por ministri i Jashtëm gjerman theksoi sërish se në këtë kontekst vlen parimi i marrëveshjeve të lidhura. Me fjalë të tjera, kërkesa e Turqisë për pranim në BE duhet të shqyrtohet po aq sinqerisht dhe pa paragjykime sa edhe kërkesat e vendeve të tjera. Pasi rëndësia e Turqisë është shumë e madhe:

"Ne kemi një interes shumë të madh, një interes strategjik, jo vetëm si Gjermani por edhe si BE, që Turqia të orientohet në drejtim të Evropës. Ose për ta thënë në gjuhën tuaj: Türkiyenin yönü Avrupadir - Drejtimi i Turqisë është Evropa. Shpresoj që këtej e tutje për këtë nuk do ketë më asnjë keqinterpretim.“

Ndërkohë që tone të tilla ngjallën kënaqësi në Bosfor, siç konfirmoi dhe buzëqeshja e ministrit të Jashtëm turk Davutoglu përballë përpjekjes së homologut gjerman për të folur turqisht, në Gjermani deklarata të tilla mund të bëhen shkak për grindje të reja në gjirin e koalicionit qeverisës, FDP dhe Unioni Kristiandemokrat-Kristiansocial.

Të dy ministrat treguan afrimitet mes dy vendeve edhe në tema të tjera të rëndësishme të vizitës: Irani dhe luftimi i terrorizmit ndërkombëtar. Në këtë pikë Westerwelle dhe Davoutoglu theksuan se dy vendet ndjekin interesa të përbashkëta dhe synojnë të bashkëpunojnë sa më shumë me njëri-tjetrin. Një armatim bërthamor i Iranit është i papranueshëm për të dy vendet dhe duhet penguar patjetër.

Autor: Ulrich Pick / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj