1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forca e Sigurisë së Kosovës një vit pas krijimit

15 Shtator 2010

Në prag të njëvjetorit të arritjes së kapaciteteve të para operacionale, Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur të përmbushë 80 përqind të obligimeve. Statusi i FSK është ai i një organizate për emergjenca civile.

https://p.dw.com/p/PCTT
Garda e Forcave të Sigurisë së Kosovës
Garda e Forcave të Sigurisë së KosovësFotografi: DW

Forca e Sigurisë së Kosovës, është në rrugë të duhur që të arrijë kapacitetet e saj të plota operacionale, megjithatë ky proces do të vazhdojë të paktën edhe një vit. Kështu thonë ushtarak të KFOR-it, të cilët trajnojnë forcën kosovare të sigurisë.

Në prag të njëvjetorit të arritjes së kapaciteteve të para operacionale të kësaj trupe, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, thotë se deri në vitin 2012 kjo trupë do të arrijë kapacitetet e plota operacionale për të vazhduar me detyrat shtesë bazuar në planet politiko-ushtarake.

Ushtarë të KFOR-it në Kosovë.
Ushtarë të KFOR-it në Kosovë.Fotografi: DW

“Tani po shkojmë drejt kapaciteteve të arritjeve të plota operacionale dhe do të kemi edhe një fushatë rekrutimi edhe në vitin 2011 për rekrutët e rinj. Do të kemi edhe një fushatë tjetër rekrutimi për përbërjen e dytë rezervë, pjesën plotësuese dhe deri në fund të vitit 2011 do të kemi numerikisht strukturën dhe kapacitetet tona”, thotë ministri Mujota.

“Ne deri në vitin 2012 jemi përqëndruar të arrijmë kapacitetet e plota operacionale sipas Kushtetutës dhe ligjeve që vepron Forca e Sigurisë së Kosovës dhe sigurisht mendohet se edhe pas vitit 2012 të kemi planet e duhura politiko-ushtarake, të cilat duhet të kenë vendime të koordinuara për detyrat shtesë që duhet t'i ketë një forcë profesionale në kuadër të një shteti”, thotë ministri Mujota.

Që të përmbushet ky proces i ndërtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të angazhuar në trajnime janë ushtarakë të KFOR-it në Kosovë, thotë për programin tonë, zëdhënësi i KFOR-it, kapiteni Hans Dieter Wichter. “Ne vazhdojmë të trajnojmë oficerët dhe pjestarët tjerë që tu japim atyre jo vetëm këshilla, por edhe përvojën e nevojshme për detyrat që ata i presin. Mendojë se Forca e Sigurisë së Kosovës është në rrugë të duhur dhe ata janë të përgatitur mirë për obligimet që dalin nga kjo trupë”, tha zëdhënësi i KFOR-it, Hans Dieter Wichter.

Obligimet që ka tash për tash kjo trupë kanë të bëjnë vetëm me emergjenca civile ashtu siç parashihet në planin e Marti Ahtisarit. Në bazë të këtij plani brenda kësaj trupe duhet të ketë së paku 10 përqind pjestar të pakicave. Sipas minisitrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, kjo përqindje gati është arritur. “Deri në këtë fazë, kur ne kemi afërsisht 80 për qind të kapaciteteve të ofruara, përfshirja e komuniteteve pakicë në Forcën e Sigurisë të Kosovës arrin rreth 8.3 përqind dhe kjo është një përqindje solide dhe gjithëpërfshirëse në kudër të diversitetit etnik, kulturor dhe religjioz që kemi në Kosovë”, thotë ministri Mujota.

Forcat e Sigurisë së Kosovës
Forcat e Sigurisë së KosovësFotografi: DW

Forca e Sigurisë së Kosovës po ndërton kapacitetet e saja, krahas reduktimit të trupave të KFOR-it në Kosovë. Faza e parë e reduktimit të trupave tashmë ka përfunduar dhe në Kosovë ka aktualisht 10 mijë trupa paqerujatëse. Faza e dytë e reduktimit akoma nuk ka filluar sepse për këtë duhet të merren vendim politik në selinë e NATO-s në Bruksel, thotë zëdhënësi i KFOR-it. “Nuk ka akoma vendim për një reduktim të dytë të trupave deri tash, por sidoqoftë, ne jemi operacional dhe jemi të gatshëm të zgjidhim çfarëdo situate që kërkohet në Kosovë”, thotë zëdhënësi Hans Dieter Wichter.

Forcat paqerujatëse në këtë fazë udhëhiqen nga gjenerali gjerman, Erhard Buhler. Gjatë marrjes së detyrës, gjenerali Buhler së bashku me komandantin e krahut jugorë të NATO-os, admiralin Mark Fitzgerald, thanë se ata janë të gatshëm të implementojmë vendimet politike të cilat merren në Bruksel. Sipas tyre koha kur do të fillojë faza e dytë e reduktimit të KFOR-it varet nga vlerësimi i situatës së sigurisë. Mirëpo, ajo që është e qartë dhe që është thënë disa herë nga ushtarak të KFOR-it, në Kosovë do mbesin vetëm 2500 trupa të NATO-s.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama