1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forumi në Tiranë: "Sfidat e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë"

Arben Muka / Tiranë25 Shkurt 2008

Redaksia e të përditshmes Gazeta Shqiptare ka shfrytëzuar 15 vjetorin e botimit të numrit të saj të parë për të organizuar forumin e mendimit politik mbi sfidat e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.

https://p.dw.com/p/DD6c
Gilan
GilanFotografi: AP

Presidenti i Republikës Bamir Topi, që ishtë dhe mbështetës për organizimin e forumit u shpreh në ndërhyrjen e tij se „pavarësia është një përpjekje, por dhe një pikënisje ku kërkohet vullnet, vendosmëri, energji pozitive, die, ekonomi, vlera ekonomike dhe shpirt bashkëjetese". Duke folur për sfidat e shtetit të ri, presidenti Topi shprehu mbështetjen për realizimin e planit Ahtisari, zbatimi i së cilës "do të kthejë Kosovën në një vend me demokraci institucionale për të ndërtuar një shoqëri shumëetnike". Presidenti shtoi se "njohja e shpejtë e shtetit të Kosovës do të shkurtojë ndjeshëm kohën e shtrirjes së NATOS në rajon dhe do të lejojë integrimin e vendeve të rajonit në strukturat euro-atlantike".

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi i mëshoi gjatë fjalës së tij më shumë nevojës për partneritetin dhe kooperimin rajonal. "Fqinjësia e mirë me Shqipërinë, Serbinë do të lehtësojnë punën e Kosovës në ecjen përpara si shtet i ri. Kosova është e vetëdijshme se marrëdhëniet e mira me fqinjët do të ndihmojnë atë në integrim të shpejtë në strukturat euro-atlantike. Zgjidhja e pavaresisë i hapi rrugë paqes, stabiliteti te rajonit", tha Jakup Krasniqi në referimin e tij në forumin e Tiranës.

Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Withers, duke iu kthyer festimeve për pavarësinë e Kosovës iu referua vargjeve të një poeti shqiptar: "Kam vënë re që kur fryn stuhi, zogjtë e vegjël bëhen kruspull, vetëm shqiponja është ai zog që hap krahët e fluturon. Mendoj se atë ditë shqiponjat kishin dalë në qiell!...". Për Withers vendi i tij do të vazhdojë mbështetjen e fuqishme ndaj zhvillimeve demokratike në Kosovë. "Do të ketë shumë vështirësi që shteti i Kosovës do të hasë përpara. Por, mendoj se pavarësia e Kosovës dhe shteti i ri janë në rrugën e demokracisë drejt paqes. Ne do të punojmë me organizatat e tjera ndërkombëtare për të arritur qëllimin e Kosovës së pavarur. Ndër qëllimet tona do të jetë ndihma që do t’i japim ekonomisë së Kosovës". Ambasadori amerikan në Tiranë iu drejtua dhe Serbisë: „Nuk duam marrëdhënie të këqia me Serbinë, jemi të gatshëm të punojmë me Serbinë të arrijmë objektivat europiane, dhuna nuk është rruga e duhur".

Në forum kanë folur dhe ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu, zevëndësministrja e jashtme Edit Harxhi, shefi i opozitës Edi Rama, politikanët nga Kosova, Edita Tahiri, Fatmir Limaj, Bajram Rexhepi, Azem Vllasi etj., përfaqësuesit e politikës së shqiptarëve të Maqedonisë Menduh Thaçi, Ali Ahmeti, Xhelil Bajrami etj.