1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fragment nga Muri i Berlinit për Memorialin e Kujtesës në Tiranë

Ani Ruci27 Mars 2013

"Postbllok" - Gjermania i dhuron fragment nga Muri i Berlinit Memorialit të Kujtesës në Tiranë. Ambasadorja gjermane në Tiranë: Është e rëndësishme që gjermanët dhe shqiptarët të dialogojnë për të shkuarën e përbashkët.

https://p.dw.com/p/184wC
Fotografi: AFP/Getty Images

Një fragment nga Murit i Berlinit, simbolit të lirisë dhe pavarësisë, qëndron që nga e marta (26.03.2013) në hyrje të ish-bllokut komunist në Tiranë. Pranë tij një bunker, simbol i paranojës së diktaturës komuniste në Shqipëri dhe izolimit dramatik ku ajo e futi Shqipërinë. Pak më tej shtylla betoni të marra nga galeritë e minierave të kampit famëkeq të Spaçit, ku vuajtën dhe humbën jetën mijra të burgosur, kundërshtarë politikë të regjimit komunist. Me këta tre element simbolikë është ngritur Memoriali i Kujtesës në Tiranë, një instalacion që u flet fuqishëm qytetarëve shqiptarë të mos harrojnë. Fragmenti nga Muri i Berlinit, me një peshë prej 2.6 ton është një dhuratë e qytetit të Berlinit për qytetarët e Shqipërisë, e sjellë në Tiranë me iniciativën e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës së SED ( Partia e Bashkuar Socialiste e Gjermanisë). Ndërsa ideja e bunkerit dhe e shtyllave të betonit nga galeritë e minierave të Spaçit është një ide e publicistit të mirënjohur Fatos Lubonja, ish i burgosur politik në burgun e Spaçit si edhe e artistit, Ardian Isufi, pedagog në Akademineë e Arteve të Bukura në Tiranë. Vendosja e Memorialit të Kujtesës vjen si një nismë e përbashkët e Bashkisë së Tiranës, asaj të Berlinit dhe Ambasadës Gjermane në Shqipëri.

Carola Muellert- Holtkaemper, Ambasadore e RFGJ-së në Tiranë
Carola Muellert- Holtkaemper, Ambasadore e RFGJ-së në TiranëFotografi: DW/A.Ruci

Dialogu gjermano- shqiptar për parandalimin e totalitarizmit

Me të njëjtën simbolikë dhe mesazh kujtese për historinë e afërt u hap të martën (26.03.2013) në Ambasadën gjermane në Tiranë edhe ekspozita "Ne duam të jemi njerëz të lirë" në kujtim të 60 vjetorit të kryengritjes popullore antistaliniste të 17 qershorit në ish-RDGJ, që u shtyp nga trupat dhe tanket ruse. 20 postera, me foto origjinale që hedhin dritë në diktaturën e SED, revoltën e parë anti-staliniste në RDGJ, në Berlin, më 17 qershor 1953, më pas në Hungari në 1956, në Pragë në 1968 duke përfunduar me rënien e Murit të Berlinit, në 1989.

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Mueller - Holtkemper tha se "Memoriali i Kujtesës" në Tiarnë kontribuon për të mbajtur gjallë kujtimin e padrejtësisë dhe viktimave gjatë diktaturës komuniste, për të ushqyer konsensusin antitotalitar në shoqëri dhe konsoliduar demokracinë. Është e rëndësishme që gjermanët dhe shqiptarët të dialogojnë për të shkuarën e përbashkët, të shkëmbejnë përvojat e tyre për të punuar në mënyrë aktive kundër harresës dhe për të parandaluar përsëritjen e totalitaritazmit dhe padrejtësive", theksoi amabasadorja gjermane.

Shqipëria- nevojë për ndryshim dhe largim nga bunkerizimi i mendimit

Kujtim Çashku, kineast dhe një nga personalitetet më aktive të shoqërisë civile në Shqipëri për zbardhjen e diktaturës dhe nxitjen e kujtesës thotë për DW se shqiptarët kanë një memorie të shkurtër historike. Por kjo nuk po ndodh vetëm me shqiptarët. "Ka një dilemë sot në gjithë ish-Europën komuniste për të reflektuar thellë dhe fuqishëm për diktaturën komuniste, një periudhë pothuajse prej gjysmë shekulli. Ky lloj reflektimi duket sikur nuk po ndodh. Gjermania, është vendi që pati forcën e madhe ta bëjë. Kurse Shqipëria nuk e ka ende atë forcë për të reflektuar dhe elaboruar thellë të gjithë mbi të gjithën sa ndodhi në kohën e diktaturës. Pra, kemi ende një memorie të shkurtër historike. Prandaj memoriali, fragmenti origjinal nga Muri i Berlinit, ekspozita na nxisin të reflektojmë më mirë për vetveten, vendin dhe historinë tonë. Në Shqipëri ka filluar zbardhja e diktaturës, por ajo po ecën shumë ngadalë. Jemi në një periudhë efemere, perceptimii i asaj që ndodhi gjatë diktaturës komuniste, nocioni i lirisë është ende efemer dhe i pakonsoliduar, modelet që kemi krijuar janë ato për 24 orë, kemi nevojë për ndryshim, për një arkitekturë mendimi, zgjerim të peisazhit të mendimit, largim nga mentaliteti i bunkerizimit të mendimit, që lidhet me post traumën e një shoqërie post totalitare", mendon Kujtim Çashku.

Gjermania – nxitëse e ndryshimeve demokratike

Anna Kaminsky, Drejtore Ekzekutive e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës ndodhet në Tiranë për të pestën herë. Fondacion i drejtuar prej saj bashkëpunon me shoqërinë civile në sjelljen dhe adaptimin e përvojës gjermane në zbardhjen e diktaturës dhe mbajtjen gjallë të kujtesës. "Është një ngjarje shumë e rëndësishme përurimi i "Memorilait të Kujtesës" në Tiranë dhe hapja e kësaj ekzpozite jo vetëm për të pasur simbolin e lirisë në këtë kryeqytet, fragmentin origjinal nga "Muri i Berlinit" por edhe me simbolet e represionit që diktatura ushtroi në Shqipëri. E kaluara duhet njohur për të kuptuar të sotmen, situatën në të cilën ndodhet Shqipëria dhe për të parashikuar të ardhmen", thotë Kaminsky.

Anna Kaminsky, Drejtore Ekzekutive e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës
Anna Kaminsky, drejtore Ekzekutive e Fondacionit Federal për Trajtimin e DiktaturësFotografi: DW/A.Ruci

Por ngritja e Memorialit të Kujtesës ka edhe një simbolikë tjetër: ai është një tregues tjetër e nxitjes për ndryshim që Gjermania frymëzon dhe mbështet në Shqipëri. "Çdo ngjarje nxit dhe frymëzon një ndryshim të vogël apo të madh. Ne gjermanët në Shqipëri, Ambasada Gjermane në Tiranë e shohim veten si agjentë, nxitës të ndryshimit. A ju kujtohet se çfarë ndodhi pasi më shumë se 3 mijë shqitarë u futën në korrik të vitit 1990 në amabasadën gjermane? Gjermania realizon shumë projekte në Shqipëri: kulturore, bashkëpunim ekonomiko- financiar, shkëmbime të gjithanshme që i kontribuojnë ndryshimit, zhvillimit demokratik. Në Shqipëri ka ndodhur një zhvillim i shpejtë, më i shpejti nga gjithë vendet e Europës ish-komuniste. Edhe ky memorial do të nxise kujtesën historike, do t'i kontribuojë ndryshimit", thotë për DW ambasadorja gjermane Carola Mueller-Holtkemper.

Ngritja e Memorialit të Kujtesës, dhe fragmenti origjinbal nga Muri i Berlinit e vendos Shqipërinë krah 120 vendeve në botë, ku ndodhen fragmente të Murit të Berlinit, që zgjojnë kujtesën dhe i shërbejnë qëndrimit aktiv të qytetarëve për të parandaluar përsëritjen e regjimeve diktatoriale dhe totalitare.