1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Franca akuzohet për diskriminimin e një pakice etnike - BE paralajmëron ndërrmarrjen e hapave ndëshkues

15 Shtator 2010

Pas dëbimit masiv të romëve nga Franca kanë eskaluar zënkat me Bashkimin Evropian. Komisoni Evropian akuzon Francën për diskriminim të një pakice etnike me çka vendi bie ndesh edhe me ligjet e BE-së.

https://p.dw.com/p/PC7h
Logoja e presidencës franceze të BE-së
Logoja e presidencës franceze të BE-së

I pyetur për qëndrimin e tij ndaj dëbimit të romëve në Francë Komisioni Evropian për javë të tëra po jepte të njëjtën përgjigje jo të kënaqshme: ne jemi duke analizuar gjendjen. Megjithatë komisionerja e drejtësisë Viviane Reding e tha qëndrimin e saj me fjalë të cilat nuk kishte si të ishin më të qarta:

Në foto, Viviane Reding
Në foto, Viviane RedingFotografi: DW

"Unë personalisht jam e trembur nga gjendja në të cilën njerëzit largohen nga një vend i Bashkimit Evropian vetëm se i përkasin një pakice etnike. Unë kam menduar se Evropa nuk do të përjetonte diçka të tillë pas Luftës së Dytë Botërore", tha Reding.

Ajo është posaçërisht e zemëruar për shkak se e ndjen veten personalisht të anashkaluar nga qeveria franceze. Ministri për çështjet e Migracionit, Eric Besson dhe sekretari shtetëror për Evropën, Pierre Lellouche gjatë një takimi me Reding dhe komisioneren e Brendshme, Cecilia Malmström në fund të gushtit nuk kishin pranuar se bëhej fjalë për dëbimin e një grupi të caktuar etnik ndërkohë që nga një qarkore e ministrisë së Brendshme franceze kuptohet e kundërta, tha Reding.

Në foto ministri francez Eric Besson
Në foto ministri francez Eric BessonFotografi: AP

"Roli i Komisionit si rojtar i marrëveshjeve rëndohet në shkallë ekstreme në qoftë se ne nuk mund t'i besojmë garancave të dy ministrave të cilat u dhanë nga të dyja palët në një mbledhje formale me dy komisionere dhe rreth 15 zyrtarë të lartë. Dhe kjo nuk është diçka e parëndësishme në një situatë kaq të rëndësishme. Pas 11 vitesh të përvojës sime në Komision mund të shkojë edhe më larg: ky është një turp."

Ajo i bëri thirrje qeverisë franceze që të ndryshojë menjëherë sjelljen e saj. Dhe Reding ka paralajmëruar tashmë se do të nisë procedurën për shkelje të marrëveshjes kundër Francës për shkak se ky vend ka shkelur rregullat mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Një familje rome e dëbuar nga Franca në Rumani
Një familje rome e dëbuar nga Franca në RumaniFotografi: picture alliance/dpa

“Durimit tim po i vjen fundi. Mjaft është mjaft (dhe i bie me dorë foltores)! Asnjë shtet anëtar nuk mund të presë trajtim të veçantë kur vihen në rrezik vlerat evropiane dhe ligjet evropiane."

Dhe kjo vlen për të gjitha shtetet anëtare, si për vendet e mëdha ashtu dhe për të voglat, tha Reding. Siç duket Komisioni dëshiron ta bëjë të qartë se nuk do të ketë në konsideratë fuqinë e vendeve të mëdha. Sidomos presidenti i Komisionit José Manuel Barroso, është akuzuar disa herë, po ashtu edhe sa i përket dëbimit të romëve se është shumë i kujdesshëm kur bëhet fjalë për qeverinë franceze.

Autor: Christoph Hasselbach / Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani