1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100710 Frankreich Korruption

12 Korrik 2010

Dyshimi që po trondit për momentin Francën është se Liliane Bettencourt, gruaja më e pasur e Evropës, ka mbështetur fushatën elektorale e një sërë politikanëve të lartë.

https://p.dw.com/p/OGRC
Fotografi: Übersee-Museum, Gabriele Warnke

150.000 euro dyshohet se i janë dhënë Eric Woerth për fushatën elektorale presidenciale 2007. Më pas Woerth ishte si ministër për Buxhetin përgjegjës për deklaratën e taksave dhe kontrollin e taksave të miliarderes 87 vjeçare Liliane Bettencourt dhe ai është edhe përgjegjës për financat në partinë e Sarkozy-së, UMP.

Edhe pse të prekurit e hedhin poshtë, mes koncernit L'Oréal dhe politikanëve konservatorë ka pasur gjithmonë lidhje të ngushta. Madje ekziston edhe një libër për politikën e kësaj firme me titullin domethënës "Arti si të merresh vesh mirë me shtetin“. Kështu p.sh. presidenti Georges Pompidou u fut në pjesë, kur në vitin 1974 u vendos që sipërmarrja zvicerane Nestlé të ishte aksionare minoritare te sipërmarrja L'Oréal. Qëllimi i deklaruar i kësaj marrëveshjeje ishte që të pengonte shtetëzimin e L'Oréalit në rast se dikur presidenti i vendit do të ishte nga radhët e së majtës.

Por të shumta janë edhe shembujt e kohëve të fundit në lidhje me ndërhyrjen e qeverisë në çështjet ekonomike të vendit. Një ndër më të spikaturit është oferta për të ndërtuar një reaktor atomik francez në Abu Dhabi. Përpara se të përfundonte afati i tenderit, pallati i Elysée-së i detyroi me forcë koncernet e energjisë dhe të impianteve atomike EDF, GDF-Suez, Total, Areva, Vinci dhe Alstom, të cilat janë pjesërisht në konkurrencë me njëri-tjetrin që të merrnin pjesë bashkarisht për këtë tender - por pa sukses, tenderin e fituan koreanët.

Edhe marrëdhëniet gjermano-franceze kanë qenë në të kaluarën vazhdimisht të rënduara prej grindjeve për avionin Airbus, dhe drejtuesit e kësaj sipërmarrje arritën vetëm me ngadalë që të vinin në plan të parë kriterin e kostove.

I njohur u bë edhe rasti Areva-Siemens. Sipas këndvështrimit gjerman Nicolas Sarkozy pengoi që Siemens t'i zgjeronte aksionet e tij te Areva NP, një filiale e koncernit atomik shtetëror. Për këtë në fillim të vitit 2009 sipërmarrja gjermane hoqi dorë tërërisht nga Areva. Arevës iu desh prej kësaj të shiste ndërtuesin e sistemeve komanduese T&D. Edhe pse disa politikanë konservatorë si deputeti i UMP-së Gérard Voisin donin ta pengonin shitjen e T&D-së, ata nuk patën asnjë shans.

Të gjithë poltikanët e lartë dhe bosët e ekonomisë në Francë kanë përfunduar Grandes Ecoles - shkollat elitare të republikës. Rrjetet e lidhura në këto shkolla luajnë një rol të madh në Francë, edhe për shkak se shumë prej atyre që mbarojnë këto shkolla lëvizin në jetën e tyre sa nga pozicione në shërbim të shtetit në poste manaxherësh dhe anasjelltas. Dhe meqenëse poltika e shpallur e Parisit është që të gjejë tregje të huaja për sipërmarrjet franceze, vendi është përfshirë shpesh në skandale me eksportet dhe me afera korruptive.

Në skandalin për fregatat e Tajvanit të Thomson-it u ngeci sharra në gozhdë dy gjyqtarëve hetues, tetë persona që kishin lidhje me këtë çështje vdiqën në rrethana të pasqaruara. Në vitin 2002 persona të panjohur hodhën në erë në Pakistan një autobus ku gjendeshin 11 inxhinierë francezë. Në Francë po spekulohet nëse kjo qe hakmarrje, sepse presidenti Jacques Chirac nuk donte t'u paguante më rryshfete gjeneralëve pakistanezë. Franca, një republikë bananesh?

Gjyqtari Thiérry Jeanpierre i cili kishte luftuar si politikan dhe autor librash në rastin e fregatave të Tajvanit ka thënë një herë: "Jashtë ne na shohin si republikë bananesh. Këtë e vë re kur udhëton shumë."

Autor: Johannes Duchrow / Pandeli Pani

Redaktoi: Eliana Xhani