1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frontex dhe Eurojust afrojnë Shqipërinë më shumë me BE

6 Tetor 2018

Shqipëria nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me BE për drejtësinë dhe menaxhimin e kufijve. Ajo bëhet vendi i parë në rajon, jo anëtar i BE, që nënshkruan një marrëveshje me Frontex.

https://p.dw.com/p/365Lj
Tirana Ministerforum für Justiz und Inneres
Fotografi: Press office, Ministry of Justice

Me këto dy rezultate sa konkrete aq edhe historike, përfundoi në Tiranë, të premten ( 5.10.2018), Ministeriali mes BE dhe BP për ҫështje të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme. Me marrëveshjen e sapo nënshkruar në fushën e drejtësisë Shqipëria bëhet vendi i tretë në Ballkanin Perëndimor, krahas Maqedonisë dhe Malit të Zi, që do të bashkëpunojë me Eurojust ( European Union's Judicial Cooperation). Ndërsa me marrëveshjen tjetër, të nënshkruar me Agjencinë Europiane për Ruajtjen e Kufirit dhe Vijës Bregdetare (Frontex) Shqipëria bëhet vendi i parë në rajon, jo anëtar, me të cilin BE nënshkruan një marrëveshje të tillë.

Për një Europë më të sigurtë

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Eurojust parashikon bashkëpunim operacional dhe strategjik në fushën e gjyqësorit për një luftë më efikase ndaj krimit trans-nacional. Presidenti i Eurojust, Ladislav Hamran, tha pas nënshkrimit të marrëveshjes se "ajo do të hapë të gjitha mundësitë që Shqipëria të marrë pjesë dhe të përfitojë nga të gjitha instrumentat praktike të bashkëpunimit që ofron Eurojust për të sjellë të dyshuarit para drejtësisë dhe mbrojtur qytetarët. Vetëm së bashku mund ta bëjmë Europën një vend më të sigurtë.”

Etilda Gjonaj
Etilda GjonajFotografi: Press office/ Ministry of Justice

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, që nënshkroi  marrëveshjen për palën shqiptare, theksoi se "marrëveshja do të forcojë bashkëpunimin me dy vendet partnere në rajon, Maqedoninë dhe Malin e Zi, duke kontribuar në rezultate të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit si edhe do të rrisë besimin në kapacitetet hetimore të Shqipërisë duke e sjellë vendin më pranë BE”.

Shkëmbim i shpejtë dhe efikas i informacionit dhe të dhënave

Ky është kali i betejës për një luftë më efikase se deri më tani. Një shkëmbim i tillë të dhënash dhe informacioni pritet t'ia bëjë edhe më të vështirë jetën krimit të organizuar trans-nacional. Në njoftimin për shtyp të BE lidhur me risitë që kjo marrëveshje sjell për një luftë me efikase kundër krimit trans-nacional  theksohet se "Shqipëria do të përfitojë nga aksesi që do të ketë në të gjitha sistemet e informacionit të Eurojust si edhe nga shkëmbimi i të dhënave personale dhe fakteve me prokurorët nga gjithë Europa”.

Marrëveshja krijon mundësi për emërimin e një prokurori nga Shqipëria në selinë e Eurojust në Hagë për të ndërlidhur palët dhe siguruar bashkëpunim efikas. Eurojust e ka mbështetur Shqipërinë në hetimet e krimit trans- nacional edhe para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Në tre vitet e fundit, Shqipëria, e mbështetur nga Eurojust është përfshirë në 36 hetime ndërkombëtare për raste të rënda krimesh ndërkufitare, kryesisht për grupet e krimit të organizuar me trafikun e drogave, rrëmbimit  të personave, mashtrimit, vrasjes dhe trafikimit, tregtisë ilegale të organeve. Që nga viti i kaluar Shqipëria merr pjesë në dy ekipe të përbashkëta hetimore në BE. Në tre vitet e fundit, 2015-2018, Eurojust ka hetuar 193 raste të krimit trans-nacional, ku në hetime është përfshirë Shqipëria, Bosnjë-Herzegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Grenzschutzagentur Frontex
Frontex me mision mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE vjen edhe në ShqipëriFotografi: picture-alliance/dpa/C. Charisius

Siguri në kufi, luftë kundër kontrabandës së migrantëve

Menaxhimi efektiv i kufijve të jashtëm të BE dhe lufta kundër kontrabandës së migrantëve janë sfida kryesore si për BE ashtu dhe Ballkanin Perëndimor. Bashkëpunimi dhe partneriteti efektiv mbeten thelbësore për t'i përballuar këto sfida me sukses. Drejt këtij synimi ecën edhe marrëveshja-status mes Shqipërisë dhe Frontex, e para që BE nënshkruan me një vend të tretë, jo anëtar. Komisioneri i BE për Migracionin dhe Punët e Brendshme, Dimitris Avramopoulos, që nënshkroi në Tiranë marrëveshjen, theksoi se "këto sfida nuk mbarojnë në kufijtë e jashtëm të BE. Një Europë që mbron është një Europë që punon bashkë me vendet partnere që jane fqinjë me të dhe përtej tyre.”

Marrëveshja lejon Frontex të koordinojë bashkëpunimin operacional me vendet anëtare të BE dhe Shqipërisë lidhur me menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE. Aktivitetet e parashikuara në marrëveshje synojnë të merren me migrimin illegal, sidomos me ndryshime të papritura të flukseve migratore e krimin ndërkufitar. Marrëveshja parashikon rritjen e asistencës teknike dhe operacionale në kufijtë e Shqipërisë.

Gjatë ministerialit të BE me Ballkanin Perëndimor, që përfundoi dje në Tiranë, Ministrat e Brendshëm të BP dhe Komisioneri i BE për Migracionin,Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos , nënshkruan edhe "Planin e përbashkët të Veprimit për Luftën kundër Terrorizmit në Ballkanin Perëndimor".

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana