1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Alevitët në Turqi shpresojnë për trajtim të drejtë

Thomas Bornann1 Maj 2016

Alevitët përbëjnë një çerekun e popullsisë në Turqi. Ata janë myslimanë, por kanë një interpretim tjetër për islamin. Pas një vendimi të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, qeveria turke premton reforma.

https://p.dw.com/p/1Ifih
Türkei Religion Alewiten in Istanbul Musik
Alevitë në StambollFotografi: AP

Ora e faljes në një komunitet alevit në Turqi: Aty këndohet dhe burrat e gratë falen bashkarisht. Alevitët kanë një botëkuptim ndryshe për islamin, krahasuar me myslimanët turq. Ata nuk mbajnë ramazan, nuk shkojnë patjetër në Mekë, dhe nuk falen kur thërret imami, por kur duan ata vetë.

Për t'u falur po ashtu ata nuk takohen në një xhami, por në një shtëpi të komunitetit, Cem-Evi. Të ashtuquajturat Cem-Evi nuk njihen nga shteti turk si shtëpi të zotit. Pas vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, kjo duhet të ndryshojë, kërkon Izzettin Doğan, njëri nga zëdhënësit e alevitëve në Turqi. „Shtëpitë Cem-Evi duhet menjëherë që të kenë të njëjtat të drejta që u garantohen institucioneve të tjera të faljes. Kjo pa dallim.“

Türkei Religion Alewiten in Istanbul Atatürk Porträt
Alevitë në StambollFotografi: AP

Lehtësime për bashkësi të tjera fetare

Por deri më tani shteti turk bën dallime të mëdha: Alevitët duhet t'i financojnë vetë shtëpitë ku falen dhe të paguajnë rrogat e predikuesve të tyre. Ndërkohë që myslimanët sunitë në shumicë në Turqi mbështeten nga shteti me miliarda. Për ndërtimin e një xhamie në Turqi, shteti ofron lehtësime në tatime. Xhamitë kanë të drejtë të furnizohen me ujë dhe rrymë elektrike me çmime të ulta e më e rëndësishmja, shteti turk paguan rrogat e 90.000 imamëve turq.

Për alevitët rolin e imamit në xhami e luan dede-ja. Prandaj Izzettin Doğan kërkon që shteti të paguajë rrogat e dede-ve alevitë. „Imami ka rrogën, pensionin dhe sigurimin shëndetësor. Pse të mos i ketë këto edhe një dede alevit?” Alevitët paguajnë tatime në Turqi si të gjithë qytetarët. Megjithatë nga këto tatime paguehn vetëm imamët, por jo dede-të alevitë. Të 20 milionë alevitët në Turqi presin tani ndryshime.

Volkan Bozkir
Volkan Bozkir, ministri turk për EuropënFotografi: picture-alliance/AA

Qeveria premton reforma

Qeveria turke ka premtuar reforma. Ministri turk për Europën i qeverisë turke, Volkan Bozkir i AKP-së thotë se „në bazë të kushtetutës turke, vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut janë të detyrueshme për Turqinë.“ Edhe para një viti në fushatën zgjedhore, AKP ka premtuar përmirësimin e të drejtave të alevitëve, thotë Bozkir. „Kjo temë është në axhendën e qeverisë sonë. Ne po punojmë për këtë. Ka pasur vonesa, për shkak të shumë temave të tjera dhe punës së ngjeshur të parlamentit, për fat të keq.“ Alevitët shpresojnë që premtimet e qeverisë të ndiqen nga veprat dhe që ata të njihen si komunitet me të drejta të barabarta si komunitetet e tjera fetare.